Në Kinë duan mësues meshkuj, që djemtë t’i bëjnë burra

Shteti i madh aziatik ka 15 milionë mësues dhe 270 milionë nxënës nga kopshti deri në klasën e 12-të. Nga 5 pozicione si mësues në zonat urbane, 4 mbahen nga femrat, tregon një studim i vitit 2012 nga Universiteti Normal i Pekinit.
Klasa e historisë nis me një leksion se si të jesh burrë. Lin Wei, 27 vjeç, një nga mësuesit e paktë meshkuj në një shkollë 9-vjeçare, e ka bërë të zakonshëm rrëfimin e historive të kapedanëve që hodhën shtrigat në lumë dhe ushtarëve që me zgjuarsi mposhtën trupat japonezë. “Burrat kanë detyra të vështira. Ata duhet të jenë të zotë, të mbrojnë gratë dhe të mbajnë përgjegjësitë kur gabojnë”, thotë ai.

Edukatorët kinezë, të shqetësuar se mungesa e mësuesve meshkuj ka prodhuar një brez djemsh të turpshëm, individualistë dhe të feminizuar, tani po punojnë që të forcojnë rolet tradicionale të gjinive dhe vlerat që mbartin në klasë.

Në Zhengzhou, një qytet në Lumin e Verdhë, shumë shkolla u kanë kërkuar djemve që të zotohen se do të sillen si burra të vërtetë. Në Shangai, shkollat 9-vjeçare kanë ndërtuar klasa vetëm me djem. Aty nxënësit ushtrohen në artet marciale, riparimin e kompjuterëve dhe fizikë. Kurse në Hangzhou, në Kinën Lindore, edukatorët kanë organizuar një kamp veror që e quajnë “Djemtë e pikës perëndimore”, ku mësohet taekuondo nën moton “Ne nxjerrim burrërinë te djemtë”.

Punonjësit e Ministrisë së Edukimit anembanë Kinës kërkojnë me ngulm mësues meshkuj, ndërsa media ka dhënë alarmin që të shpëtohet burrëria nëpër shkolla. Por thirrja për më shumë arsimtarë meshkuj ka nxitur një debat për barazinë gjinore dhe identitetin social në një kohë kur udhëheqësit e vendit synim kryesor kanë që ta bëjnë tregun e punës më meritokratik.

Por djemtë ndiejnë një presion të madh në shtetin e madh aziatik. Ndërsa ata tejkalojnë në numër vajzat, si pasojë e preferencës së familjeve kineze, përgjithësisht janë më pak të përgatitur akademikisht. Të shumtë janë prindërit që shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve në këtë ekonomi të paqëndrueshme e për këtë arsye, ata përpiqen që t’u mësojnë modelin e “burrit të shtëpisë”, të sigurt, kurajoz dhe sakrifikues.

Perceptimi se mësueset e shumta kanë ndikuar negativisht te djemtë ka sjellë përplasje. Prindërit kanë akuzuar shkollat se kanë mësuar koncepte të ngurta të burrërisë, kurse mësueset akuzojnë se ky është diskriminim gjinor.

Në Fuzhou, një qytet prej 2 milionë banorësh, kolegjet dhe universitetet po kritikohen shumë, sepse kanë ulur kërkesat pranuese për meshkujt dhe u kanë ofruar bursa të plota dhe punë si arsimtare djemve të rinj.

