Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin për Fondet Pensionale të Kosovës, ku me këtë mundësohet zgjerimi i investimeve të mjeteve në letra me vlerë në institucione financiare.
Po ashtu, kjo Qeveri miratoi edhe propozim vendimin për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor të obligueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani e arsyetoi këtë vendim, ku tha se këshilli përgatitor ka konstatuar se janë nxjerrë të gjitha aktet nënligjore, dhe ky vendim mund të zbatohet nga 1 janari i vitit 2017.
Edhe kryeministri, Isa Mustafa theksoi rëndësinë e këtij vendimi për sigurimet shëndetësore.
Ai tha se ky vendim ka përkrahjen e Qeverisë.
Qeveria po ashtu ka miratuar propozim vendimin për shfuqizimin e Vendimeve të Qeverisë dhe shpërbërjen e Komisionit Ndërministror për Udhëheqjen e projektit për zhvillimin e Brezovicës.
Ministrja e MTI, Hykmete Bajrami tha se janë duke punuar për një plan B për privatizimin e kompleksit Brezovica.