Ngërçi BE-Turqi, Gjermania: Topi është në fushën e Ankarasë

Turqia dhe Bashkimi Europian janë përballur me njëri-tjetrin ditën e enjte mbi marrëveshjen e propozuar për lejimin e lëvizjes së lirë të turqve në vendet e zonës “Schengen”, një lëshim vendimtar nga blloku në mënyrë që të sigurohet se, Turqia do të përpiqet të ndalë fluksin e emigrantëve që u largohen vendeve në luftë dhe varfërisë për të mbërritur në Greqinë anëtare të BE-së, transmeton Top Channel.

Por, secila palë këmbëngul në “lojërat e veta”, me BE-në që i kërkon Ankarasë të përkufizojë më konkretisht ligjet e saj antiterror përpara se të fitojë nga heqja e vizave, ndërkohë që Turqia është e vendosur të mos e ndryshojë atë ligj.

Çështja e udhëhtimit pa viza në Europë për turqit mund të shkaktojë edhe shembjen e akordit BE-Turqi, sipas të cilit Ankaraja ka rënë dakord të ndalë emigrantët e ligjshëm t’u drejtohen vendeve të Europës, si dhe të pranojë kthimin mbrapsht të atyre që dëbojnë vendet europiane. E megjithatë, marrëveshja e arritur në mes të marsit mbetet ende në fuqi, të paktën për momentin.

Heqja e vizave është një nxitje, e shoqëruar me 6 miliardë euro ndihmë dhe bisedime të përshpejtuara për anëtarësim në BE, për Turqinë që do të duhej vetëm të frenonte fluksin e refugjatëve. Gjithsesi, palët duken tashmë se po shkojnë drejt shkeljes së afatit të parë të parashikuar për heqjen e vizave, atë të 30 qershorit.

Turqia thuhet të ketë përmbushur shumicën e 72 kushteve për të siguruar heqjen e vizave për qytetarët e saj, por njëra prej tyre mbi të gjitha ka rezultuar tashmë si një “ngërç vendimtar”. Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe zyrtarë të tjerë në Ankara thonë se nuk do ta ngushtojnë përkufizimin e fjalëve “terrorist” apo “veprim terrorist”, kërkesë që vjen nga kombet e BE-së për shkak se ekziston frika, që ligjet aktuale të mund të përdoren për të shënjestruar gazetarët dhe disidentët politikë.

Erdogan ka paralajmëruar se mund të bjerë poshtë e gjithë marrëveshja për emigrantët, nëse europianët do të përmbushin premtimet e tyre. E megjithatë duket se ka ende vend për të manovruar. Erdogan tha gjatë kësaj jave se, Turqia do të ndiqte rrugën e saj, nëse vizat nuk do të hiqeshin brenda muajit tetor.

Ndërkohë, kryeministri në largim Ahmet Davutoglu, një arkitekt kyç i marrëveshjes së emigrantëve, njoftoi po gjatë kësaj jave largimin nga posti më i lartë i ekzekutivit në fund të këtij muaji, pikërisht për shkak të mospërputhjeve të ideve me presidentin Erdogan. Ende nuk është e qartë se kush do ta pasojë atë.

Ndërkaq në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier pranoi se “ne kemi interes madhor, që marrëveshja për emigrantët të mos shkelet”. Por, këtë të enjte, ai shtoi në komentet e tij se nuk mund të influencojë qëndrimin e Ankarasë mbi ligjet antiterror dhe se “topi tashmë është në fushën e tyre”. Steinmeier u shpreh se “nëse Turqia i përmbush të gjitha angazhimet”, sigurisht që edhe BE-ja do t’i përmbushë. Një tjetër reagim ka ardhur nga kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili është shprehur se Brukseli po pret që Turqia të tërhiqet nga kushtet e saj, përfshi këtu ndryshimin e ligjeve të saj antiterror.

Juncker tha se turqit janë të lodhur teksa përballen gjithmonë me kërkesat për viza sa herë që duan të udhëtojnë në Europë, ndaj dhe “pavarësisht se çfarë do të sjellë ndryshimi në zyrën e Kryeministrisë në Ankara, marrëveshjet mes Bashkimit Europian dhe Turqisë nuk kanë pse të refuzohen”.

Artikulli paraprakPuçrra në fytyrë? Ja 12 shkaktarë
Artikulli vijuesTë fejuarit zbuluan se janë vëlla e motër para kurorëzimit