Ne jemi ajo çka votojmë

Ekzaminimi i impulseve tanë biologjikë mund të ndihmojë për të shpjeguar joshjen prej politikave populiste
 
John Hibbing
 
Kevin Smith
 
Këto kohë, lëvizjet populiste janë të kudogjendura, në të majtë e në të djathtë të politikës. Megjithatë, shumë vëzhgues duket se refuzojnë ta pranojnë forcën dhe kokëfortësinë e këtij fenomeni dhe në vend që ta shpjegojnë, thjeshtë e injorojnë si një manipulim të papërgjegjshëm të masave.
 
Në të njëjtën kohë, studiuesit po përdorin biologjinë për të kuptuar sjelljet politike, kryesisht ndarjen mes liberalëve dhe konservatorëve. A mund të na ndihmojë kjo qasje për të shpjeguar joshjen prej populizmit?
 
Populistët karakterizohen jo vetëm prej faktit që mbështesin interesat e njerëzve të zakonshëm, por edhe prej kryqëzatave të tyre shpesh herë zemërake, kundër njësive politike apo ekonomike që shihen si armiqësore dhe kërcënuese ndaj këtyre interesave. Këto mund të jenë të jashtme: Bashkimi Europian është i tillë për partinë radikale Syriza në Greqi, ashtu si dhe për partinë e djathtë UKIP në Mbretërinë e Bashkuar. Mund të jenë të brendshme: korporata elitare dhe një qeveri e shkëputur nga realiteti kanë qenë forcat shtytëse të Tea Party dhe Occupy në SHBA. Forca të ngjashme janë në veprim në Spanjë, ku partia e majtë Podemos ka marrë shumë vrull.
 
Katalizatori më i fuqishëm populist është imigrimi. SIstemet politikë në të gjithë Europën kanë të paktën një parti të djathtë politike që nuk mbështet, apo shpreh kundërshtime të fortë ndaj imigrantëve. Nuk është e pazakontë që këto parti të marrin 10 deri 15% të votave, ndonjëherë më shumë. Në janar, sondazhet tregonin se Fronti Nacional i Maine Le Pennit, ishte partia më popullore në Francë.
 
Studimet e kryer gjatë viteve të fundit, duke përdorur informacionin mbi strukturën e trurit dhe funksionimin e skanerëve MRI, reagimeve fiziologjikë, gjurmuesve të syve dhe gjenetikës së sjelljes, tregojnë se orientimet politikë individualë janë thellësisht të lidhur me forcat biologjike, të cilat janë zakonisht përtej kontrollit personal. Pavarësisht mosbesimit në fillim – njerëzit pëlqejnë të besojnë se opinionet politikë janë reagime racionalë ndaj ngjarjeve të forta – provat që preferencat politike janë të lidhura me sisteme që, shpesh herë përfshijnë procese të të pandërgjegjshmes, sa vijnë e po shtohen. Një përmbledhje e thjeshtëzuar, por gjithësesi e dobishme e këtij kërkimi, është se emocionet njerëzore e kanë bazën në biologjinë, dhe politika e ka bazën në emocionet.
 
Kur vjen fjala tek biologjia dhe populizmi, ia vlen të bëhen dy pyetje: së pari, përse joshja prej partive populiste rritet dhe zbret me kalimin e kohës – më shumë se për pjesën dërrmuese të partive të tjera – dhe së dyti, përse joshja është shumë më e madhe mes disa njerëzve, se sa disa të tjerëve?
 
Biologjia ka pak për të thënë për pyetjen e parë. Ndonëse ndryshimet mjedisorë, si konfliktet, munden dhe në fakt i ndryshojnë prirjet individuale biologjike, duken të pagjasë ndryshimet e menjëhershëm të prirjeve biologjike që janë aq të fortë sa të ndryshojnë fatet elektoralë të partive politike në shumë shoqëri.
 
Interesant është fakti që shpjegimet jobiologjikë, mjedisorë, nuk ofrojnë përgjigje shumë më të mira. Besimi i përhapur është se populizmi rritet kur ka probleme ekonomike ose tragjedi.
 
