Forumi Rinor Islam në Kumanovë mbrëmë mbajti manifestimin qendror të fushatës “Ta njohim Muhamedin (alejhi selam)!”.
Manifestimi filloi me lexim të ajeteve kuranore nga Musli Musliu. Vazhdoi pastaj me fjalë rasti nga kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani. Gjithashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i FRI-së, Dega Kumanovë, Liridon Ismaili, i cili pos që përshëndeti të pranishmit edhe i falenderoi për praninë e tyre.
Programi vazhdoi me hoxhallarët Fevzi Musli nga Shkupi dhe Qamil Rushiti nga Kërçova, të cilët folën për jetën e Muhamedit (alejhi selam).
Pjesa artistike e programit u mbush me dy ilahi interpretuar nga Musli Musliu dhe një ilahi interpretuar nga Avni Nebiu. Poashtu, aktori Arsim Fazliu interpretoi dy monologje, “Bëhu i mirë”, shkruar nga Arsim Jonuzi dhe “Vdis para se të vdesësh”, shkruar nga Fatmir Muja.
Në fund u bë edhe ndarja e çmimit “Hafiz Refik Ajeti”, të cilin Forumi Rinor Islam e ndan për të pestën herë me radhë, për të dekoruar personalitete për arritje të ndryshme shkencore, humane dhe për kontribute tjera në shoqëri. Sivjet, çmimi iu nda hafizes dhe veprimtares Xhejlane Nexhipi, për kontributin e dhënë në lëmin e të mësuarit të Kuranit. Fituesja e këtij çmimi pati fjalë rasti.
Përndryshe fushata “Ta njohim Muhamedin a.s.” ka vazhduar me shume aktivitete të organizuara nga degët ku vepron FRI-ja me ligjërata rreth jetës së Muhamedit (alejhi selam) si dhe Sektori Femrës me vizitat në shtëpitë e jetimëve dhe mbrëmjet studentore.