Të paktën dhjetë mijë fëmijë refugjatë, të cilët nuk ishin të shoqëruar nga prindërit e tyre janë zhdukur pasi që kanë arritur në Evropë, kumtoi sot agjencia policore evropiane Europol.
Ekzistojnë dyshime se një numër i madh i tyre kanë rënë në duart e grupeve kriminele të organizuara për tregti me njerëz”, shkruan gazeta britanike “Gardian”.
Drejtori i Europolit, Brajan Donald deklaroi se mijëra refugjatë minorenë janë zhdukur, pasi që janë regjistruar nga autoritetet shtetërore.
“Vetëm në Itali janë zhdukur pesë mijë fëmijë, derisa në Suedi mijëra fëmijë udhëhiqen si të zhdukur”, theksoi Donald dhe paralajmëroi se infrastruktura kriminele evropiane e sofistikuar tani vëmendjen e saj e ka te refugjatët.
“Nuk është e tepruar të thuhet se për momentin hetojmë pas më shumë se dhjetë mijë fëmijëve. Të gjithë ato nuk do të shfrytëzohen për krim, disa prej tyre ndoshta janë dorëzuar te anëtarët e familjeve të tyre. Por ne nuk e dijmë se ku janë ato, çka bëjnë dhe me kë janë”, theksoi drejtori i Europol.
Në Bashkimin Evropian vitin e kaluar kanë hyrë 26 mijë fëmijë pa shoqërimin e prindërve.
Europol, e cila ka më shumë se 900 analistë vëzhgues dhe nëpunës policorë, beson se minorenët janë rreth 27 për qind prej reth një milionë refugjatësh, aq sa kanë arritur vitin e kaluar në BE.