Karman: Terrorizmi Nuk Ka të Bëjë Asgjë me Islamin

“Ata që thonë se ‘Pranvera arabe’ është ajo që e ka nxitur terrorizmin, se e ka krijuar ISIS-in, ata nuk kuptojnë asgjë. Terrorizimi s’ka të bëjë asgjë me islamin. Ashtu siç nuk kanë të bëjnë as fetë e tjera”, tha nobelistja nga Jemeni, Tawakkol Karman.

Gazetarja dhe politikania nga Jemeni, Tawakkol Karman, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, gjatë të cilës ka folur për shumë çështje, përfshirë edhe protestat në botën arabe si dhe terrorizmin.

Karman, e cila më 2011 ka fituar çmimin Nobel për Paqe, duke folur për terrorizmin tha se terrorizmi nuk ka lidhje me Islamin.

“Ata që thonë se ‘Pranvera arabe’ është ajo që e ka nxitur terrorizmin, se e ka krijuar ISIS-in, ata nuk kuptojnë asgjë. Terrorizimi s’ka të bëjë asgjë me islamin. Ashtu siç nuk kanë të bëjnë as fetë e tjera.  Terrorizmi i sotëm nuk ka të bëjë asgjë me njerëzit qe kanë filluar pranverën arabe”, tha Karman.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Tawakkol Karman, shfaqi shpresën se shumë shpejt do të larohet nga pushteti edhe regjimi sirian.

“Deri më tani në botën arabe është konsideruar qytetar vetëm ai qe e ka lidhje më diktatorin dhe kjo është arsyeja pse ne kemi dalë në protesta, ku kemi arritur t’i rrëzojmë 4 diktatorë e shumë shpejt edhe diktatorin e Sirisë”, u shpreh Karman.

Tutje, ajo ka bërë krahasim në mes të Kosovës së dikurshme dhe shteteve arabe në këtë kohë.

“Sistemet e sotme arabe po pengojnë popullatën e sotme arabe ashtu qysh e ka penguar Millosheviqi Kosovën”, tha ajo.

Nobelistja Karman tha se aspiratat e popujve të Lindjes së Mesme janë të njëjta me ato të popullit të Kosovës.

“Ne në botën arabe jemi si ju, të rinj që dëshirojmë ta realizojnë  lirinë, ta kërkojmë demokracinë. Dëshirojmë që të jemi qytetarë të barabartë, dëshirojmë barazi para ligjit e një  vend pa korrupsion. Ne tani realisht jetojmë si robër”, theksoi ajo.

Ligjëratën e saj aktivistja e të drejtave të njeriut e ka mbajtur në kuadër të konferencës së dialogut ndërfetar të titulluar “Interfaith Kosovo”, në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të rreth 50 vendeve të ndryshme të botës.

Artikulli paraprakXhamia e Madhe e Durrësit dhe përplasja me Bashkinë
Artikulli vijuesMomenti kur Mavraj falënderon Zotin duke thënë “Elhamdulilah” (VIDEO)