Ndërtohet qendër rehabilituese për fëmijë me nevoja të veçanta në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka pritur sot në takim drejtorin e Save the Children International, Ahmet Kryeziu, ku bashkërisht kanë nënshkruar marrëveshjen për partneritet me qëllim të investimit të përbashkët në kuadër të projektit “Shërbimet me bazë në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara”.

Në një njoftim për media thuhet se ky projekt ka të bëjë me ndërtimin e një Qendre të re Rehabilitimi me Bazë në Komunitet (RBK) të Handikos në Komunën e Gjakovës si dhe ka të bëjë me mobilimin e kësaj qendre me orendi dhe pajisje të nevojshme për të siguruar shërbime me qasje të qëndrueshme dhe cilësore për fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara.

“Investimi i përgjithshëm për këtë projekt është vlerësuar të jetë 218,000.00 €, ku SCI do të financoj 138,000.00 €, ndërsa Komuna e Gjakovës do të bëj financimin prej 80,000.00 €. Po ashtu, gjatë këtij takimi është nënshkruar edhe marrëveshja për programin e Save the Children në Kosovë për bashkëpunim me organet komunale në Gjakovë në fushën e Arsimit, Mbrojtjes së Fëmijës, Qeverisjes për të Drejtat të Fëmijës dhe Shëndetësisë”, thuhet në njoftim për media.

Po ashtu, nga njoftimi bëhet e ditur se ky bashkëpunim gjithashtu ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve në arsimin gjithëpërfshirës, në zbatimin e praktikave gjithëpërfshirëse për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë në mjediset e shkollës, rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve lokale, organizatave të shoqërisë civile, prindërve dhe komunitetit për regjistrimin dhe gjithë përfshirjen e fëmijëve të margjinalizuar.

Artikulli paraprakE pabesueshme, ky është çmimi i çadrës së Kryeministrit Mustafa (DOKUMENT)
Artikulli vijuesViva Fresh Store “terrorizon” fëmijët, me lodra të frikshme për Halloween (Foto)