Nëse BE-ja nuk heq vizat në qershor, as Turqia nuk i përmbahet marrëveshjes

Në deklaratat që bëri para nisjes për në Strasburg Kryeministri Ahmet Davutollu tha se në qoftë se BE-ja nuk fillon të zbatojë në qershor liberalizimin e vizave sipas marrëveshjes së arritur atëherë edhe Turqia nuk do të mbajë zotimet që i takojnë.

Para se të nisej për në qytetin Strasburg të Francës, Kryeministri Ahmet Davutollu (Ahmet Davutoğlu) organizoi një konferencë shtypi në aeroportin Esenboga të Ankarasë.

Davutollu pasi rikujtoi se Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) i është drejtuar në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, në periudhën kur Turqia mbante kryesinë e Komitetit të Ministrave të KiE, tha se fjalimi që do të mbajë sot bart një kuptim të veçantë sepse do të përjetojë nderin e qenit Kryeministri i parë i Turqisë që i drejtohet Asamblesë në gjuhën turke.

“Pesha politike e Turqisë në Këshillin e Evropës, një nga institucionet e rëndësishme, ku Turqia bën pjesë si anëtare themeluese, është rritur dhe po ashtu vjen duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë edhe pozicioni i saj brenda Evropës”, u shpreh Davutollu.

Një gazetar i drejtoi Davutollusë këtë pyetje: “Në një gazetë gjermane është postuar një lajm, sipas të cilit BE-ja kërkon të kufizojë liberalizimin e vizave me Turqinë me një pikë shtesë në marrëveshjen e arritur. Kemi disa zotime që ka bërë BE-ja. Cili do të jetë qëndrimi i Turqisë në qoftë se nuk mbahen këto premtime?”

Në përgjigje të kësaj pyetjeje Kryeministri tha: “Unë vazhdoj të ruaj besimin që kam se procedurat për heqjen e vizave do të fillojnë të zbatohen në muajin qershor. Në rast se nuk ndodh kështu, atëherë askush të mos presë që Turqia të respektojë zotimet që i takojnë asaj”.

Gazetarët e pyetën Kryeministrin për pretendimet që kanë zënë vend edhe në faqen e internetit të Kremlinit sikur Obama dhe Putin kanë biseduar edhe për çështjen e mbylljes së kufirit Turqi-Siri. ​

“Vendimin përfundimtar në lidhje me kufijtë e Turqisë mund ta japë vetëm Turqia”, theksoi Davutollu, ndërsa shtoi se “nuk as një kuptim komentimi i kësaj çështjeje prapa dyerve të mbyllura nga ndonjë shtet tjetër”.

“Po të kemi parasysh refugjatët që Turqia është duke mirëpritur si mysafirë në territorin e saj, atëherë bota i detyrohet Turqisë vetëm një falënderim, e drejta për të kërkuar llogari nuk i takon askujt”, u shpreh Kryeministri Davutollu në lidhje me këtë çështje.

 

 

Artikulli paraprakAzerbajxhani rrëzon një fluturake pa pilot të Armenisë
Artikulli vijuesTomislav Nikoliq: Serbia ka një kusht për BE-në, mos të kërkojë njohjen e Kosovës