Çfarë thuhet në librin e ndaluar për Skënderbeun

0
349
Për Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve, është shkruar dhe janë botuar me dhjetëra studime dhe libra të natyrave të ndryshme, duke përfshirë autorë të tillë që nga Barleti në shekullin XVI e deri te Schmitti në shekullin XXI. Por, me etnografinë dhe mbledhjen e dëshmive të saj… për Skënderbeun janë marrë pak njerëz. Mund të përmendim Martin Sirdanin (Skënderbeu sipas gojëdhanave) dhe Dhosi Liperin studimet e të cilit vetëm tanimë po e shohin “dritën” e botimit.
 
Por, etnografia nuk është një disiplinë e lehtë si mësimdhënia apo studimi dhe shkrimi i historisë. Së pari, ajo është sakrificë, privacion dhe natyrisht sfidë. Nëse në “laboratorin” krijues apo në studion e punës, në arkiva apo biblioteka, historiani e ka më të thjeshtë studimin dhe punimin që do të botojë, etnografi objektin e punës së tij e ka direkt në terren dhe në rastin tonë në zonat e thella malore, ku zhvillimi shoqëror nuk kish arritur ta zhbënte akoma kujtesën popullore. Ashtu si dikur edhe pionierët e parë të kësaj disipline, etnografisë, edhe Dhosi Liperi ishte partizan i punës në terren. Në vitin 1929, me qëllim që të merrej me mbledhjen dhe studimin e gojëdhënave popullore, krahas punës si mësues, ai i kërkon Ministrisë së Arsimit që ta transferojë si arsimtar në Burrel (fq. 696), atje ku mendonte se ekzistonin mitet për Skënderbeun.
 
Duhet theksuar se prej studimeve të Dhosi Liperit gjejnë pasqyrim dhe zgjidhje edhe disa probleme të rëndësishme të historisë së Skënderbeut, të debatuara deri në këto kohë të fundit. Të tilla janë së pari problemi i origjinës së Kastriotëve dhe vendlindjes së Heroit. Së dyti, ai i vendvarrimit të Skënderbeut, dhe së treti edhe teza aq e debatuar këto vite të fundit se: A kishte Skënderbeu fëmijë të tjerë përveç Gjon Kastriotit të Ri?!
 
Ndërkohë, le t’i shohim me radhë këto probleme sipas këndvështrimeve që na ofron vetë vepra voluminoze e këtij autori, që me të drejtë mund ta quajmë e këtij kolosi. “Kolosi”, për arsyen e thjeshtë se asnjë autor në mënyrë individuale deri më tani nuk ka arritur të mbledhë materiale etnografike kaq voluminoze për tema të tilla si Dhosi Liperi. Kështu, pa dalë nga tema le të ndalemi së pari te problemi i origjinës së Kastriotëve.
 
“Dy krahina të Shqipërisë së Mesme, që janë Mati e Dibra, dhe një qytet, Kruja, hahen midis tyre e secili për vete kërkon që t’i njihet nderi i madh se ka qenë djepi i Fatosit. Matjanët mëtojnë se ky ka lindur në njërin prej katundeve të tyre: Shqefën a Dukagjin, Muzhakë a Gur i Bardhë; pa dhe dibranët, njëzëri, ngulin këmbë se nderi i përket katundit të tyre, Kastriotit, i cili po mban me mburrje dhe mbiemrin e Atij për emër të vet; domosdo dhe Kruja, si qendra më kryesore e kryeqytet që ka qenë, rivendikon të drejtën e saj”, shkruan Liperi në kapitullin e parë të librit të tij te rubrika “Venlemi i Skënderbeut” (Po aty, fq. 27).
 
Pasi i vizitoi të tria vendet ku popullsia lokale besonte nëpërmjet legjendave se aty kish lindur Skënderbeu, Dhosi Liperi nuk nxitohet në konkluzione përfundimtare. Megjithëse dallohet për qëndrimin e drejtë, paanshmërinë në gjykim dhe rigorozitetin e trajtimit të legjendave, ai përcakton në gjykimin e tij se midis dy trevave, si Dibra dhe Mati, ky i fundit është trualli i origjinës së Kastriotëve dhe vendlindja e Skënderbeut. Sajueshëm e besnikë, dhe Lala, birazeri i tij, prej Matjes ka qenë, po e tradhtoi, bijtë e tu kanë qenë; në tokën tënde kanë lindur. Mali yt kreshnik, përkrah Dejës e kundrejt Balgjajt që iu bë limar i sigurt dhe emrin e mori prej tij (është fjala për malin “Skandërbeg”), është i shenjtë për ne, si Tomorri për pellazgët qëmoti” (fq. 19-20).
 
