Referuar kushteve atmosferike, gjendjes së rrugëve si dhe aksidenteve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës nga pjesëmarrësit në trafik kërkon një vigjilencë më të shtuar dhe vozitje më të kujdesshme duke ju përshtatur gjendjes së rrugëve dhe shenjave të komunikacionit rrugor.
“Policia e Kosovës iu drejtohet të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Andaj me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të trafikut, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma ligjore janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, raporton Koha.net.
Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është raportuar për gjithsejtë 57 aksidente të ndodhura në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 prej tyre kanë kaluar me lëndime.
Në Prizren ditën e djeshme rreth orë 13:30 raportohet se si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, tri automjete me targa vendore me drejtues meshkuj janë përfshirë në aksident trafiku mes veti.
Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar një mashkull pasagjer në njërën nga veturat e involvuara në aksident. I lënduari pas pranimit të tretmanit mjekësorë është liruar.
Edhe në rajonin e Mitrovicës janë raportuar dy raste të aksidenteve me të lënduar. I pari ka ndodhur në fshatin Lushtë të Mitrovicës rreth 15:45 në mes veturës Ford të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull i cili nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, godet veturën VW kombi të cilën e drejtonte viktima mashkull.
Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer mashkull dhe të njëjti janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
Kurse në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, rreth orës 17:00, policia bën me dije se i dyshuari mashkull, derisa ishte duke drejtuar veturën Fiat, nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ka goditur këmbësoren -viktimën femër.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësorë në QKUK.