Noam Chomsky për Donald Trump: një shenjë e kobshme për rracën njerëzore

Linguisti dhe intelektuali i njohur Noam Chomsky shpjegon në këtë intervistë për “The Guardian” përse Brexit është i parëndësishëm, përse mohimi nga Donald Trump i ngrohjes globale është katastrofik – dhe përse revolucioni është më i lehtë nga sa mendohet. Ai së fundmi, ka marrë pjesë në një dokumentar britanik, që bën fjalë për efektet e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe: “The Divide”, apo “Ndasia”.

“The Divide” tregon se problemi aktual me pabarazinë nisi me zgjedhjen e Margaret Thatcher dhe Ronald Reganit. A jeni dakord me këtë?

U përshkallëzua shpejt nën Reganin dhe Theçërin, të cilët i dhanë pabarazisë një lloj kuadri ideologjik, por unë mendoj se duhet në të vërtetë të kthehemi pas në kolapsin e sistemit Bretton Woods rreth 10 vjet më herët, kur Shtetet e Bashkuara i dhanë fund konvertimit të dollarëve në ar. Kjo gjë e zhvendosi ekonominë globale në mënyrë goxha radikale drejt financiarizimit, dhe i dha hov spekulimit.

Në dokumentar, ju e përshkruani  besimin e njerëzve në përfitimet e kapitalizmit si një lloj “feje”, duke shtuar se ajo që kemi në të vërtetë është vetëm një iluzion i kapitalizmit. Por nëse bota ka rënë kaq keq si rezultat, përse askush nuk ndërgjegjësohet?

Mendoj se njerëzit e kuptojnë. Thjesht hidh një sy se çfarë ndodh në Europë, në Shtetet e Bashkuara, në Amerikën Latine e gjetkë. Publiku në përgjithësi është në një gjendje mes zemërimit dhe tërbimit ndaj asaj që po ndodh. Kjo është arsyeja e rrëzimit të mjedisit politik tradicional dhe rritjes së atyre që quhen grupe populiste në të dyja anët e spektrit.

Demokracia në Europë po bie. Vendimet merren në Bruksel, jo në parlamentet kombëtare dhe njerëzit e dinë këtë gjë.

A do të thotë kjo se jeni në favor të Brexit?

Jo në të vërtetë. Në fakt nuk jam as entuziast, por unë mendoj se me gjasa zgjedhja më e keqe do të ishte Brexit. Ndjesia ime është se kjo do ta dërgonte Britaninë – ose ndoshta Anglinë, nëse Skocia tërhiqet – edhe në një varësi më të madhe nga Shtetet e Bashkuara. Dhe ka shumë gjëra të mirë që kanë ndodhur në Europë që nga lufta e dytë botërore. Këto gjëra duhen shpëtuar dhe mendoj se një gjë e tillë është e mundur.

Kështu, ju jemi bërë më shumë optimist tani që besoni se uria për ndryshim po e shfaq veten anembanë botës?

Unë mendoj se kemi farat e ndryshimit. Ato mund të lulëzojnë dhe të adresojnë problemet masive me të cilat përballemi. Ato mund edhe të mos mbijnë. Ne nuk e dimë këtë. Kjo është një zgjedhje. Dhe nuk kemi përmendur ende problemet më të këqija: problemet ekonomike janë mjaft të këqija, ashtu sikundër edhe problemet sociale, por shumë më të këqija se këto janë kërcënimet e mëdha për mbijetesën e rracës njerëzore – kërcënimi i një lufte bërthamore dhe katastrofa mjedisore.

Ja, nëse hedh një sy në preliminaret e garës presidenciale në SHBA, mund të mbetesh pa fjalë dhe i tronditur nga iracionaliteti i rracës. Ka dy probleme të jashtëzakonshme që duhet të përballim pikërisht tani dhe ato pothuajse mungojnë në primaret presidenciale.

 A ju jep shpresë se disa nga super-të pasurit si Bill Gates, Mark Zuckerberg dhe Ëarren Buffett kanë dëshirën të falin pjesën më të madhe të parave të tyre?

Do të vini re edhe reduktime të mëdha në taksa, po ashtu. Ka pasur gjithnjë aristokratë bamirës. Kjo nuk më bën mua të bie në dashuri me sistemin feudalist.

 Cili do të ishte efekti i zgjedhjes së Donald Trump?

