Një zë serb kundër patriarkut Irinej

Komentatori i gazetës “Politika” Borko Jakshiq, në një shkrim autorial, të botuar sot në këtë të përditshme të Beogradit në versionin online, iu ka kundërvënë patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe Irinej, i cili, lidhur me zhvillimet për kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, kishte thënë se “Kosovën do ta mbrojmë me hir ose me pahir”.
Patriarku serb Irinej e ka kaluar vijën e kuqe e cila e ndan shtetin sekular nga feja, kishën nga politika.

Lidhur me kërkesën e Prishtinës që trashëgimia historike, kulturore dhe ortodokse serbe ta vërë nën emrin e shtetit Kosova, patriarku ka deklaruar se “nëse ndodh me forcë, duhet të bëjmë çdo gjë që me hir a forcë ta kthejmë atë”.

Derisa Serbia me të gjitha përpjekjet diplomatike përpiqet që bashkësinë botërore ta bindë se hyrja e Kosovës do të ishte precedent i Kombeve të Bashkuara dhe shton se nëse anëtarësimi nuk është asgjë tjetër, ai të paktën është i hershëm, pastori shpirtëror i serbëve ortodoksë, kërcënohet me përdorim force.
Për dallim nga kohët e mëhershme, kur përdorimi i forcës përcaktonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, kësaj radhe nuk ka “forcë” e cila t’i përgjigjet kontekstit të fjalëve të patriarkut. Në Paris, beteja rreth anëtarësimit në UNESCO zhvillohet duke u bazuar ekskluzivisht në “forcën e butë”, të cilën e përcakton edhe mjeti që Serbia e ka në disponim.

Meqë nga sllavofilët rusë e kanë huazuar triadën „Zoti – Mbreti – Atdheu”, zyrtarë të KOS-it gjithnjë e më shumë po përzihen në politikën botërore. Po hyjnë në shpërputhje serioze me politikën shtetërore në mënyrën që është e palejueshme për vendin që e konsideron veten sekular bashkëkohor, në të cilin shteti është i ndarë nga Kisha.

Shenjtëria e tij, të themi, kohë më parë ka deklaruar se Republika Srpska „është shtet serb i krijuar në kohën tonë” që ta tubojë rreth vetes popullin serb, ndërsa në majin e vitit 2014 në një intervistë ai i ka ftuar serbët ta shembin B e H-në dhe t’i bashkohen Serbisë.
Kisha dhe krerët e saj kanë të drejtë në qëndrimin e vet, i cili nuk duhet doemos të jetë në harmoni me atë të shtetit, sado që është e dëshirueshme, por ajo nuk guxon të përzihet në vizionet e tij të zhvillimit të ngjarjeve.

Patriarku mundet dhe ta tërheqë vëmendjen e botës ortodokse se shenjtoret e KOS-it janë në “rrezik të madh” dhe se ato i kërcënon “katastrofa humanitare”, të apelojë që kundërshtimi serb të zgjerohet me internet dhe nëpër rrjetet sociale.
Mundet, zoti irinej, t’i shkruaj edhe patriarkut rus Kiril, sado që do të duhej ta dinte se djepi i ortodoksisë ruse sot gjendet në Ukrainë.

Në kë llogarit patriarku kur e përmend “forcën”? Në igumenët dhe protojerët, të cilët do t’i mobilizonte, armatoste dhe do t’i dërgonte të kthejë trashëgiminë e rrëmbyer në Kosovës? Apo në Ushtrinë e Serbisë, të cilën klerikët do ta bekonin para nisjes, ashtu siç bënte dikur vlladika Amfilohije duke e përcjellë në luftë Arkanin?

Pajtimi i patriarkut për mundësinë e përdorimit të forcës vjen vetëm disa ditë pasi ai shfaqi shpresën se feja do të bëhet lëndë e detyrueshme në shkolla. Gjithmonë kam menduar se feja e ka vendin në kishë e jo në shkolla, e tani çfarë të mendoj? Se përmes fesë do të zhvillohet edhe mësimi i paraushtarakut?

Nuk është kurrfarë zbulimi se kisha përzihet në gjërat botëror. Nuk është hera e parë, por është më e rrezikshmja deri më tash, sepse ajo fton shpirtrat militantë të së kaluarës. Dhe këtë e bën mu në ditën kur kryeministri Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur frikës së Angela Merkelit se kriza e refugjatëve mund ta ndezë gjithë Ballkanin, kishte deklaruar se “jemi të ngopur nga luftërat”./Koha.net

Artikulli paraprakFemra shqiptare është kafshë, ajo ma hanë!
Artikulli vijuesPapa: Shumë priftërinj e përdorin Kishën