Gjatë ditës së djeshme një qytetar nga qyteti i Pejës është kafshuar nga gjarpri dhe trajtimin me serumin kundër helmimit nga gjarprit pacienti e ka marr pas gjashtë orë pritjeje, kjo pasi në Spitalin e Pejës nuk ka pas serum kundër helmimit.
Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin e spitalit rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, i cila tha se rasti është trajtuar gjatë pasdites së djeshme në urgjencë.
Ai tha se ka mungesë të barnave, ndërsa mungesa e serumit është problem gati që një muaj.
Por Dreshaj tha se lidhur me këtë rast janë detyruar që serumin ta marrin nga barnatorja qendrore në Prishtinë dhe sipas tij trajtimi është bërë pas dy ore, e jo pas gjashtë ore.
Drejtori i spitalit rajonal të Pejës tha se rastet e kafshimit nga gjarpri i kanë të shpeshta pasi i kanë malet afër.
“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me të gjitha spitalet dhe nëse ne nuk kemi atëherë merremi vesh menjëherë me spitalet tjera”, ka thënë ai.
Telegrafi po ashtu kontaktoi me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili tha se ministria ka siguruar serume nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi, e të cilat serume i janë dhënë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse (Infektive).
Sipas tij, kompanitë private nuk kanë interes të fusin në listën e tyre blerjen e këtij serumi pasi nuk ka shumë raste të kafshimit të gjarprit.
“Serumet e siguruara nga Ministria e Shëndetësisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi, i janë dhënë QKUK-së, dhe të gjitha spitalet rajonale janë pjesë e të njëjtit shërbim ku mund t’ua japin nëse e shohin të arsyeshme që ka raste të tilla”, ka thënë Hoti për Telegrafin.
Ndërsa, kryeinfermieri i Klinikës Infektive, Naser Rrustemaj, ka thënë se kanë serume kundër kafshimit të gjarprit, mirëpo pa dhënë detaje shtesë pse spitali rajonal i Pejës ka mungesë të serumit.
Ndryshe, qytetari i cili u kafshua dje nga gjarpri dhe i cili deshi të mbetet anonim falënderoi mjekët e spitalit rajonal të Pejës që reaguan për të siguruar serumin.