Nga Kosova në Kabul, punë në vendet me luftë

0
297
Vendet e punës me paga të larta dhe rrezik të lartë në zona lufte ofrojnë shpëtim nga stanjacioni ekonomik në shtëpi. Kontraktorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë punë me paga të larta në Afrikë, ndërkohë që SHBA tërhiqen nga Afganistani…
 
Nga Valerie Plesch
 
 
 
Qe ende ora 4.30 e mëngjesit në një ditë korriku më 2013 në kryeqytetin gjithë pluhur të Afganistanit, Kabul, dhe pothuajse të gjithë ishin ende në gjumë kur një zhurmë i madhe i ngriti të gjithë me vrik nga krevati: një kamion përplot me eksplozivë kishte shpërthyer në portat kryesore të bazës së Orhan Ismailit. “Për një çast mendova se isha në një ëndërr”, rikujtoi Ismaili. “Kur u zgjova dëgjova britmat ‘dilni jashtë, dilni jashtë, na kanë sulmuar, na kanë sulmuar!”. Sulmi përfundoi pasi vrau së paku tetë të huaj dhe dy civilë afganë. Katër sulmuesit e armatosur që hynë në bazë u vranë shpejt nga personeli i sigurisë, shumica e të cilëve qenë të punësuar civilë amerikanë. Ismaili, 28 vjeç, i mbijetoi sulmit të kryengritësve Talebanë mbi bazën e tij, Kampin Pinnacle. Ai sakaq qe mësuar me sulmet në vende të tjera të Afganistanit, ku bombardimet me mortaja qenë të shpeshta, por sulmi në Kabul qe më i madhi dhe më i frikshmi. “E dija se ky qe Afganistani, një zonë e rrezikshme. Në çdo moment mund të ndodhte ndonjë gjë”, rikujton ai. Pavarësisht rrezikut të përditshëm që vjen me punën në një mjedis armiqësor si Afganistani, ai qe i vendosur të qëndronte aq gjatë sa të mundej.
 
Ai nuk është i vetëm. Ismaili është një nga një numër i madh kosovarësh që kanë shkuar në vende të largëta dhe në disa raste të rrezikshme për të punuar për llogari të qeverisë dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, më së shumti në vende pune mbështetëse për Ushtrinë Amerikane. Shumë kanë punuar më herët në kampin Bondstill (Bondsteel), i cili punësonte dikur më shumë se 6 mijë kosovarë në pikun e pranisë së ushtrisë amerikane në Kosovë. I gjendur në periferi të Ferizajt, baza ndihmoi për të mbajtur ekonominë e qytezës.
 
Shumë kosovarë që punuan në Bondstill nga rajoni i Ferizajt shkuan të punojnë për kontraktorë të mëdhenj amerikanë si DynCorp International, KBR, Fluor dhe AECOM në Afganistan dhe Irak. Shumica e punës është nën Programin e Rritjes së Logjistikës Civile për Ushtrinë e SHBA-ve IV, LOGCAP, i cili siguron mbështetje dhe logjistikë për trupat amerikane të vendosura në Afganistan, Irak dhe Kuvajt si dhe së fundmi në disa anë të Afrikës, përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, Ugandën, Çad dhe Xhibuti, të cilat janë nën Komandën e Afrikës të SHBA-ve.
 
Shumica e kontraktorëve i kërkojnë punëmarrësve të nënshkruajnë dokumente ku pranojnë rrezikun që lidhet me punën në mjedise armiqësore. Disa kontrata thonë se në rast vdekjeje, nuk ka garanci që trupi i punonjësit do të kthehet në shtëpi. Pavarësisht këtyre rreziqeve, shumë kosovarë janë dëshpërimisht të gatshëm të nënshkruajnë dhe të shkojnë. Së paku një punonjëse nga Ferizaj u vra në Afganistan në vitin 2011, ndërsa një grua tjetër kosovare u raportua e rrëmbyer disa vite më parë por u lirua më vonë. Një kosovar i cili qe me Ismailin në Kabul u kthye në Kosovë shpejt pas sulmit të talebanëve. Ai mbeti i traumatizuar nga ngjarjet dhe nuk qe në gjendje të vijonte të jetonte në një zonë lufte.
 
Me rrënjë nga Gjilani, një qytezë në lindje të Kosovës që gjithashtu ka dërguar shumë njerëz në Afganistan gjatë viteve të fundit, Ismaili po fitonte rreth 70 mijë dollarë (60 mijë euro) në vit, një pagë e padëgjuar në Kosovë, ku pagat mesatare janë më pak se 400 euro në muaj. Ai punoi si një mbikëqyrës logjistik për cilësinë në DynCorp e cila ka një kontratë shumë milionë dollarëshe me një program për trajnimin e policisë së Afganistanit. DynCorp mori 69 për qind të fondeve të Departamentit të Shtetit për rindërtimin në Afganistan, në total 2.8 miliardë, duke i bërë përfituesit kryesor të fondeve të rindërtimit.
 
