ANALIZA/ Puçi ushtarak në Turqi dhe arsyet e tij

0
254

Nga Dritan Goxhaj

Presidenti turk, Erdogani, i sapozbritur në aeroportin kryesor të Stambollit pasi i shpëtoi tentativës së vrasjes nga puçistët, po mbante një fjalim para mbështetësve të tij pikërisht nën foton e themeluesit të shtetit turk, Ataturkut. Portreti i Ataturkut në aeroportin që mban emrin e tij dukej sikur shikonte se si po shkonte fati i republikës që ai themeloi në vitin 1923.

Ataturku përdori copat e mbetura nga Perandoria Osmane pas Luftës së Parë Botërore për të ndërtuar një vend të ushqyer me nacionalizëm dhe të udhëhequr nga filozofia perëndimore. Në këtë mënyrë, ai krijoi shtetin-komb turk, dhe për ta mbajtur në këmbë këtë shtet-komb mendoi t’i ngarkonte ushtrisë detyrën për ruajtjen e sekularizmit. Nga fillimi i viteve ’70, dhe sërish nga fundi i viteve ’80, ushtria pati mundësinë të tregonte fuqinë e saj në ruajtjen e shpirtit sekular, duke ndërhyrë menjëherë dhe duke eliminuar çdo qeveri civile që mundohej të largohej nga modeli sekularist i Ataturkut. Sërish, në vitet ‘90, por këtë radhë duke përdorur mënyra të tjera, ushtria arriti të largonte nga pushteti qeverinë e parë islamike, dhe kjo u njoh si një puç postmodern.

Por në shekullin e ri fuqia dhe aftësia e ushtrisë për të larguar ose rrëzuar me një lëvizje të shpejtë një qeveri islamike është dobësuar jashtëzakonisht. Kjo u pa më së miri gjatë puçit të datës 15 korrik, kur ai nisi të copëtohej dy orë pasi filloi, e pas 24 orësh ai kishte dështuar potësisht.

Por pse ky dobësim i fuqisë ushtarake turke?

Ajo që përshkruam më lart ishte Turqia e shekullit të 20-të. Ajo e shekullit të 21-të tashmë është një Turqi në të cilën një parti islamike, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, është shndërruar në një forcë të madhe, të shtrirë nga Stambolli deri thellë në Anadoll. Një nga qëllimet e kësaj partie ishte të neutralizonte forcën (shtetin sekularist) që i kishte mbajtur poshtë për më shumë se 30 vjet. Që nga viti 1970, konservatorët islamikë ishin organizuar, por nuk kishin fuqinë e vitit 2000. Të gjitha përpjekjet e islamistëve para vitit 2000 janë ushqyer dhe ndihmuar nga kleriku Fethullah Gylen si pasues dhe nxënës i një kleriku tjetër, të quajtur Sheik Said Kurdi, i njohur si Said Nursi, i cili i përkiste traditës sufite, dhe së bashku me pasuesit e tij iu kundërvu haptazi Ataturkut lidhur me procesin e modernizimit të Turqisë. Nursiu dhe pasuesit e tij dëshironin që republika e re turke të ishte një republikë islamike sipas konceptit të tyre.

Në mënyrë që Gyleni t’ia arrinte këtij objektivi, në fillim i duhej t’i mbushte institucionet e vendit me pasues të tij. Në predikimet e tij në vitet ’90, ai thoshte: “Të lëvizim në arteriet e sistemit pa na vënë re, derisa të arrijmë të gjitha qendrat e fuqisë. Ju duhet të prisni derisa të jeni të kompletuar dhe kushtet të jenë pjekur në mënyrë që ta mbajmë botën në krahë. Ju duhet të prisni deri në kohën që keni marrë gjithë fuqitë e shtetit, derisa të keni sjellë në anën tuaj të gjithë fuqinë e institucioneve konstitucionale të Turqisë.”