Problemi i dytë që Dhosi Liperi përpiqet të sqarojë në studimet e tij është ai i vendvarrimit të Skënderbeut, i cili edhe sot përbën një tjetër problem të debatueshëm për historiografinë shqiptare. Megjithëse Skënderbeu vdiq dhe u varros në Lezhë më 17 janar të vitit 1468, akoma vazhdojnë polemikat shkencore rreth vendndodhjes së mundshme të varrit të tij. Disa studiues theksojnë se katedralja e Shën Kollit, vendi ku u varros Heroi ynë Kombëtar, ndodhet aty ku është ngritur tashmë memoriali i tij në qytetin e Lezhës. Të tjerë theksojnë se Kisha e Shën Kollit ndodhej në kalanë që ngrihej mbi këtë qytet. Pavarësisht debatit, dëshmia e Barletit se turqit e hapën dhe e grabitën varrin e Skënderbeut kur e pushtuan Lezhën, është vënë në dyshim sot. Kjo gjë për faktin se asnjë dokument turk apo venecian nuk na e pohon një gjë të tillë.
 
Ndërkohë, i pari që e vuri në dyshim këtë tezë ishte pikërisht Dhosi Liperi. Këtë gjë ai e bëri në janar të vitit 1968, në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tiranë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. E titulluar “Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore”, kumtesa përmblidhte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura nga autori në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës, ku në të gjitha gojëdhënat popullore dëshmohet se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e Skënderbeut. Pikërisht rreth këtij fakti shprehej edhe Indro Montaneli, një nga përfaqësuesit më në zë të gazetarisë dhe historisë italiane.
 
“Skënderbeu është ushtari i panjohur i Shqipërisë”, shkroi ai kur e vizitoi Lezhën në vitin 1938 (Indro Montanelli: Albania Una e Mille. Torino (etc.)-G. B. Paravia. 1939). Gjithsesi, me këto studime, Dhosi Liperi vërtetoi atë që historianët turq si Ibn Kemali, Hoxha Sadedini, Idris Bitlisi dhe Tursuni, të cilët na përshkruajnë me ngjyra të gjalla pushtimin e Lezhës nga ushtria turke në vitin 1478, nuk e përmendin askund faktin e dhunimit të varrit të Skënderbeut nga ushtria osmane. Dëshmitë e tyre që gjenden në librin “Lufta shqiptaroturke në shekullin XV” (Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV. Tiranë, 1968) u botuan disa muaj pasi Liperi publikoi tezën e mësipërme dhe vetëm disa muaj më vonë se ai të ndërronte jetë më 12 nëntor të vitit 1968. Kështu në mënyrë të heshtur shkenca zyrtare pohoi atë që Liperi e kish provuar në intervistat përgjatë ecejakeve të pafundme të tij, fshatrave dhe krahinave të Shqipërisë.
 
Problemi i tretë të cilin trajtoi Dhosi Liperi në studimet e tij ishte edhe ai i fëmijëve të Skënderbeut. Qysh përpara 60 vjetësh ai na njofton se në trojet e ish-principatës së Kastriotëve, në Mat dhe në Dibër, ruhen në kujtesën popullore akoma legjenda të gjalla në të cilat ndeshim përveç djalit, edhe një vajzë të Skënderbeut. Ndërkohë që ky zbulim në terren i shkencëtarit të palodhur do të dilte në skenë kohë më vonë, pikërisht në vitin 2011, kur do të bëhej edhe objekt polemikash në shtypin e shkruar. Pikërisht një dokument i publikuar në qershor të këtij viti, që tregonte pemën gjenealogjike të Kastriotëve, përmendte midis fëmijëve të Skënderbeut edhe vajzën e tij, Vojsavën e re. Megjithëse publikimi i tij solli shumë kundërshti dhe polemika ku u prononcuan disa nga emrat më të njohur të historiografisë, u provua edhe një herë se intuita e pagabueshme e Dhosi Liperit se studimeve të tij do t’i vinte koha për t’iu referuar. Ndërkohë që një fakt të tillë e ndeshi në terren diku në vitet 1960- 1970 në territoret e Matit edhe albanologu Dilaver Kurti Kurti (Dilaver Kurti. Shënime etnografike nëpër Mat. GEER. 2004. Fq 215).
 
Por, ekzistenca e një vajze të Heroit dëshmohet jo vetëm nga tradita gojore në trojet e dikurshme të principatës së Kastriotëve, por edhe ng
a disa dokumente dhe botime perëndimore të kohës. Dëshmi të tilla jep edhe autori francez Charles Du Fresne Du Cange në librin e tij “Ilira e vjetër dhe e re. Historia e Mbretërisë së Dalmacisë, Bosnjës, Serbisë dhe Bullgarisë” (Charles Du Fresne Du Cange. ILLYRICVM VETVS E NOVUM sive HISTORIA REGNORUM DALMATIAE BOSNAE SERVIAE atque BYLGARIE. POSONII. MDCCXLVI. 134).Në këtë kontekst, rreth ekzistencës së vajzës së Skënderbeut na vjen tanimë edhe libri “Mitologjia Skënderiane”, në të cilin Dhosi Liperi na e rihap përsëri këtë tezë. Në shënimet e tij ai shkruan se “legjendat popullore të Dibrës së Poshtme përmendin si Ai (Skënderbeu-shënimi ynë) veç djalit ka pasur edhe një vajzë. Kjo ka qenë shumë e aftë, me mend, luftëtare e madhe, bijë e denjë e tij. Kur në luftën e Kalasë së Çidhnës së Poshtme hofi në kalë nga Kalaja përtej lumit Setë e s’ra në dorë të armikut.
 
