Nis në Tiranë takimi i SEECP, merr pjesë edhe kryediplomati serb, Ivica Daçiç

Në kuadër të kryesisë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), po zhvillohet sot në Tiranë takimi i përfaqësuesve të ministrive të Punëve të Jashtme të këtij organizmi dhe takimi vjetor i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të Kryesisë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Anadolu Agency (AA).  
 
Pjesë e këtij takimi është bërë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili në nisje të punimeve të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), ka pohuar se Serbia ka kontribuar për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe një miqësi të mirë rajonale. Si pjesë të kontributit për fqinjësi të mirë Daçiç ka përmendur edhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ai ka pohuar gjithashtu se janë arritur disa rezultate sa i përket perspektivës evropiane të përbashkët për rajonin.
 
Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, në takim, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e 13 vendeve pjesëmarrëse të SEECP, të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), do të diskutohet mbi situatën në rajon, zhvillimet politike të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, realizimin e prioriteteve të Kryesisë Shqiptare, bashkëpunimin në rajon, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike.
 
 Ndërkohë është parashikuar se sot rreth orës 16:00 do të fillojë  e Ministeriali i SEECP, ku ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati do të mbajë fjalën përshëndetëse.  Bushati dhe homologu i tij bullgar, Daniel Mitov do të mbajnë edhe një konferencë të përbahskët për mediat.
 
Ndërkohë ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias nuk është bërë pjesë e takimeve të sotme, ndërsa Maqedoni përfaqësohet Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi. Ndërkohë Turqia përfaqësohet në takimet e sotme të Ministerialit të SEECP, në nivel zëvendësministri.
 
Vendet anëtarë të Asamblesë së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) janë Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi,  Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Rumania. Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), është një forum i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunimin në disa fusha si për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të të gjithë vendeve të rajonit.
 
Fillimet e Procesit te Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), datojnë në qershor të vitit 1996, me takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje, të Bullgarisë, më synim promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe transformimin e rajonit në një zonë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.kohaislame
Artikulli paraprakSHBA: Nuk dëshirojmë të dërgojmë ushtarët amerikanë në luftë tokësore kundër ISIL
Artikulli vijuesShtëpia e Bardhë: Obama dëshiron të vizitojë Kubën para se të përfundojë mandatin e tij