Nga Marwan BISHARA: Mos e ndani Sirinë, ajo nuk është Ballkani!

0
476

Thirrjet për ndarjen e Sirisë janë dritëshkurtësi dhe papërgjegjësi.

Është tmerrësisht e bezdisshme – për të mos thënë e neveritshme – të lexosh “ekspertët” perëndimorë teksa e paraqesin ndarjen e Sirisë si zgjidhjen “më të mirë”, “më të logjikshme”, e madje, si të “vetmen” zgjidhje për luftën civile atje.

Mbaj mend kur para nja dy vjetësh një akademik vizatoi një vijë të drejtë në hartën e Sirisë në CNN dhe, së bashku me prezantuesin, ranë dakord për ndarjen e Sirisë. Në rregull, ai djali me siguri ka qenë në Siri – ndoshta, në një farë mënyre, e ndjeu veten si kompetent për të dhënë një opinion për këtë çështje.

Po ata persona që kurrë nuk kanë qenë në Siri, e megjithatë mezi presin për të përshkruar ndarjen e vendit? Tashmë, jo vetëm më një vijë të drejtë, por me shumë vija të ngjashme ma djathin zviceran.

Problemi me tezën e tyre nuk është se ndarja në vetvete është blasfemi, e pamendueshme apo e pamundur. Por fakti se nuk u bën fare përshtypje uniteti apo ndarja e një kombi tjetër dhe as se kujt i shërben më shumë kjo analizë.

Nuk e di nëse e keni vënë re apo jo, por pompoziteti për të ardhmen e Sirisë vjen në radhë të parë nga perandori të tanishme ose të kaluara, qoftë nga Uashingtoni, Nju Jorku, Londra, Parisi apo Moska.

Madje, edhe jo-perëndimorët fillojnë të ndihen imperialiste sapo fillojnë të mësojnë, shkruajnë apo të banojnë në kryeqytetet perëndimore. Sa keq!

Nuk e dëgjojmë të njëjtën gjuhë bombastike për ndarjen e një vendi tjetër të vijë nga Xhakarta, Delhi apo Brazilia (kryeqyteti i Brazilit, shënim i përkthyesit).

Kanë kaluar rreth një qind vjet që kur mëkati fillestar i ndarjes së Lindjes së Mesme iu imponua rajonit nga jashtë. E nuk duket se ka ndonjë ndryshim në horizont. Me sa duket, zgjidhja e një ndarjeje të keqe është një ndarje tjetër. Nëse ndarja nuk funksionon, do të bëhen ndarje të tjera.

Kam një lajm për ju analistë: Siria nuk është Ballkani  dhe Lindja e Mesme nuk është Europë.Jo për të thënë se ndarja e ish-Jugosllavisë ishte ideale. Pa Bashkimin Europian, koha do ta tregojë se është e kundërta.

Për këtë arsye, ndarja e Sirisë sipas vijave etnike dhe fetare do të krijojë më shumë – jo më pak- konflikt dhe dhunë.

Trajtimi i Sirisë, Irakut, Jemenit dhe vendeve të tjera arabe sikur ish-Jugosllavinë (e cila u nda në shtatë shtete) do të prodhojë me dhjetëra mini-shtete me konflikte të tjera më delikate.

Por, nuk është kjo ajo ku dua të dal.

Këtu është me rëndësi të madhe fakti se është regjimi sirian (dhe ISIS-i) ai që është i zënë me ribërjen dhe ndarjen e vendin me anë të gjakderdhjes dhe spastrimit etnik në vija sektare dhe/ose vijave mbrojtëse.

Në fakt, kjo ka të paktën dy ose tre vjet që vazhdon me ndihmën e Iranit dhe Hezbollahut dhe do të vazhdojë kështu edhe për disa vite nëse regjimi i Assadit ia del. Edhe marrëveshjet e fundit të armëpushimit kanë çuar në një farë spastrimi etnik në vende ku regjimi kishte rënë dakord për të ndalur armiqësitë.

Me fjalë të tjera, këta ekspertë të ndritur mundohen ta racionalizojnë me anë të fjalëve atë që Bashar al-Assadi dhe ISIS-i po e bëjnë me anë të dhunës; diçka që vështirë ka të bëjë me rolin e një akademiku apo gazetari.

Alternativa për politikat e dështuara imperialiste në Siri nuk duhet e as nuk mund të jetë ndarja.

Koalicioni më i madh i opozitës siriane është akoma i bashkuar dhe i angazhuar në bashkimin e Sirisë, ashtu siç duhet të jetë.

Përktheu: Enes Neza – /tesheshi.com/