Ne dhe Tetova jonë

0
207

Shkruan: Muaz Agushi

Çka janë fenomenet natyrore? Nuk ka shpjegim më të mirë dhe më të saktë se ai që i zbërthen këta fenomene si shenja, si paralajmërime të Krijuesit të gjithësisë se, “Jam këtu”, “Jeni nën vëzhgimin tim”… Kështu duhet kuptuar edhe vërshimën katastrofale, me pasoja tragjike, që e kaploi këto ditë Tetovën me rrethinë. Për pak sekonda fshatrat dhe vetë Tetova morën tjetër pamje, tjetër peizazh, tjetër atmosferë! Përveç bubullimave, ushëtimave të rrokullisjeve të gurëve gjigantë, rrebeshit të shiut, fjala që më së shumti dëgjohej, ishte “O Zot”! Pra, vjen një moment kur të gjithë ndërgjegjësohemi dhe, pak nga frika, pak nga dorëzimi total, pak nga devotshmëria, të gjithë thërrasim në ndihmë “Zotin”, sepse, proi i ndërdijes sonë na e sjell sinjalin – vetëm Ai është që mund të na shpëtojë, të na ndihmojë, ashtu edhe siç mund të na ndëshkojë! Ndëshkimet e Tij kanë prekur shumë popuj e vendbanime, të cilat madje theksohen edhe nëpër Librat e Shenjtë.

Çka ndodhi në Tetovë? Si duhet ta kuptojmë këtë që ndodhi në Tetovë: si mallkim? Si ndëshkim? Apo, vetëm si sinjal për t’u ndërgjegjësuar për Fuqinë e Krijuesit tonë!

Allahu xh.sh, në Librin e Tij, në Kuranin e Shenjtë, thotë: “Nuk dërguam shenjat veçse për të paralajmëruar” [el‐Isra:59] Por, e thotë edher këtë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia)…” (Esh-Shura, 30)

Shikuar nga prizmi i ditëvev të sotme, vepra të këqia i përeceptojmë vetëm ato që janë transparente, që duken, që preken! Dhe të gjitha këto janë ose nga korpusi i (mos)veprimeve politike, ose nga “thesi i premtimeve” i cili nuk ndryshon fare nga “thesi” i babadimrit. Premtimet boshe janë ajka e gënjeshtrës. Kur gënjeshtra nis e bashkëjeton me ne, atëherë na gjenë ajo çfarë e gjeti Tetovën dhe që shumëkush mundohet ta shpjegojë si mallkim. Është mirë që, për çdo të keqe që na gjenë, fajin ta kërkojmë brenda nesh, përreth nesh, pranë nesh dhe jo gjetiu.

Njeriu nga natyra është egoist dhe si i tillë gjithëherë është i prirur që ta rehatojë veten, pavarësisht se ajo rehati mund të jetë pengesë e madhe! Nëse nuk hasë në ndëshkim institucional por, përkundrazi, hasë madje në premtim dhe në përkrahje institucionale për legalizim të asaj pengese, atëherë kjo dukuri ngritet në kulturë, ngritet në filozofi, në zakon, në qëndrim, në koncept etnik mbi jetën dhe ambientin ku jetojumë.

Ne të gjithë e dijmë që përreth shtratit të lumit nuk ndërtohet shtëpia, por e ndërtojmë sepse e kemi të zgjidhur problemin e ujërave të zeza! Ne të gjithë e dijumë që plehërat dhe gjësendet e vjetëruara nuk hidhen në lumë, por, e bëjmë këtë veprim sepse lumi na i shkurton lodhjet dhe shpenzimet e bartjes së plehërave në vendet e destinuara.Ne të gjithë e dijmë se një lagje e tërë nuk mund të ndërtojë kanalizimin fekal më tuba nëpër të cilat nuk mund të depërtojë madje një mace e vogël! Ne të gjithë e dijmë që nuk është mirë t’i presim drunjtë në fillim të malit, sepse ato drunj, rrënjët e tyre janë armaturë që e mbajnë të lidhur dheun. Ne shumë veprime i dijmë si të dëmshme por i veprojmë!

Pastaj, legalizimin dhe veprimin tonë jo njerëzor e gjerjmë të përkrahur dhe të institucionalizuar nga pushtetet tona qoftë në nivel qendror qoftë në atë lokal! Veç kësaj ky legalizim përcillet edhe me premtime që sforcohen me veprimet tona jonormale dhe, tevona, kur të na gjejë e liga – Zot na shpëto!!!

Me dhjetra herë i kemi dëgjuar përgjatë fushatave të ndryshme premtimet e zgjërimit dhe ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve! Me dhgjetra herë kemi dëgjuar programe dhe projekte partiake për zgjërimin e shtratit të lumenjve si dhe për futjen e tyre në koritë! Me dhjetra herë kemi dëgjuar gënjeshtra e krekosje bajate se është bërë pastrami i shtratit të lumenjve, se është bërë grumbullimi dhe tërheqja e plehërave! Po sa herë kemi dëgjuar se “sivjet do ta ndërtojmë rrjetin e kanalizimit të ujërave atmosferikë”…

Natyrisht, meqë këto janë të kushtueshme, duhet derdhur lekë, atëherë, krejt kjo energji pozitive kanalizohet në drejtim të projekteve që gjenerojnë lekë të pista, korrupsion dhe degradim moral e shoqëror. Lejojmë dhe kontribuojmë në ngritje dhe hapje të kazionove në çdo lagje, për shembull, të Tetovës. Mbase dikush ëndërron t’ia japë Tetovës pamjen e Las Vegasit! Nuk ka qytet në Maqedoni me më shumë bastore se sa Tetova. Nuk ka qytet në Maqedoni me infrastrukturë më të dobët se sa Tetova, me problem me ujë të pijshëm, papunësi e madhe. Ç’i mbetet tjetër këtij qyteti përveç ta zgjërojë veporimtarinë e paligjshme dhe tepër të dëmshme për një shoqëri normale, siç janë: alkoli, striptiz-baret, kamata, arsimim të diskutueshëm etj!

Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s. në një hadith thotë:  “Në parim, Allahu nuk e dënon një popull, për shkak të veprës së keqe të personit të veçantë. Mirëpo, nëse shumica kanë mundësi që ta ndryshojnë gjendjen, duke e penguar të keqen, por nuk ndërmarrin asgjë, atëherë, Allahu e lejon shkatërrimin e të gjithëve, pa dallim.” 

Tetovarët këtë tragjedi natyrore kësaj radhe duhet ta kuptojnë si tallje e pushtetarëve tanë me forcën dhe fuqinë e Krijuesit tonë, duhet ta kuptojnë si refuzim të Porosivë të Shenjta në funksion të lulëzimit të gënjeshtrave të tyre. 

Kanalizimet atmosferike dhe fekale, pastrami i lumenjve, ngritja e koritave, ngritja e bordureve përreth dherave të rrëshqitshme etj, janë vetëm disa masa preventive të cilat i kërkohen njeriut, pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo është punë nga e cila do të ndahej i kënaqur edhe vetë Krijuesi ynë dhe jo ta bjerrim kohën me vepra e në veprime të cilat, në çastet e fenomeneve natyrore, na kushtojnë me jetë. 

Vërshima e fundit në Tetovë, mori me vete edhe disa jetëra të pafajshme. Zoti i shpërbleftë me xhenet, Zoti ua shtoftë durimin familjarëve të tyre, ndërsa shoqërisë shqiptare ua ngacmoftë ndërgjegjësimin. Amin!

 
Opinionet e artikullshkruesve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e redaksisë.