Niset ta përdhunojë, njofton familjen dhe vetëdorëzohet

0
141

Një person, i cili po përpiqej të përdhunonte një vajzë 16-vjeçare, u ndal në mes të agresionit, përpara se të telefononte prindërit e saj, ta çonte atë në shtëpi dhe të shkonte drejt e në rajonin e policisë, u bë e ditur gjatë një seance dëgjimore në gjykatë, të hënën.

Gary Clarke, 41 vjeç, rrëmbeu viktimën e tij, e detyroi me forcë të shkonte drejt divanit dhe u përpoq t’i hiqte të mbathurat. Viktima e tmerruar nisi të bërtiste, në përpjekje e sipër për t’iu larguar atij, por Clarke i mbylli gojën me dorë.

Menjëherë pas këtij veprimi, Clarke pësoi një krizë të papritur të ndërgjegjes, u bë e ditur në gjykatën Cambridge Crown. Ai ndali sulmin, telefonoi të afërmit e vajzës së re dhe e shoqëroi në shtëpinë e saj, përpara se të drejtohej për në rajonin e policisë “Parkside” në Cambridge.

Gjykatësi Gareth Hawkesworth tha se ishte diçka e rrallë për dikë të kërkojë falje të menjëhershme dhe të vetëdorëzohet në polici. Clarke pranoi tentativën për përdhunim, teksa iu dha ndëshkimi me 3 vite burg.

Hawkesworth u shpreh: “Mua më duket se kjo është një shenjë e karakterit tënd, në thelb pozitiv, dhe dashamirësisë tënde, përderisa ishe në gjendje ta bëje këtë gjë. Në thelb, ju jeni një njeri i mirë, i cili për shkaqe kalimtare, u detyruat të veproni tërësisht jashtë karakterit tuaj gjatë asaj dite”.

Clarke u ndëshkua me 3 vite burg, teksa ka kaluar 90 ditë në paraburgim. Ai u detyrua gjithashtu të nënshkruante regjistrin e të dënuarve për vepra seksuale, për t’iu përmbajtur urdhrave të parandalimit ndaj një autori të këtyre veprave.

Avokatja e Clarke, Melanie Benn, tha se nuk mund të gjende ndonjë shpjegim për sjelljen e tij, teksa ndjen “keqardhje të thellë” për traumën e shkaktuar prej tij te viktima.

Ajo tha: “Incidenti ndodhi, ai shkoi drejt e në komisariat dhe pohoi gjithçka, por nuk dha ndonjë shpjegim se çfarë i kishte ndodhur. Ishte një sulm impulsiv, jashtë karakterit të tij, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë. Shpresoj që nderi e krenaria juaj ta pranojnë pendimin e tij, të shfaqur ndaj oficerit të policisë dhe ndaj meje”.