Njerëz me ndikim

Njerëzit si krijesa të Allahut dallojnë në shumë aspekte ndërmjet tyre. Krahas dallimeve të mëdha në dukjet, gjuhët,shijet dhe të ngjashme me to, ata dallojnë edhe më tepër në ambiciet dhe vullnetet e tyre. Disa nga ata mjaftohen me një jetë tejet modeste pa shënuar ndonjë arritje të theksuar, ndërsa disa të tjerë nuk ndalen derisa të prekin majat e suksesit të synuar. Në bazë të këtyre dallimeve ata ndahen në pasues dhe të pasuar, në udhëheqës dhe të udhëhequr. Prandaj çdo popull i ka të preferuarit e tij, që shërbejnë si shëmbëlltyra dhe u referohen mësimeve të tyre për tërë atë që kanë nevojë në jetën e tyre. Tek ne muslimanët, padyshim se të dërguarit e Allahut zënë vendin kryesor në këtë drejtim. Allahu i Madhëruar i zgjodhi, që ata të jenë shembull për njerëzit dhe përmes mësimeve dhe udhëzimeve të tyre të ndikojnë në jetën e njerëzve në përgjithësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, prandaj edhe ti ndiq rrugën e tyre.” (Enam-90.)
Ndërsa për të Dërguarin tonë thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab-21.) Nga kjo na bëhet e qartë, se të dërguarit e Allahut në përgjithësi janë mësuesit e njerëzimit dhe janë shembuj për ta. Në krye të tyre është i Dërguari ynë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka qenë dhe do të mbetet shembulli i pazëvendësueshëm për tërë njerëzimin deri në ditën e fundit të kësaj bote. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem la pas vete një trashëgimi të madhe të fjalëve dhe veprave, që na mbetet neve t’i ndjekim ato mësime dhe t’i vejmë në praktikë ato që na janë e kërkuar. Mirëpo duke pasur parasysh se jo të gjithë nga muslimanët do të kenë mundësi të kenë qasje në këtë trashëgimi dhe do të kenë ambicie për t’u marrë me studimin dhe shtjellimin e kësaj trashëgimie, atëherë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem veçoi një kategori të posaçme njerëzish e për të cilët na thotë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e të dërguarve.”

Dijetarët tanë me përkushtimin më të madh iu qasën kësaj trashëgimie dhe e përcollën në mënyrën më dinjitoze, duke u shndërruar kështu në shembuj të gjallë dhe praktikë të atyre që do t’i mbrojnë vlerat dhe do t’i luftojnë të gjitha ato dukuri negative, që rrezikojnë shoqërinë në përgjithësi. Dijetarë tanë në dallim nga të tjerët, nuk ishin dhe nuk mbetën vetëm burime informacionesh, duke bërë kështu një ndarje të dhunshme mes asaj që flitet dhe veprohet, por u kthyen në shembuj devotshmërie, morali, sinqeriteti e shumë të tjera, të cilat para se t’ua mësonin të tjerëve me fjalë ua mësonin përmes veprave të tyre. Tek të tjerët mund të gjejmë, që një i dijshëm i tyre, që ua mësoi njerëzimit shumë gjëra të dobishme të ketë qenë në anën tjetër i thyer shpirtërisht, plot depresione e shqetësime.

Ka pasur të atillë që preferuan për veten e tyre, që përmes vetëvrasjes t’i japin fund jetës së tyre e shumë anomali të ndryshme, që i lexojmë përtë tillë dijetarë, të cilët fatkeqësisht nuk arritën që përmes dijes që patën ta ndriçojnë zemrën e tyre dhe t’i garantojnë vetes së tyre një jetë më të lumtur. Prandaj ne me plot mburrje dhe krenari flasim për dijetarët tanë, sikurse Ebu Hanifeja, Maliku, Shafiu, Ahmedi, Sufjani, Evzaiu etj. Krahas asaj që ishin shembuj të diturisë ata njëherësh ishin edhe shembuj devotshmërie, sinqeriteti, bujarie, guximi, solidariteti, morali etj. Ne si muslimanë kur flasim për ta dhe trajtojmë biografitë e tyre duhet që pos dijes që marrim nga ata dhe me kënaqësi ndjekim mësimet e tyre, të marrim nga ata edhe ndikimin e këtyre mësimeve në jetën e tyre të përditshme. Një qasje selektive ndaj trashëgimisë që lanë na bën të mangët dhe na privon edhe nga përfitimi real edhe i vetë diturisë që marrim nga ata.