Sa për pyetjen përse joshja prej populizmit ndryshon nga një njeri tek tjetri, shumëkush e sheh populizmin si një simptomë të zemërimit të klasës punëtore, në një botë ku forcat e jashtme kërcënojnë në mënyrë të shpërpjestuar pikërisht këtë grup. Eshtë një pikëpamje që vihet në dyshim, duke parë që shpesh herë mbështetja vjen prej atyre që nuk janë shumë poshtë në statusin social-ekonomi – mendoni UKIP dhe Tea Party. Pikërisht në këtë variacion individual, literatura biopolitike ofron një shpjegim më të pranueshëm.
 
Qeniet njerëzore kanë një anim të fuqishëm për nga negativiteti; ne, në mënyrë të pandërgjegjshme, reagojmë më shumë dhe i kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve negative, se sa atyre pozitive. Kjo ka kuptim. Situatat negative mund të kenë pasoja të rënda sa i përket mbijetesës, kështu që organizmat e suksesshëm duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj stimujve të tillë. Dihet mirë gjithashtu se individët reagojnë në shkallë të ndryshme ndaj stimujve negativë.
 
Psikologjikisht, disa reagojnë pothuajse aq fort ndaj stimujve pozitivë, sa edhe atyre negativë; të tjerë shumë më fortë ndaj stimujve negativë. Puna në laboratorin tonë dhe në shumë të tjerë tregon se, pasi ke llogaritur statusin social-ekonomik, njerëzit që janë më reagues dhe i kushtojnë më shumë burime konjitivë stimujve negativë, favorizojnë ato politika që mund të shihen si mbrojtëse (proteksioniste).
 
Ata që kanë një anim të fortë nga negativiteti ka më shumë gjasa të jenë dyshues ndaj qasjeve të reja dhe njerëzve të ndryshëm. Ata preferojnë sigurinë, traditën, dhe sigurinë. Ndoshta për arsye se kanë më shumë njohje për rreziqet potencialë, ata janë të tërhequr prej politikave që besojnë se do të kufizojnë dobësinë e tyre – qoftë kur rreziku i perceptuar vjen prej grupeve të jashtëm, patogjenë, apo dicka që shkel normat e tyre të grupit. Përballë rreziqeve të perceptuar, ata kërkojnë sigurinë brenda grupit. Variacionet në animin biologjik drejt negativitetit duket se parashikojnë edhe sjelljen ndaj imigrimit dhe rreziqeve të tjerë të perceptuar – cështje këto që janë zakonisht në qendër të lëvizjeve populiste.
 
Shpjegimet për joshjen prej partive populiste janë padyshim më kompleksë se sa ndjeshmëritë biologjike ndaj animit për nga negativiteti. Megjithatë, biologjia sugjeron se do të ishte gabim që të injoronim populizmin dhe joshjen prej tij, si dicka që mund ta përballojmë kollaj dhe të konkludojmë se udhëheqësit populistë krijojnë, dhe nuk kapitalizojnë, mbi impulset organikë populistë.
 
Prirjet biologjike që forcojnë populizmin nuk janë aspak të pandryshueshme. Në të njëjtën kohë, ato duken më të vështira për t’u ndryshuar se sa beson shumëkush; një prirje e fortë për nga negativiteti është zakonisht e ngulitur thellë. Mbështetja për partitë populiste do të vazhdojë të rritet e të bjerë – por mekanizmat individualë biologjikë që u japin fuqi nevojave populiste do t’i kemi gjatë mes nesh. /N.S./
 
John Hibbing dhe Kevin Smith janë profesorë të shkencave politike në Universitetin e Nebraskës dhe autorë të: “Liberalët, konservatorët dhe biologjia e dallimeve politikë”
 
www.bota.al
Artikulli paraprakZgjimi i “Shtëpisë së Saudëve”
Artikulli vijuesHistorianët e Deçanit: Të rishikohen listat e veteranëve të Dukagjinit