Jemen, sulm godinës së shërbimeve sekrete

Persona të dyshuar si militantë të Al Kaedës kanë sulmuar selinë e shërbimeve sekrete në qytetin e Adenit, në Jemen, duke vrarë të paktën 14 persona.

Militantët sulmuan ndërtesën nga dy anë, duke qëlluar me raketa dhe me granatahedhës, si dhe armë automatike në brendësi të godinës.

Sulmi i mirëplanifikuar ndodhi në zonën bregdetare të Tauahit, në afërsi të qytetit jugor të Adenit. Al Kaeda mbetet aktive në këtë zonë, pasi një vakum i sigurisë u krijua gjatë vitit për shkak të protestave kundër ish-presidentit Ali Abdullah Saleh.

Militantët kanë marrë nën kontroll zonat dërrmuese të jugut dhe lindjes së vendit. Së fundmi, një ofensivë dymujore ushtarake e mbështetur nga SHBA i spostoi ata nga bastionet e tyre në qytet në provincën jugore të Abjanit, por shumë prej tyre u arratisën në malet e afërta, prej nga dhe nisin sulmet e tyre.

Mes viktimave në sulmin e sotëm në Aden, 11 ishin ushtarë, shumica e të cilëve kishin turnin e pushimit kur granatat e dorës u hodhën në dhomat e tyre.

Atentatorët e sulmuan ndërtesën e shërbimeve të inteligjencës, që ndodhet pranë selisë së televizionit shtetëror, dhe më pas arritën të arratiseshin.

“Operacioni duket se ishte i planifikuar mirë”, ka deklaruar një oficer sigurie për agjencinë e lajmeve “Reuters”, duke u shprehur i bindur se pas sulmit fshihet Al Kaeda.

Pak javë më parë, persona të dyshuar si anëtarë të rrjetit terrorist kryen një sulm vetëvrasës që u mori jetën 45 personave gjatë një ceremonie mortore në qytetin e Xharit.

Artikulli paraprak220 fëmijë palestinezë në burgjet e regjimit sionist
Artikulli vijuesGjermania referendum për Europën