NDRYSHIMET KLIMATIKE, SI NDIKOJNË NË SEKTORË TË NDRYSHËM

Rritje e temperaturave, ulje të sasisë së reshjeve dhe rritje e nivelit të deteve, për rrjedhojë dimër më të butë, pranverë më të ngrohtë, verë më të nxehtë e më të thatë dhe vjeshtë më e thatë, janë disa nga pritshmëritë e ndryshimeve klimatike.

Sipas skenarëve të klimës, mundësia e fenomeneve ekstreme dhe ndryshueshmërisë së temperaturave minimale brenda vitit është më e madhe. Po kështu, rriten mundësitë e thatësirave më të shpeshta dhe më të ashpra që shtojnë më shumë rrezikun e zjarreve.

– Ndryshimet klimatike dhe energjia –

Rritja e temperaturave, ndryshimet në sasinë e reshjeve dhe luhatjet e lagështisë, modelet e erës dhe numri i ditëve me diell në vit mund të ndikojnë si në konsumin, ashtu edhe në prodhimin e energjisë. Ndryshimet e klimës parashikohet të prekin konsumin e energjisë elektrike për ngrohjen e ambientit, ajrin e kondicionuar, ngrohjen e ujit dhe ftohjen. Nga këto, ajri i kondicionuar dhe ngrohja e ambientit parashikohet të preken më shumë, pasi janë funksione të ndryshimit të temperaturës së ambientit dhe asaj të jashtme.

Sa i takon efekteve të klimës mbi prodhimin e energjisë, prodhimi i energjisë elektrike ka mundësi të rritet, falë termocentraleve të reja. Mendohet se prodhimi i energjisë elektrike përmes burimeve hidrike do të ulet, por ndryshimet klimatike mund të ndikojnë edhe në furnizimin me energji nga burimet diellore dhe ato të erës.

– Ndryshimet klimatike dhe bujqësia –

Rritja e temperaturës mund të shkaktojë reduktimin e sezonit të kultivimit për disa të korra. Drithërat do të korren më shpejt dhe mungesa e ditëve të ftohta gjatë periudhës dhjetor-janar mund të reduktojë efektet e zhvillimit të shpejtë të bimëve që rriten në temperatura të ftohta dhe si rrjedhojë do të zgjasë pjesën e parë të sezonit të kultivimit për grurin dimëror. Rritja e pritshme e temperaturës do të përshpejtojë ritmet e zhvillimit dhe do të shkurtojë periudhën e rritjes për disa kultura bujqësore, për pasojë do të shkurtohet periudha e farëzimit.

Temperaturat e rritura të verës nuk pritet të jenë shumë të dëmshme për kulturat bujqësore verore, sepse janë më rezistente se ato dimërore. Por, periudhat e thatësirës mund të përbëjnë një shqetësim madhor në të ardhmen.

– Burimet ujore dhe pyjet –

Sa i takon burimeve ujore, modelet e ndryshimit janë në përgjithësi të ngjashme me ndryshimin e reshjeve vjetore. Por rritja e përgjithshme e avullimit do të thotë se ka mundësi që prurjet të reduktohen. Ndërsa, në përgjithësi, pemët me gjelbërim të përhershëm dhe pyjet e lisave pritet të shtohen, zonat e pyjeve të ahut, të cilat kanë rëndësi për prodhimin e drurit, do të zvogëlohen.

– Rritja e nivelit të detit –

Sipas skenarëve të rritjes së nivelit të detit, zona pyjore bregdetare (në bregdetin e Lezhës) pritet të zvogëlohet nga 1,14 km2 në rreth 1 km2 në 2100. Zgjerimi i parashikuar i lagunave pritet që të rrisë periudhën e qëndrimit të zogjve migrues në to dhe të ndryshojë përbërjen e tyre. Gjithashtu parashikohet ndryshimi i florës dhe faunës së ujit në favor të specieve që preferojnë më shumë ngrohtësi dhe kripësi.

– Popullsia dhe turizmi –

Ndryshimet e pritshme klimatike dhe rritja e nivelit të detit pritet të ndikojnë mjaft në shpërndarjen gjeografike të zonave të banuara, popullsisë, aktiviteteve ekonomike në përgjithësi dhe turizmit në veçanti. Në përgjithësi turizmi do të orientohet më tepër drejt maleve ose liqeneve, sesa drejt plazheve, ndërsa turizmi bregdetar do të preferohet më shumë në fund të pranverës dhe në fillim të vjeshtës.

Parashikohet që ndryshimet e temperaturës në sipërfaqen e tokës dhe të nivelit të lagështisë do të ndikojnë në rritjen e indeksit të nxehtësisë. Rritja e shpeshtësisë së fenomeneve meteorologjike të pazakonta (shira të dendur, erëra të forta, thatësira, përmbytje) mund të kenë ndikim të madh në vendbanimet dhe infrastrukturën turistike. Pritet që shpeshtimi dhe intensiteti i lartë i valëve të nxehtësisë mund të rrisë numrin e vdekjeve kardiovaskulare apo respiratore të shkaktuara nga nxehtësia e verës. Nga ana tjetër, reshjet ekstreme mund të përkeqësojnë problemet ekzistuese të sëmundjeve, aksidenteve dhe lëndimeve që lidhen me ujin. Shqipëria, si vend mesdhetar, mbart potencial për përhapjen e sëmundjeve tropikale, si ethet Çikungania, ethet tropikale, dhe sëmundje të tjera.

Ndryshimet klimatike do të përkeqësojnë më tej situatën e sëmundjeve që shkaktohen nga cilësia e keqe e ajrit në të gjitha qytetet kryesore të vendit./trt

Artikulli paraprakSistemi Bankar, pengesë serioze karshi biznesit
Artikulli vijuesRRUGA PËR NË LUMTURINË E VËRTETË