Nëntë arsye pse nuk duhet të keni frikë nga udhëtimi me aeroplan!

Keni frikë nga fluturimi? Sa herë që hipni në aeroplan duhet që të kryqëzoni gishtërinjtë? Në të vërtetë, matematika, statistika dhe teknologjia na thonë se, jo vetëm avioni është mjeti më i sigurt i transportit, por edhe se shumë prej frikërave që lidhen me fluturimin, si për shembull ajo e turbulencave, në të vërtetë kanë shumë pak baza. Ja gjërat që duhet të dini për të larguar frikën nga fluturimi.
NË QIEJ NUK JENI TË VETËM
Mesatarisht, çdo ditë fluturojnë 8 milionë njerëz. Në vitin 2014, numri total i pasagjerëve civilë ishte 3.1 miliardë (ose 44% e popullsisë së botës). Gjatë kësaj periudhe ka patur vetëm 81 aksidente dhe 210 të vdekur.
PESHKAQENËT
David Ropeik i Universitetit të Harvardit, në vitin 2006 ka përllogaritur se shanset që të vdesësh në një aksident ajror janë 1 në 11 milionë. Po është më e mundshme të vdesësh nga sulmi i një peshkaqeni (probabiliteti 1 në 3 milionë).
123 MIJË VJET
Por ka nga ata që janë edhe më optimistë: në vitin 2013, Arnold Barnett, profesor i statistikës në MIT të Bostonit ka konkluduar se rreziku i vdekjes për pasagjerët e linjave ajrore civile është 1 në 45 milionë fluturime. Sipas Nju Jork Tajms, një udhëtar mund të fluturojë përditë për 123 mijë vjet dhe të jetë sërish i sigurt.
QIEJT E MBUSHUR
Në botë ka 49871 rrugë ajrore në të cilat kryhen 102465 fluturime përditë. Vetëm fluturimet e tre kompanive kryesore ajrore (Star Alliance, One ëorld, Sky Team) janë 47 777 në ditë.
PUNA
Aviacioni civil punëson më shumë se 57 milionë njerëz dhe kontribuon me 2200 miliardë dollarë në ekonominë globale.
TË SIGURTË NË FLUTURIM
Fluturimi është mjeti i transportit më i sigurt. të dhënat u referohen vetëm SHBA, por janë më se të qarta: aksidentet shkaktojnë 0.06 të vdekur për çdo një mijë fluturime, përcjell bota.al. Autobusët shkaktojnë 0.14, metroja 0.24, trenat 0.47, makinat 5.75 dhe motorët 217.
FRIKË NGA MAKINA?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka patur më shumë se 1.2 milionë të vdekur prej aksidenteve rrugorë në botë në vitin 2010. Rruga është shkaku kryesor i vdekjes për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç. Universiteti i Oxfordit ka përllogaritur se në vitin 2006, anglezët kishin një në 36512 mundësinë që të vdisnin në një aksident automobilistik, dhe një në 3.5 milionë në një aksident ajror.
TURBULENCAT
Kush ka frikë fluturimin, terrorizohet mbi të gjitha prej turbulencave. Është frikë e pabazë. Ekzistojnë tre lloje turbulencash: të lehta, të moderuara dhe të forta. Për pilotët, ajo e lehta nuk është e ndryshme nga një rrugë me gunga të lehta. E moderuara as nuk i tremb: zakonisht zgjat 10-15 minuta dhe nëse vazhdon, piloti mund të zgjedhë të fluturojë në një tjetër lartësi. Turbulenca e fortë është shumë e rrallë: pak minuta në 10 mijë orë fluturim të një piloti. Shkakton parehati, por nuk është e rrezikshme. Avioni mund të devijohet në lartësi deri 30 metra, por aspak si në ato që shihen tek filmat me fatkeqësi në kinema.
DASHURIA FITON
Psikologu dhe ish kapiteni i aviacionit amerikan, Tom Bunn ka vënë në zbatim një program kundër frikës së fluturimit që quhet Soar, dhe bazohet në lëshimin e oksitocinës, i njohur si hormoni i dashurisë. Sipas tij, nëse imagjinojmë, pak a shumë si në një ushtrim, një burim të besueshëm të hormonit të dashurisë, si për shembull një kënaqësie seksuale, fytyrën e partneres etj, oksitocina hyn në lojë dhe amigdala nuk lëshon më hormonin e stresit që është përgjegjës për ankthin e fluturimit. Duhet provuar për ta besuar.

Artikulli paraprakTmerruese: Pronarja e kopshtit rrah keq tre vjeçarin (VIDEO)
Artikulli vijuesVetëvritet një person në Fushë Kosovë