Në qoftë se preferojmë për veten tonë që të ndjekim mësimet e tyre, atë- herë duhet që të përfitojmë edhe nga devotshmëria e tyre, nga morali, sinqeriteti, bujaria etj. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi që të përfitojmë nga ata dhe nëse eventualisht takohemi tek ndonjë mospajtim mes tyre atëherë kjo do të shërbejë si pasuri e asnjë- herë si mundësi për përçarje dhe konflikt. Një trajtim i kompletuar i biografisë së tyre do të na sillte përfitime të ndryshme e që në vijim do të mund të veçonim disa prej tyre:
Dëshmia konkrete se mësimet islame janë të pranueshme për natyrshmërinë e njeriut
Jo rrallëherë dëgjojmë sot zëra të atillë, që e pranojnë se Islami i ka mësimet më të mrekullueshme, më të arsyeshme, por e meta është se njeriu nuk mund t’i vërë në praktikë ato. Këta dijetarë janë dëshmitarët më të mirë, se njeriu ka mundësi të jetë autoritativ dhe njëkohësisht të jetë i devotshëm dhe i moralshëm. Ata na mësojnë se kemi mundësi të merremi me dituri, me punë dhe njëherësh edhe t’i përkushtohemi Zotit tonë me adhurime dhe vepra të mira. Nga ajo që ata na lanë bindemi, se është e mundshme që njeriu ta refuzojë atë që i ofrohet nga të mirat materiale, në qoftë se marrja e tyre do të ishte në llogari të parimeve dhe vlerave që i bart njeriu. Të gjitha këto dhe shumë gjëra të tjera këta dijetarë na i dëshmojnë se janë të mundshme dhe të realizueshme.
Përkryerja e veprave
Nga jeta e dijetarëve tanë mund të veçojmë edhe atë, se çdo punë që kanë bërë dhe e bëjnë janë përpjekur, që ta kryejnë në mënyrën më të përkryer. Prandaj nëse shikon në kërkimin e diturisë i gjen në majat e këtij kërkimi me ç’rast ka ndodhur, që në kërkimin e një thënie të të Dërguarit të udhëtojnë me ditë e javë. Nëse shikon në adhurimin e tyre vëren se kanë bërë përpjekjet maksimale, që të jenë të përkushtuar dhe të devotshëm në këtë adhurim. Prandaj nëse i referohemi këtyre shembujve do të kemi mundësi të shtojmë veprat tona dhe të përmirësojmë kualitetin gjatë kryerjes së tyre.
T’i edukojmë fëmijët tanë nën hijen e këtyre shembujve
Të rinjtë tanë sot kanë të preferuarit e tyre dhe duke i pasur ata si shembuj mundohen që si ata të vishen, të sillen, të flasin etj. Fatkeqësia qëndron në atë, se këta shembuj jo vetëm që nuk janë muslimanë, por ata edhe ushtrojnë profesionet më të pafrytshme për shoqërinë. Në mungesë të shembujve të mirëfilltë apo në prezantimin e cunguar të tyre, atëherë muslimanët e gjejnë veten të detyruar të kërkojnë alternative tjera. Në prezantimin e mirëfilltë të dijetarëve tanë, si p.sh. në shfrytëzimin e kohës, në leximin dhe studimin e gjatë, në guximin dhe trimërinë e shumë të tjera muslimani i kësaj kohe do të gjendet para një thesari shumë të pasur suksesesh dhe arritjesh me ç’rast nuk do të ketë as nevojën minimale për huazime. Madje këta shembuj do t’ia bëjnë të qartë, se kush i dha me të vërtetë kontribut shkencës dhe njerëzimit në përgjithësi.
Burim i krenarisë dhe inkurajimit
Përmes këtyre shembujve dhe trajtimit të mirëfilltë ku mësojmë për sukseset dhe të arritjet e tyre, na përshkon në vazhdimësi një krenari, se ne si muslimanë kemi qenë gjithnjë ata të cilët promovuan realisht vlerat e lirisë dhe të drejtave. Ne – me ndihmën e Allahut- u treguam njerëzve se si udhëhiqet dhe administrohet me vendin dhe pasurinë. Ua mësuam atyre sinqeritetin, devotshmërinë, bujarinë, guximin etj. Në anën tjetër, tek ata gjejmë se në rrethana shumë më të pavolitshme se ato që ne gjendemi sot dhe me kushte e mundësi shumë më të vogla se sa i kemi ne, megjithatë ia arritën dhe prekën majat e suksesit në të gjitha rrafshet e kësaj bote. Prandaj ky është një inkurajim për ne, që të mbështetemi tek Allahu i Madh dhe pastaj të përdorim atë që kemi për dore për të arritur atje ku është e kërkuar nga ne të arrijmë. Për këto dhe shumë të tjera, na nevojitet një studim më i thelluar dhe më përfshirës i biografive të dijetarëve tanë e që pastaj me lejen e Allahut këto mësime të na çojnë atje ku çuan edhe vetë ata që i jetësuan në praktikë këto mësime.

Hoxhë Enis Rama – Qershor,2011, (Revista Albislam)

Artikulli paraprakRahmetli Jakup Hasipi: Ja pse Islami do ta mbisundojë Evropën
Artikulli vijuesBesim Mehmeti gjunjëzon Komunën e Shtimjes