Nikoliq në Saint Petersburg kërcënon Kosovën “me të gjitha mjetet”

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, deklaroi sot në Saint Petersburg se marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës aktualisht ndodhen “në shkallën më të ulët të mundshme”.

Siç citohet nga mediet serbe të ketë thënë ai, është i qartë qëllimi i Bashkimit Europian t’u ndihmojë shqiptarëve për të marrë pavarësinë, transmeton Koha.

“Aktualisht jemi në nivelin më të ulët të raporteve meqë ka marrë hov sulmi i administratës së Prishtinës ndaj pronës sonë në Kosovë e Metohi. Dhe kjo mund të zgjidhet me marrëveshje, por mund të përfundojë po ashtu shumë keq meqë ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo mënyrë. Ashtu si do të sillen shqiptarët në të ardhmen, edhe ne do të përgjigjemi po ashtu dhe të mos bëjnë llogari se mund të luajnë me ne ose që dikush të na bombardojë”, është shprehur Nikoliq, transmeton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Ai ka thënë se “është i qartë qëllimi i shqiptarëve që të fitojnë pavarësinë dhe qëllimi i qartë i BE-së që t’i ndihmojë në këtë drejtim”.

Presidenti i Serbisë ka thënë se Kombet e Bashkuara janë “mburoja dhe mbrojtja jonë e vetme” dhe ka shtuar se “përmes Këshillit të Sigurimit të KB kurrë nuk do të mund të kalojë ideja e pavarësisë së Kosovës e Metohisë”,

“Kemi problem të madh Kosovën e Metohinë dhe ky problem po ngarkon marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian. BE e din se kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikoliq.

Sipas fjalëve të tij, askush kurrë nga zyrtarët e BE-së nuk ka thënë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por Parlamenti Europian i cili, po ashtu vendos për anëtarësimin e Serbisë, ka përfaqësuesit e vet të cilët vazhdimisht flasin se kurrë nuk do të marrin vendim për anëtarësim deri sa Serbia të mos lidhë një marrëveshje ndërshtetërore gjithëpërfshirëse me Kosovën e Metohinë.

Nikoliq ka rikujtuar se në vetë BE-në janë pesë anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e Metohisë, dhe ka shtuar se ato nuk kanë marrë vendim për mosnjohje të Kosovës “për shkak të ndonjë miqësie të madhe me Serbinë, por pse ndiejnë se edhe vetë do të mund të kenë probleme si këtë dhe pastaj s’do të kishin ku të mbështeten” kur të luftojnë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vet territorial.

Nikoliq po ashtu ka rikujtuar se me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të KB Serbia është shtet sovran në përbërje të të cilit është Kosova e Metohia, e cila ka autonomi thelbësore.

“Mirëpo, secili përfaqësues i lartë i KB i ndihmuar nga forcat e NATO-s ka promovuar pavarësinë e Kosovës e Metohisë dhe një nga një ingerencat e Serbisë, në kundërshtim me vullnetin dhe pëlqimin e saj, ia ka dorëzuar në dorë administratës së përkohshme në Prishtinë”, citohet të ketë thënë Nikoliq, përcjellë Koha.net.

Ai ka shtuar se Beogradi ka nisur negociata serioze me shqiptarët me shpresë të vendosjes së jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës e Metohisë.

Presidenti i Serbisë sot do të hapë solemnisht konsullatën e Serbisë në Saint Petersburg.

Artikulli paraprakKelmendi: S’ka draft-rezolutë për Thaçin, PDK dhe LDK refuzuan të ndërpresin bisedimet me Serbinë
Artikulli vijuesKjo është rezoluta e opozitës e propozuar nga deputeti Kelmendi që nuk kaloi