Një libër të munguar do ta quanim së fundmi botimin e punimeve të albanologut Dhosi Liperi të titulluar “Mitologjia skënderiane”. Megjithëse i vlerësuar në punën e tij si arsimtar, ku iu dha edhe titulli “Mësues i merituar”, Liperi jo vetëm u anashkalua në aspektin e punës së tij studimore, por edhe vepra e tij u “dënua” me heshtje. Përveç disa artikujve të shkëputur në botimet shkencore të kohës, atij në gjallje nuk iu botua asnjë prej dorëshkrimeve. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Vepra e tij nuk i vinte për shtat politikës kulturore të shtetit komunist, i cili edhe “historinë e Skënderbeut” e përdori për qëllimet e tij propagandistike dhe politike. Gjithsesi, shkencëtari e kuptoi fare mirë këtë gjë dhe me natyrën e tij “sokratike” heshti për t’ia lënë kohës në “dorë” drejtësinë. Pasi e la amanet që të varrosej në Krujë, ai iku i qetë dhe i ndërgjegjshëm nga kjo jetë, me bindjen se një ditë sipas sentencës së famshëm “Epur Si Muove” edhe veprës së tij do të vinte “koha”.
 
Kështu, u deshën shumë vite që “muret e inkuizicionit kulturor” të rrëzoheshin dhe bashkë me to të binte edhe censura në fushën e botimeve. Dhe natyrshëm erdhi edhe momenti që korpusi i studimeve të Dhosi Liperit, i titulluar “Mitologjia Skënderiane” të shohë sot, 47 vjet pas vdekjes së autorit, “dritën e botimit” .
 
Duke jetuar dhe ndërmarrë ekspedita në malësitë tona të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, Liperi grumbulloi ndër vite një material të gjerë folklorik, i cili shkonte deri në periudhën e shekullit XV. Duke e trajtuar punën e tij në terren si shumë të rëndësishme, Dhosi Liperi punoi në fazën e parë të projektit të tij kryesisht në trevën e Matit. Këtu në vitet 1929- 1934 ai mblodhi një pjesë të madhe të legjendave popullore për Heroin. Ndërsa në fazën e dytë, që i përket periudhës së viteve ‘50-‘60 po të shekullit të kaluar, Liperi zhvilloi ekspedita kërkimore kryesisht në Dibër, Lurë dhe Mirditë. Por, ndryshe nga etnografët apo antropologët tradicionalë të cilët jetuan të izoluar në gjirin e komuniteteve që studiuan, Dhosi Liperi nuk u përqendrua në një vend të caktuar, duke e zgjeruar herë pas here gjeografinë e kërkimeve të tij. Dhe, si etnograf, Liperi u mor kryesisht me mbledhjen e të dhënave verbale që mori nga 173 kallëzonjës, të cilët i intervistoi gjatë periudhës 1929-1961.
 
Ato nisin me bisedën me Ali Zenelin nga Urxalla e Matit dhe përfundojnë me Sheh Dem Rotën nga Ishmi i Durrësit. Të gjithë këtë material, Dhosi Liperi me cilësinë e etnologut u ul dhe e përpunoi atë në tre libra, nga dymbëdhjetë gjithsej, të cilët në formën e dorëshkrimeve i dorëzoi në Institutin e Folklorit dhe Institutin e Gjuhësisë (Dhosi Liperi. Mitologjia Skënderiane. Fq. 723-729). Nga ky korpus, të tre librat që u përkasin studimeve për Skënderbeun, janë: “Skënderbeu sipas besimit të popullit” (1949), “Gojëdhëna popullore mbi Skënderbeun” (1951) dhe “Skënderbeu legjendar” (?). Duhet theksuar se Dhosi Liperi vijoi traditën më të mirë të krijuar në Shkollën Normale të Elbasanit, studimet në të cilën i ndoqi në vitet 1925-1927. Mësuesit e kësaj shkolle dhe veçanërisht prof. Aleksandër Xhuvani, u jepnin si detyra nxënësve që gjatë pushimeve të verës të mblidhnin nga të moshuarit fjalë, proverba, shprehje dhe frazeologji popullore, materiale folklorike, këngë dhe legjenda.
 
Megjithëse autodidakt në këtë fushë, Liperi ishte i mendimit se studimi i folklorit kishte një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë. “Legjendat”, thekson ai, “janë një vlerë e madhe kulturore e së kaluarës sonë kombëtare, e cila mjerisht është nënvlerësuar gjer dje e pra nuk thuhej në masë” (Dhosi Liperi. Mitologjia Skënderiane. Fq. 8).

Ilirjan Gjika