Ngecje në Strategjinë Kombëtare Kundër Drogave

Vlerësimet për përpjekjet e Kosovës në luftë kundër drogës, të cilat janë publikuar në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me titull “Raporti për Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Narkotikëve”, janë të drejta vlerësojnë përfaqësuesit e organeve të rendit dhe ekspertët që trajtojnë çështjet e narkotikëve.

Në këtë raport, Kosova vlerësohet si vend transit i narkotikëve të destinuar për Evropë, por jo edhe si prodhues thelbësor i substancave narkotike.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës theksojnë se janë duke bërë çmos për ta luftuar trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe parandalimin e keqpërdorimit të këtyre lëndëve.

Zëdhënësja e Policisë, Sabrie Kamberi, thotë se gjatë vitit 2012 është ngritur konfiskimi i këtyre lëndëve, si edhe numri i rasteve të arrestimit të personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve.

Sipas saj, gjatë vitit të kaluar, janë konfiskuar rreth 94 kilogramë heroinë, mbi 7 kilogramë kokainë, mbi 1mijë e 235 kilogramë marihuanë, mbi 10 mijë e 50 bimë të kanabisit, mbi 12 mijë e 50 fara të bimës kanabis, 153 ekstazi dhe mbi 880 gramë substanca të tjera narkotike.

Ajo thotë se gjatë vitit 2012 janë hapur gjithsej 527 raste që kanë të bëjnë me substanca narkotike dhe të cilat kanë rezultuar me sukses në konfiskimin e tyre.

Të dyshuar, siç thotë ajo, janë 818 persona, 576 prej të cilëve janë arrestuar, ndërkaq që 394 persona janë në ndalim.

“Bazuar në statistikat tona dhe raportet, të cilat janë përgatitur edhe nga departamenti që merret ekskluzivisht me këto raste, shihet se kemi pasur ngritje të numrit të rasteve të personave të arrestuar, të personave të ndaluar si të dyshuar, e gjithashtu edhe ngritje të rasteve të konfiskimit të substancave narkotike”, thotë Kamberi.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se “përpjekjet për të luftuar kontrabandimin e narkotikëve, Kosova i koordinon bazuar në Strategjinë Kombëtare Kundër Drogave dhe Planin e Veprimit”.

Defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës mediko-psikoterapeutike “Labirint” në Prishtinë, qendër e cila merret me trajtimin e personave abuzues të substancave narkotike, thotë se tashmë ka nisur zbatimi i Planit të kësaj strategjie kundër drogave.

Por, sipas tij, në këtë pikë janë shënuar edhe ngecje.

“Sigurisht që , megjithatë, ngecje në krejt këtë strategji mbetet bashkëpunimi ndërinstitucional ose ndër-sektorial. Do të thotë, ende nuk po mund të krijohen mekanizmat, me të cilët, sektorët e ndryshëm, të institucioneve të ndryshme, të bashkëpunojnë në punë të përbashkët kundër luftimit të drogës, si në kuptimin e trafikimit të drogës, po ashtu edhe në kuptimin e parandalimit dhe të trajtimit”, thekson Blakaj.

Zëdhënësja Kamberi thotë se organet e rendit, tashmë kanë treguar se Kosova nuk është edhe rrugë e lehtë për kontrabanduesit e narkotikëve.

“Me vetë faktin që gjatë vitit 2012 kemi pasur raste më të shpeshta të konfiskimit dhe arrestimeve, do të thotë, është bërë e ditur që Kosova nuk është rrugë e lehtë për t’u përdorur për këto forma dhe për këto mënyra”, shprehet Kamberi.

Por, Blakaj thekson se rezultatet e organeve të rendit në konfiskimin e narkotikëve, nuk nënkuptojnë se në Kosovë ka numër të vogël të përdoruesve të drogës.

Sipas tij, numri i keqpërdoruesve të narkotikëve po rritet në vend dhe vetëm në qendrën “Labirint”, sipas tij, kanë kërkuar trajtim mbi 1 mijë e 100 njerëz që kanë keqpërdorur substanca të rënda narkotike, si heroina dhe kokaina.

Blakaj thotë se ende nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të përdoruesve të drogave të rënda në vend, por parashihet që ky numër të jetë nga 3 mijë e deri në 5 mijë të tillë.

“Kurrsesi nuk mund t’i referohemi asaj se nëse zihet pak drogë, atëherë ka pak përdorues. Kjo aspak nuk ka bazë metodologjike. Sigurisht që ka drogë shumëfish më shumë sesa që është zënë. Le të themi që është rritur kapja e drogës në vitin 2012. Do të thotë ka pasur një ngritje te kanabisi, për shembull 500 për qind më shumë se një vit më parë, te heroina rreth 70 për qind më shumë se më parë, po ashtu, edhe te kokaina”.

“Mirëpo, kjo vjen për shkak të aktivitetit të shtuar të policisë dhe ngritjes së kapaciteteve të saj. Natyrisht, unë mendoj se ka shumë më tepër drogë, edhe të tipit heroinë, që sillet brenda Kosovës”, thotë Blakaj.

Blakaj ka shtuar se mesatarja e konsumit të heroinës nga një keqpërdorues është rreth 1. 8 gram në ditë. Siç thotë ai, supozohet se në Kosovë brenda ditës konsumohen së paku 5 kilogramë heroinë.

“Sipas vlerësimeve tona, mesatarja arrin 1.8 gram heroinë në ditë (për një keqpërdorues). Do të thotë, le të themi që është vetëm 1 gram në ditë për 5 mijë vetë, atëherë del se që konsumohen 5 kilogramë në ditë. Por, kur shumëzohet kjo me 365 ditë në vit ose vetëm brenda muajit?”

“Kjo është vetëm një prej vlerësimeve, edhe pse këtë duhet ndjekur edhe më tepër, që të jetë korrekt për metodologjinë e analizës së kësaj problematike. Natyrisht që shumë drogë, ashtu siç edhe është vlerësuar, është për transit, për vendet tjera. Mirëpo, sigurisht që mjafton vetëm pluhuri i asaj sasie që është e dedikuar për jashtë, të mbetet në Kosovë dhe për ne është mjaft”, vlerëson Blakaj.

Ndryshe, Blakaj ka ngritur edhe një shqetësim, për të cilin, siç thotë ai, ndonëse nuk ka argumente të mjaftueshme, shihet qartë si tendencë në rritje.

Sipas tij, tashmë ekziston një trend i ri i keqpërdorimit të substancave të reja narkotike, të cilat janë paraqitur edhe në Evropë. Këto, sipas tij, janë droga sintetike, struktura kimike e të cilave mund të ndryshohet çdo gjysmë viti dhe rrjedhimisht të shndërrohet nga një drogë në një tjetër.

Artikulli paraprakLargimi i elementeve shtetërore serbe nga Kosova
Artikulli vijuesMorsi respekton vendimin e gjykatës për zgjedhjet