Në prag të Bajramit – Akt fisnik, familja Musliu fal gjakun e birit të vrarë

“Mjaft vëllavrasjeve”, me këto fjalë familja Musliu nga Struga ka falur gjakun e birit të tyre të vrarë Artan Musliu më 25 korrik të këtij viti”.

Dje, përmes një informimi për media familja Kupa ka kërkuar falje publike deri tek familja Musliu për vrasjen aksidentale nga ana e djalit të tyre që ndodhi kohë më parë në Strugë.

“Miq të nderuar, unë Bajram Kupa i kërkoj falje publike familjes Musliu për vrasjen aksidentale nga ana e djalit tonë”, u tha në njoftimin publik të kësaj familje.

Bajram Kupa nga Veleshta kishte pranuar se djali i tij Avdulla Kupa kishte vrarë Argëtim Asanin (ndryshe i njohur edhe me emrin Artan Musliu) në Strugë, për të nxjerrë hak për djalin e tyre që ishte zhdukur dhe u gjet i vrarë disa muaj më parë në periferi të Strugës.

Pa kaluar 24 orë, familja Kupa ka marrë përgjigen e familjes Musliu.

“Miq të nderuar, pendesën e Bajram Kupes nga fshati Veleshte për vrasjen e djalit tonë-Artan Musliu-më 25 korrik të këtij viti, e pranojmë si akt moral të një viktime të manipuluar nga njerëz të lidhur me pushtetin,të cilët vrasin e hasmërojnë shqiptarët këtu e shekuj të shkuar,për të sunduar mbi ta më lehtë.Këti akti njerëzor vendosëm t’i përgjigjemi me shtrirjen e dorës së pajtimit.Vendosëm t’i ndalim gjakderdhjet ndër shqiptare ngaqë nuk gjindet zgjidhje tjetër,ngaqë nuk na lejon ndërgjegjia kombëtare të hapim rishtas varre shqiptarësh.Me shembullin tonë duam të bëjmë edhe një apel publik e vëllazëror: Thoni MJAFT vëllavrasjeve”, thuhet në apelin publik të familjes Musliu”, transmeton Zhurnal.

Ky moment i dy familjeve bujare strugane, shqiptarët i kthen pas në një moment të rëndësishëm historik, misionin e madh të Pajtimit të Gjaqeve. Viti 1990 padyshim ishte viti më i organizuari dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

“Të nderuar Familjare ! Edhe pse nuk njihemi nga afër, ne ndajmë dhimbjen me Ju për rastin por njëherësh shprehim mirënjohje të madhe për aktin sa fisnik dhe po aq burrëror, sa fetar dhe po aq kombëtar, sa human dhe po aq vëllazëror. Ky lajm i gëzueshëm na rrëqethi trupin. Zoti ju bekoftë. Mjafte vëllavrasjes”, u shpreh veprimtari Luan Veliu, ish anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në Gostivar.

Artikulli paraprakVIDEO – Një dit para Bajramit Inagurohet Xhamia e Madhe në Qendër të Moskës.
Artikulli vijuesNesër është festa e Kurban Bajramit