Xue Rongfang, një studente në “Universitetin Normal të Fujian-it”, pyet se përse edhe femrat nuk duhet të përfitojnë njësoj kur bëhet fjalë për profesione të konsideruara përgjithësisht mashkullore. “Nëse gratë studiojnë arkitekturë, a nuk duhet që qeveria t’u ofrojë gjithashtu shkollim falas? Përse burrat duhet të kenë të tilla benefite?”. Mësueset thonë se ato arrijnë të edukojnë më mirë fëmijët. “Ne e kemi të lindur ndjesinë se për çfarë kanë nevojë fëmijët. Nuk është përgjegjësi e mësuesve t’i mësojnë djemtë për sjellje mashkullore, por e prindërve”, tha Li Yue, 36-vjeçarja që punon edukatore në kopsht. Por zyrtarët e Ministrisë së Edukimit në Kinë thonë se arsimimi është bërë monopol i femrave. Nga 5 pozicione si mësues në zonat urbane, 4 janë të zëna nga femrat, tregon një studim i vitit 2012 nga “Universiteti Normal i Pekinit”. Shteti i madh aziatik ka 15 milionë mësues dhe 270 milionë nxënës nga kopshti deri në klasën e 12-të.

Për zyrtarët kinezë, dështimi i djemve ka ardhur, sepse ata nuk kanë role mashkullore për të ndjekur. Që në klasë të tretë vihen re pabarazitë mes gjinive, ku janë femrat ato që shkëlqejnë.

Në vitet e fundit, zyrtarët e edukimit kanë krijuar politika stimuluese për mësuesit meshkuj në Fujian, Guangxi dhe Jiangsu duke argumentuar se burrat sjellin energji që bën për vete djemtë.

Prapë nuk është e qartë nëse fëmijët përfitojnë nëse edukohen nga mësues të të njëjtit seks. Një studim i 2008-s në Britani me 9 mijë nxënës të moshës 11-vjeçare nuk gjeti asnjë lidhje mes rezultateve të larta të djemve të edukuar nga mësues.

Sun Yunxiao, kërkues në qendrën e kërkimeve për fëmijët dhe të rinjtë e Kinës dhe autor i librit “Shpëtoni djemtë” tha se nxënësit ishin shumë larg modelit të mashkullit normal, përfshirë edhe baballarët e tyre. “Fëmijët kanë nevojë si për mësuese, ashtu edhe për mësues”, tha ai. Një pengesë e madhe për të afruar meshkujt në mësimdhënie janë rrogat e ulëta si kudo nëpër botë.

Në 2013, paga mesatare e një mësuesi në shkollat publike ishte rreth 17 mijë dollarë.

Në provincën Fujian, zyrtarët e edukimit shpresojnë të rekrutojnë mijëra mësues në vit, sidomos nëpër kopshte, ku mungesat janë të mëdha. Nga 1 milion edukatorë, vetëm 60 mijë janë meshkuj, pra vetëm 6%. Edukatorët meshkuj ankohen se ata ndihen të vetmuar dhe të parespektuar.

“Universitetit Normal i Fujian-it” vjeshtën e shkuar krijoi kursin e parë të mësimdhënies me studentë vetëm meshkuj, falas. Çdo ditë ata studiojnë deri në 12 orë dhe mësohen nga profesoresha, të cilat u tregojnë për gjuhën e trupit dhe se si të tregojë ndjeshmëri për nxënësit e tyre.

Prapë, studentët ankohen se meshkujt konsiderohen si jo të besueshëm, madje edhe ngacmohen nga shokët apo familje për zgjedhjen e bërë.

Mësuesi Lin në klasën e tij në Fuzhou, ndien përgjegjësi që nxënësit e tij t’i mësojë të jenë trima. Në leksionet që mban, tregon për përpjekjet e burrave që ngritën Murin e madh Kinez. Por ai nuk harron që të edukojë djemtë që të tregohen kavalierë dhe t’u kërkojnë falje vajzave kur zihen. Në të njëjtën filozofi, zyrtarët dhe prindërit mendojnë se djemtë e tyre do të shndërrohen në burra të vërtetë kinezë.

Burimi: New York Times

Artikulli paraprakArsyet se përse teknologjia është armik i fëmijëve
Artikulli vijuesMilenko Nedellkovski: Le të vendoset edhe një kryq i madh, le të çmendet “plemja” (shqiptarët)