Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh për herë të parë lidhur me vendimin e qeverisë për makinat luksoze që do t’iu jepen institucionit të Presidencës.
Nishani deklaroi se do t’i refuzojë makinat luksoze, me arsyen se kostoja e mirëmbajtjes së dy makinave është sa dhjetëfishi i shumës që harxhon sot për mirëmbajtjen e dy makinave të reja. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri gjatë intervistës “Top Story”.
Gjithashtu kreu i shtetit përsëriti se jeta e tij private dhe e familjarëve të tij përgjohet. Duke folur për reformën në drejtësi, Nishani tha se drafti i komisionit të posaçëm ka propozime që bien ndesh me Kushtetutën, duke krijuar precedentë të rrezikshëm.
Një pjesë nga intervista:
A po merren modelet më të mira në reformat apo nismat e qeverisë?
Po marr një shembull shumë të thjeshtë. Një nga çështjet që po diskutohet sot për mënyrën se si po përdoren fondet publike është edhe ajo e marrjes së makinave të reja për institucionet, ku është vendosur që institucionit të Presidentit do t’i jepen edhe dy makina.
Ju do t’i refuzoni?
Unë gjej rastin që ta falënderoj sinqerisht Kryeministrin që ka menduar të ndihmojë institucionin e Presidentit të Republikës me këtë infrastrukturë lëvizëse. Por Presidenca nuk mund t’i marrë dhe nuk do t’i marrë sepse nuk kemi mundësi për t’i mbajtur. Sot ne si Presidencë shpenzojmë 10 milionë lekë të vjetra në vit për mirëmbajtjen e 3 makinave, që shkon në rreth 3 milionë për një makinë në vit. Na kërkohet që të paguajmë 110 milionë lekë për dy makina.
Ne nuk i kemi këto para. Por edhe nëse qeveria do të jetë e gatshme dhe bujare që të na i japë këto para, ne do të preferonim që këto para të na i jepte për gjëra më të nevojshme. Prandaj ne nuk mund t’i marrim ato dhe nuk do t’i marrim.
Atëherë, mund të themi se Nishani refuzon “Jaguar”-ët e Ramës…?
Nuk është parashikuar për Presidentin dhe nivelet e larta “Jaguar”-i, por “Mercedes”- i. Por kjo nuk ka rëndësi, unë po e adresoj këtë për standardin.