Në nga viti 2000, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në hapësirat ku jetojnë serbët në Kosovë, në plan-programet mësimore, të cilat zhvillohen sipas sistemit të arsimit të Serbisë, mësohet edhe lënda e mësim besimit, si lëndë zgjedhore e obligueshme.
Këtë e konfirmojnë përfaqësuesit e institucioneve paralele të arsimit të Serbisë në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Kishës ortodokse serbe në Kosovë, transmeton rel.
Predrag Stojçetoviq, shefi i të ashtuquajturës Administratë shkollore i Ministrisë së Arsimit të Serbisë në Kosovë, strukturë kjo paralele, thotë për Radion Evropa e Lirë se lënda e mësim besimit në shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit e komunitetit serb në Kosovë, është njëra nga dy lëndët zgjedhore të obligueshme, të cilën e vijojnë shumica e nxënësve serbë.
“Të dhënat flasin se më shuam se 70 për qind e nxënësve është përcaktuar për lëndën e mësim besimit. Në po flasim për shkollat tona, këtu në Kosovë. Mësimdhënësit për lëndën e mësim besimit i cakton bashkësia fetare. Peshkopata e Rashkës dhe Prizrenit e ka caktuar një person të veçantë, i cili e mbikëqyrë punën e mësimdhënësve të mësim besimit”, ka thënë Stojçetoviq.
Igumeni Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se shumica e nxënësve serbë në Kosovë, të cilët po ashtu vijojnë mësimin në gjuhën serbe sipas sistemit të arsimit të Serbisë, janë të besimit ortodoks.
Lëndën e mësim besimit, sipas tij, e ligjërojnë personat e kualifikuar ose të aftësuar për këtë lëndë mësimore.
“Shumica e tyre janë klerikë, por kemi edhe përfaqësues civil, gjegjësisht, qytetarë që janë aftësuar si mësues të mësim besimit, të cilët kanë kaluar kurset e caktuara te kisha dhe që mund ta ligjërojnë këtë lëndë”, thotë igumeni Janjiq.
Në anën tjetër, plan programet mësimore sipas sistemit të arsimit të Republikës së Kosovës, nuk e përfshijnë lëndën e mësim besimit.
Zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë i Qeverisë së Kosovës, Usmen Baldzhi, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë në dijeni për faktin se lënda e mësim besimit mësohet nga nxënësit serbë.
Por, sipas tij, për arsimimin e nxënësve serbë në Kosovë edhe më tutje zbatohet plan programi arsimor i Serbisë, për faktin se bashkësia serbe edhe më tej po refuzon që të integrohet në sistemin arsimor të Kosovës dhe sipas plan-programeve mësimore të këtij sistemi.
“Pavarësisht nga kjo dhe për më tepër, bashkësia serbe në Kosovë, e cila ndjek mësimet në gjuhën serbe, merr pagat e dyfishta. Merr paga nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga buxheti i Republikës së Serbisë. Kjo është mjaft publike në Kosovë dhe të gjithë ne e dimë mirë këtë”.
“Marrë parasysh që plan-programi i Serbisë i parasheh si lëndë zgjedhore mësim besimin ose edukatën qytetare, ata që e ligjërojnë lëndën e mësim besimit i paguan vetëm Ministria e Arsimit të Serbisë dhe jo Ministria e Arsimit e republikës së Kosovës. Kjo për shkakun se në Kosovë, me kurrikulë nuk është e paraparë mësim besimi si lëndë”, tha Baldzhi.
Se mësimdhënësit e lëndës së mësim besimit paguhen vetëm nga buxheti i Serbisë, këtë e konfirmon edhe Stojçetoviq.
“Pagat i marrin nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, por Peshkopata, gjegjësisht sektori për mësim besim pranë Ministrisë së Arsimit, i cakton personat që plotësojnë kushtet për ligjërimin e kësaj lënde”, ka thënë Stojçetoviq.
Zëvendësministri Baldzhi thotë se arsimimin në Kosovë e ndajnë të gjitha bashkësitë etnike , përveç asaj serbe, të cilën, sipas tij, Ministria e Arsimit e Serbisë, dhe vet shteti Serb, po e mban peng në procesin e arsimit, e urdhëron dhe e kushtëzon.
Por, pse Ministria e Arsimit e Kosovës i paguan nga buxheti i saj, punëtorët serbë të arsimit, të cilët punojnë sipas një sistemi paralele dhe refuzojnë të punojnë sipas plan programeve të sistemit të arsimit të Kosovës?
“Ne duhet ta bëjmë këtë, si shtet i ri, si shoqëri e re, që të kërkojmë modalitete që ta integrojmë atë bashkësi, që të mendojnë pozitivisht. Ne nuk mund t’i kthehemi të kaluarës. Ne, si ministri, nuk e mbajmë qëndrimin hakmarrës , ashtu sikurse është bërë dikur, në të kaluarën, ndaj shumicës shqiptare dhe bashkësive tjera në Kosovë. Ne dëshirojmë integrimin dhe me bisedime dhe negociata t’i bindim që më së miri për serbët është që të integrohen në sistemin arsimor të Kosovës”, tha zëvendësministri Baldzhi.
Ai ka shtuar se si shenjë e vullnetit të mirë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për integrimin e bashkësisë serbe, shkollave ku mësojnë nxënësit serbë, përveç pagave për mësimdhënësit nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Kosovës, institucionet lokale ua sigurojnë edhe lëndën djegëse, shpenzimet materiale, energjinë elektrike dhe të gjitha shpenzimet për infrastrukturë.
Para dy viteve ishte bërë debat i madh në Kosovë për futjen e lëndës fetare në shkollat të nxënësëve shqiptar të Kosovës, ku ishte kundërshtuar ashpër nga deputetët e Kosovës.