Ky infiltrim nisi në fillim në forcat e sigurisë, duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit të së kaluarës nga ana e xhandarmërisë, e cila e kishte si detyrë të kontrollonte të shkuarën e njerëzve që aplikonin të hynin në forcat e sigurisë: në xhandarmëri dhe polici. Në të njëjtën kohë, në vitet ‘90 rrjete të fuqishme të lidhura me Gylenin filluan bizneset me Lindjen e Mesme, me Afrikën dhe Azinë, dhe filluan të sfidojnë dominancën sekulariste turke. U ngritën kompani mediatike të mirëfinancuara, rrjete shkollash me influencë. Gjithashtu, ata filluan të ngrinin dhe të financonin gjykatës, politikanë, mësues dhe pedagogë, gjeneralë ushtrie. Kështu, nga mesi i viteve 2000, islamistët e Gylenit kishin hyrë thellë në ushtri. Po kështu, media të ndryshme, të udhëhequra nga Fethullah Gyleni, furnizoheshin me informacione sekrete, të cilat i përdornin për të bërë shantazh mbi personelin ushtarak. Nëpërmjet një serie gjyqesh të montuara e me dëshmitarë të rremë, gjyqe këto të drejtuara më së shumti nga gjykatës që i përkisnin lëvizjes gyleniste, si për shembull, gjyqi Ergenekon në vitin 2008 dhe çështja Çekani (Balyoz) në vitin 2010, në përfundim të të cilëve 15% e gjeneralëve dhe oficerëve me bindje sekulariste u shkarkuan dhe u dënuan me burgim, u arrit të thyheshin radhët e ushtrisë dhe në to të depërtonin pasues të Gylenit.

Në vitin 2015, Erdogani i quajti këto gjyqe të fabrikuara dhe u bëri thirrje gjykatave e prokurorive t’i rishikonin cështjet e lartpërmendura mbi bazën e dyshimeve të akuzave të rreme. Në fillim të vitit 2016, gjykata turke i liroi nga burgu dhe akuza të gjithë ushtarakët e akuzuar në këto dy çështje. Me këtë lëvizje, Erdogani arriti të bënte një aleancë të re me ushtrinë, aleancë kjo që u vu re me mospjesëmarrjen e shefit të shtabit të ushtrisë dhe të një pjese të madhe të forcave të armatosura turke në puçin ushtarak të 15 korrikut.

Ky lloj infiltrimi në sistem nga ana e gylenistëve (me dijeninë e Erdoganit në atë kohë) i jep më së miri përgjigje pyetjes që ngrenë shumë gazetarë anembanë rruzullit, dhe në veçanti analistë të ndryshëm në Shqipëri dhe jo vetëm, por edhe politikanë të lartë në Evropë: Nga dolën kaq shpejt listat e të arrestuarve dhe të shkarkuarve nga detyra në të gjitha fushat e jetës dhe të administratës së shtetit turk?

Përgjigjja tashmë është e qartë: Në të kaluarën e afërt të përbashkët të të dyve për të depërtuar në sistem dhe për ta dobësuar atë në mënyrë që të arrinin të vinin në pushtet pa kundërshtimin e forcave që kishin për detyrë ta ruanin modelin sekularist të shtetit.

Pa dyshim që Erdogani ishte përfituesi kryesor i këtij depërtimi dhe i këtij dobësimi të shtetit nga gylenistët. Por, në të njëjtën kohë, Erdogani e kuptoi edhe fuqinë e tyre.

Midis viteve 2010 dhe 2013, Gyleni, nga SHBA-ja, ku qëndron në një lloj vetazili, filloi t’i kundërshtonte disa nga politikat e Erdoganit, kundërshtim ky që arriti kulmin me kritikën dhe kundërshtimin ndaj veprimeve turke në lidhje me Izraelin pas incidentit me anijen humanitare. Gjithashtu, nga fundi i vitit 2013, njerëz të Gylenit nxorën në mediat e kontrolluara nga ai inçizime të paligjshme të bisedave të rrethit të ngushtë të Erdoganit. Sidoqoftë, prishja përfundimtare erdhi në vitin 2014, kur një prokuror gylenist e akuzoi shefin e shërbimit sekret turk, si dhe urdhëroi ndalimin e tij, mbi bazën se po bënin bisedime të fshehta me lëvizjen separatist kurde për të arritur një marrëveshje paqeje pa lajmëruar qeverinë dhe pa marrë lejen e saj. Në këtë aferë u përfshi edhe shefi i policisë së Stambollit, edhe ky një pasues i lëvizjes gyleniste FETO.

Pikërisht ky moment dhe ky veprim nga ana e Gylenit, vetëm për arsyen personale të mospërfshirjes në bisedime, bëri kthesën kryesore, pa kthim mbrapa, të luftës së hapur të Erdoganit kundër gylenistëve. Me veprimin e tij, prokurori cenoi rëndë sigurinë kombëtare të Turqisë, dhe, si rrjedhojë, organizata FETO u listua nga qeveria si një organizatë terroriste. Pasi kjo nuk u mjaftua vetëm me dekonspirimin e bisedimeve, por vazhdoi më tutje, duke arrestuar nëpërmjet pasuesve të saj në radhët e policisë dhe të xhandarmërisë figura të larta të komunitetit kurd, të cilët ishin të përfshirë në bisedimet për paqe. Që nga ky moment, Erdogani vendosi t’i sulmonte dhe ta largonte nga gylenistët pushtetin që ata kishin fituar. Kështu, Erdogani nisi një fushatë kombëtare dhe ndërkombëtare kundër tyre. Që nga kjo kohë, qeveria ka mbyllur zyrat e mediave gyleniste, ka konfiskuar banka dhe biznese, ka mbyllur rrjete shkollash dhe ka larguar gjykatës.

