TIKA e Turqisë investon rreth dy milionë euro për shërimin intensiv në Kosovë

Ministri Rrahmani falënderoi përfaqësuesit e TIKA-s për bashkëpunimin e mirë dhe gatishmërinë për të mbështetur këtë lloj të shërbimit shëndetësor në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe Zëvendësministri Izet Sadiku, pritën sot në takim nënkryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), dr. Ali Maskan dhe Shefin e Zyrës së TIKA-s në Kosovë, Eyup Yavuz Umutlu, me të cilët biseduan për bashkëpunimin në shëndetësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë takim është biseduar për nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit në mes të Ministrisë kosovare të Shëndetësisë dhe TIKA-s, përmes të cilit, agjencia  turke do të investojë në ngritjen e mjekimit të ri intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një projekt që pritet të kushtojë rreth 2 milionë euro.

Ministri Rrahmani falënderoi përfaqësuesit e TIKA-s për bashkëpunimin e mirë dhe gatishmërinë për të mbështetur këtë lloj të shërbimit shëndetësor në Kosovë, duke ditur nevojat që sot mjekimi intensiv i ka në Kosovë.

Ai ndërkohë theksoi kontributin e deritanishëm të Republikës së Turqisë në shëndetësinë kosovare, përmes trajtimit falas të një numri të madh të pacientëve kosovarë në Turqi, programeve të edukimit të vazhduar për profesionistët nga Kosova dhe projekteve konkrete për ngritjen e kapaciteteve shëndetësore në Kosovë.

Nga ana e tij, nënkryetari i TIKA-s, Dr. Maskan, tha se agjencia që ai përfaqëson, por edhe vet shteti turk, është i interesuar që ta ndihmojë sektorin shëndetësor dhe atë të edukimit në Kosovë, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore në Kosovë, dhe duke reduktuar kështu nevojën që pacientët kosovarë të kërkojnë shërbime shëndetësore jashtë vendit të tyre.

Ai tha se TIKA ka arritur në një fazë të avancuar të projektit për mjekimin intensiv në QKUK dhe sapo të nënshkruhet Memorandumi i mirëkuptimit me Ministrinë e Shëndetësisë, do të kalohet në një fazë tjetër që ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanisë që do t’i kryejë punimet dhe zhvillojë të gjitha procedurat e tjera që projekti të përfundojë më sukses.

Krejt realizimi i projektit pritet të përfundojë për një periudhë dy vjeçare.

Nga ana e tij, ministri Rrahmani, e siguroi përfaqësuesin e TIKA-s se Ministria e Shëndetësisë ka krijuar mundësi të barabarta ligjore për të gjithë të interesuarit që të kontribojnë në shëndetësi, ndërsa kriter themelor për të përcaktuar bashkëpunimin do të jetë cilësia e shërbimeve shëndetësore.

Artikulli paraprakArrestohen nënë e bijë për vrasjen e hudhjen e foshnjes në mbeturina në Mitrovicë
Artikulli vijuesMehmet Görmez riemërohet në krye të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë