Nikoliq në Etiopi: Njohja e Kosovës ka inspiruar Shtetin Islamik

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq është takuar sot në Addis Abeba të Etiopisë me kryeministrin e vendit, Hailemariam Desalegn, ku Nikoliq ka thënë se bisedimet me Kosovën dhe me BE-në në një situatë tejet delikate.

Ai gjithashtu ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës ka shërbyer si model për ata që kanë formuar Shtetin Islamik.

“Situata në lidhje me Kosovën është shumë e ndërlikuar. Ne e kemi qëllimin e mirë dhe dëshirën që të ndihmojmë, kemi hapur bisedimet me Kosovën në nivelin më të lartë. Është e vështirë të dialogohet me Kosovën, kur ata pretendojnë se kanë krijuar një shtet të pavarur dhe kur këto bisedime zhvillohen në BE, shtetet anëtare të së cilës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikoliq në një intervistë dhënë gazetës “Capital”.

Kreu i shtetit serb, që po merr pjesë në samitin e unionit afrikan, ka kujtuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit, i cili tha se duhet zbatuar.

“Kemi arritur marrëveshje në Bruksel e cila tani do të duhej zbatuar në terren. Përfaqësuesit nga Kosova janë të gatshëm të zbatojnë gjithçka që atyre u jep më shumë autoritet. Nuk janë të gatshëm të zbatojnë ato për të cilat është dakorduar në Bruksel për asociacionin e komunave serbe, që është një domosdoshmëri brenda Kosovës. Ata madje kanë kërkuar edhe mendimin kushtetues i cili ka thënë se kjo s’mund të formohet, dhe kështu bisedimet me Kosovën janë në një situatë shumë delikate”, ka shtuar presidenti serb, transmeton Koha.net.

Artikulli paraprakPërfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Rijad, viziton Universitetin e Kasimit
Artikulli vijuesVIDEO – A ka dobi i vdekuri nga lutja rutinore "Allahu në Xhenet" gjat të pamurive