DynCorp ka zbatuar një program të ngjashëm në Kosovë pas luftës. Ismaili fluturoi me helikopterë nëpër Afganistan për të inspektuar bazat e shumta stërvitore të DynCorp dhe mbikëqyri mbylljet e tyre pasi bazat iu dorëzuan Policisë Kombëtare të Afganistanit. “Po përgatisja veten [të kthehesha në shtëpi] për shkak se të gjitha kampet po mbylleshin”, thotë Ismaili. Në fund, atij iu dha lajmi që për dy javë të përgatitej dhe u kthye në Gjilan në fund të vitit 2013. Ai tashmë kalon ditët duke kontrolluar faqet e internetit të kompanive të ndryshme në kërkim të ndonjë vendi pune në Afganistan apo gjetkë. “Dua të iki sërish që të fitoj para dhe të mendoj për të ardhmen”, tha ai. Përveç rreziqeve të përditshme me të cilat ai u përball në Afganistan, rreziqe të mëtejshme ekzistojnë nëpër bazat ushtarake. Fatmir Ferati, 47 vjeç, hidraulik nga Ferizaj, iku nga Kosova në nëntor 2006 për të punuar për KBR dhe më pas për Fluorin në Afganistan. Ai qëndroi për gjashtë vjet deri sa një aksident i ndodhi në bazën ajrore Bagram. “Po priste para derës në zonën e parkingut dhe ai thjesht erdhi nga pas. Gati sa nuk më vrau”, tha Ferati duke përshkruar aksidentin që duket se u shkaktua nga një ushtar amerikan 20- vjeçar që qe në drejtimin e një piruni për ngritje peshash. Aksidenti dëmtoi rëndë atë në shpinë. Në fund, ai u detyrua të kthehet në Kosovë për t’u marrë me çështjet ligjore dhe për të filluar një fizioterapi. “Nuk mendoja kurrë se do ta lija Afganistanin”, tha ai.
 
Të tjerë janë ende duke punuar në Afganistan dhe shpresojnë të qëndrojnë aq gjatë sa të munden. Ylber Sahiti u bë shofer taksie në qytezën e tij Ferizaj shpejt pasi u kthye në Kosovë më 1999, pasi kishte qëndruar si emigrant në Austri. Ai krijoi një bazë të qëndrueshme klientësh por kjo nuk qe e mjaftueshme për të ushqyer familjen. Në verën e vitit 2012, ai e shiti makinën e tij për 800 euro. Ai nuk kishte më nevojë për të për shkak se po përgatitej të nisej për në Afganistan. Sahiti, 47, është i kufizuar në bazën ajrore Bagram, baza më e madhe amerikane në Afganistan, vendosur përballë maleve të larta Hindu Kush rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit. Sahiti punon shtatë ditë në javë si mekanik në një garazh duke riparuar makinat MAXXPRO, rezistente ndaj minave dhe të mbrojtura nga kurseve të njohura me akronimin (MRAP) si dhe mjete të tjera ushtarake. Ai punon bashkë me dhjetë njerëz të tjerë, gjashtë nga të cilët janë kosovarë, të gjithë nga Ferizaj. Vlerësohet se kontraktorë të tillë si AECOM dhe Fluor kanë punësuar më shumë se 8 mijë kosovarë që nga fillimi i luftës në Afganistan. Ata sjellin rreth 50-55 milionë euro në vit, sipas një raporti të vitit 2011 të Institutit të Studime të Avancuara GAP të Prishtinës.
 
Por ndërsa tërheqja e trupave amerikane vijon nga Afganistani, numri i njerëzve që po humbasin vendet e punës po rritet. Sahiti, miqtë amerikanë të së cilit në bazë e thërrasin atë “Ylberi” “Rainbow” – përkthimi në anglisht i emrit të tij shqiptar – është i vetëdijshëm se këtë vit, shumë ushtarë do të shkojnë në shtëpi. “Ata e përfunduan punën e tyre këtu,” tha ai…. Ndërsa situata ekonomike në Kosovë mbetet shumë e rëndë, shumë të tjerë po shpresojnë të gjejnë punë në Afrikë apo në ndonjë zonë tjetër lufte. “Kosovarët janë duke parë për mundësi të ngjashme në Lindjen e Mesme, në Siri apo në vende të tjera dhe janë të gatshëm të shkojnë vetëm për të gjetur vend pune,” thotë Agro
n Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP në Prishtinë, e njëjta organizatë që kreu raportimin e vitit 2011 mbi remitancat nga Afganistani dhe Irakut.  Me ekonominë në Kosovë që duket jo shumë premtuese, kosovarët e papunë e kuptojnë se ata do të kenë vështirësi në gjetjen e vendeve të punës në Europën Perëndimore, dhe kjo është arsyeja se pse janë të gatshëm të shkojnë në Afrikë apo në Lindje të Mesme nëse kanë mundësi, me ndihmën e Amerikës. Sipas Demit, shumë kosovarë “thjesht po pyesin nëse SHBA do të hyjnë në Siri apo në Libi apo në vende të tjera dhe nëse do të ketë vende pune siç pati në Afganistan apo Irak”.
 
Marrë me shkurtime nga Prishtina Insight