I vetmi vend ku Erdogani akoma nuk kishte filluar spastrimin nga gylenistët ishte ushtria. Por edhe këtu, me sa duket në nuhatje të ndonjë lëvizje për këtë puç, ai kishte vendosur të mblidhte Këshillin e Lartë Ushtarak më 1 gusht, jashtë parashikimeve. Në këtë mbledhje ai kishte paralajmëruar largimin nga detyra të një numri të madh gjeneralësh (26 prej tyre), si dhe zëvëndësimin e shumë prej komandantëve të niveleve të ndryshme, listat e të cilëve ishin përpiluar nga shërbimi sekret turk bazuar në të kaluarën e tyre dhe në lidhjet me lëvizjen gyleniste. Duke parë se tashmë po humbnin çdo mundësi për të realizuar në perfeksion planin e tyre, puçistët, të detyruar, vendosën që lëvizjen e planifikuar për disa ditë më vonë ta bënin në datën 15 korrik.

Pavarësisht se pasuesit e Gylenit ishin faktori kryesor në këtë puç ushtarak, ata janë përdorur nga ana e atyre që nuk janë dakort me politikat e Erdoganit, që duan ta shohin Turqinë ashtu siç ua la Ataturku. Kjo shpjegohet nga arrestimi i këshilltarit ushtarak të Erdoganit, i cili nuk i përkiste aspak lëvizjes gyleniste, por një grupi sekularist brenda ushtrisë, grup ky i cili nuk ia fali asnjëherë Erdoganit mbështetjen që ai u dha në fillim gjyqeve të rreme të gylenistëve kundër lidershipit të ushtrisë, e nuk ka qenë asnjëherë dakord me autoritarizmin dhe konservatorizmin fetar të tij.

Kjo u pa qartë kur ata që e udhëhoqën këtë puç më 15 korrik deklaruan krijimin e “Këshillit për paqe në vend” për të qeverisur pas Erdoganit. Shprehja që ata përdorën, “Yurta sulh, cihanda sulh”, që do të thotë, “Paqe në vend, paqe në botë”, është përdorur për herë të parë nga Ataturku në vitin 1931. Atëherë kjo u bë moto e politikës së jashtme turke.

Të njëjtën moto përdori edhe një nga themeluesit e neootomanizmit, ish-ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutogllu, kur Erdogani erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2004.

Ky puç i dështuar hoqi edhe një mister të madh mbi sulmet terroriste të këtij viti në Turqi. U bë më se e qartë se pas këtyre sulmeve qëndronin këto forca ushtarake dhe policore, të cilat autorësinë e këtyre sulmeve ia veshën një grupi të devijuar dhe të sajuar kurdësh, të quajtur “Skifterët e Lirisë së Kurdistanit”, ndërkohë që vetë PKK-ja (Partia Komuniste Kurde) mohoi të ketë gisht në këto sulme, si dhe e mohoi ekzistencën e këtij grupi në radhët e saj. Pjesëmarrësit në këtë puç i organizuan këto veprime terroriste me qëllimin e vetëm të destabilizimit të rendit publik dhe kushtetues të Turqisë, në mënyrë që të kishin më shumë mundësi ta përligjnin këtë puç.

Duhet patjetër të themi se ky puç ushtarak, dhe jo grusht shteti, nuk ishte i organizuar nga vetë Erdogani, ashtu si pretendojnë disa media të lidhura me lëvizjen gyleniste. Por ama kjo po kthehet në një mundësi të artë për Erdoganin për të realizuar një “grusht shteti” për të larë hesapet njëherë e përgjithmonë me Gylenin, me lëvizjen dhe pasuesit e tij, në të gjitha instancat shtetërore, me anë të vendimeve administrative në forcat e sigurisë (xhandarmëri, polici), në gjyqësor (gjykatë, prokurori), në administratën civile (ministri të ndryshme), në ushtri, e deri në sistemin arsimor, privat dhe shtetëror, të mesëm dhe të lartë. Ky puç ushtarak i ka dhënë mundësinë Erdoganit të realizojë “grushtin e shtetit” më të përsosur që ka njohur historia e njerëzimit nga pozita qeverisëse.

Megjithatë, Fethullah Gyleni vazhdon të qëndrojë aktualisht në Amerikë nën mbrojtjen e fortë të CIA-s dhe të ish-ambasadorit amerikan në Turqi, Graham Fuller. /tesheshi.com/