Polici i Kosovës, përkatësisht i Njësitit për reagim të shpejtë, Dejan Vllashkoviq, i cili ka qenë në rroba civile dhe jashtë detyrës, është rrahur brutalisht nga disa persona mbrëmë rreth orës 22:40 para kafiterisë ‘Incognito’ që ndodhet në rrugën ‘Kral Petar’ në veri të Mitrovicës.
Burime të KP bëjnë të ditur se polici ka qenë në gjendje të dehur dhe pasi me automjetin e tij ka goditur pa qëllim një xhip ‘Land Rover’ që ka qenë i parkuar, disa persona kanë dalë menjëherë nga kafiteria ‘Incognito’ dhe e kanë rrahur brutalisht deri në alivanosje.
“Është rrahur keq me këmbë e grushte e me çka jo tjetër deri në alivanosje dhe pastaj është dërguar në spital. Ivan Mllagjeviq, i njohur si narkodiler, është personi që më së shumti e ka rrahur dhe i ka shkaktuar lëndime policit”, kanë thënë burimet.
Mësohet se polici vazhdon të trajtohet në spitalin e veriut të Mitrovicës, ndërsa është jashtë rrezikut për jetë.
Në lidhje me ngjarjen, KP ka provuar të kontaktojë me zëvendësdrejtorin e policisë në veri Besim Hoti, por ai nuk e ka hapur telefonin.