Eshtë e vështirë ta them pasi ne nuk e dimë vërtet se çfarë mendon ai. Dhe nuk jam i sigurtë nëse ai e di se çfarë mendon. Ai është në mënyrë perfekte i aftë për të thënë  gjëra kontradiktore në të njëjtën kohë. Por ka disa element goxha të qëndrueshëm të ideologjisë së tij, saqë edhe mund ta marrësh të mirëqënë se ai e ka këtë koncept. Një prej tyre është: “Ndryshimet e klimës nuk po ndodhin”. Apo ashtu si flet ai: harrojeni.

Dhe kjo është pothuajse një shenjë e kobshme vdekjeje për rracën – jo nesër, por vendimet që ne marrim pikërisht tani do të ndikojnë gjërat si do të jenë pas disa dekadash dhe për punë disa brezash mund të jetë katastrofë.

Nëse do të ishte gara mes Trump dhe Clinton, a do të votonit për Clinton?

Nëse do të isha në një shtet të rëndësishëm që vendos, dhe zgjedhja do të ishte mes Clinton dhe Trump, do të votoja kundër Trump. Dhe me aritmetikë, kjo do të thotë zër hundën dhe voto për Clinton.

Ju flisni shumë për kapitalizmin, politikën dhe pabarazinë. A lodheni ndonjëherë nga kjo. A dëshironi ndonjëherë që dikush t’ju pyesë për diçka tjetër?

Mirë, pra, nga pikëvështrimi im, ka dy kategori të mëdha çështjesh. Të parat janë lloji që njerëzisht janë të rëndësishme por nga ana intelektuale janë goxha të cekëta. Lloji tjetër është ato që intelektualisht janë të thella dhe sfiduese, mirëpo që nuk kanë domethënie imediate njerëzore. Nëse do të kisha një zgjedhje, do të qëndroja më mirë me të dytat, por për fat të keq bota nuk do t’ia dijë.

A ndjehesh ndonjëherë sikur të ka ardhur në majë të hundës.

Është si të shohësh një fëmijë në rrugë dhe një kamion që po vjen rrëmbyeshëm. A mund të thuash: shiko, jamë shumë i zënë duke menduar për çështje të rëndësishme, kështu që do ta lë kamionin të vrasë fëmijën? Apo del në rrugë dhe merr fëmijën?

Por nëse do të kishte fëmijë tjetër, çdo ditë, për dekada me radhë?

Nuk ka rëndësi. Më kujtohet filozofi Bertrand Russell kur u pyet përse e shpenzonte kohën duke protestuar kundër luftës bërthamore dhe arrestohej duke marrë pjesë në demostrata. Përse nuk vijonte punën me problemet serioze filozofike dhe të logjikës, që kishin një domethënie më të madhe intelektuale? Dhe përgjigja e tij ishte goxha e mirë. Ai thoshte: “Shiko, nëse unë dhe të tjerë si unë vetëm punojnë mbi ato probleme, nuk do të ekzistojë më asnjë tjetër rreth e  rrotull për t’i vlerësuar apo për të qenë të interesuar për to”.

Çfarë do t’ju pëlqente të shihni të ndodhë, në atë rast?

Do të më pëlqente të shihja hapa seriozë dhe domethënës të hedhur për t’i dhënë fund përdorimit të karburanteve fosile, për të krijuar sisteme të qëndrueshme energjetike dhe për të shpëtuar botën – sa kemi mundësi – nga katastrofa e mundshme mjedisore. Do të lëvizja më shpejt drejt uljes së konfrontimeve ushtarake, që janë goxha serioze, dhe të drejtohesha në përmbushjen e detyrimit tonë të ligjshëm për ta pastruar botën nga armët bërthamore.

Do më pëlqente që vendet të bëheshin demokraci, e jo plutokraci.

Si mund ta kthesh një plutokraci në demokraci?

 Nuk është shumë e vështirë. Në Shtetet e Bashkuara, kjo do të bëhej thjesht duke shkuar pas në idetë qendrore. Duke cituar John Deëey, filozofin social amerikan më të madh të shekullit të njëzetë, derisa të gjitha institucionet – industriale, tregtare, mediatike e të tjera- janë nën kontroll demokratik apo në duart e atyre që ne tani i quajmë palë të interesuara, politika do të jetë hija e hedhur nga biznesi i madh mbi shoqërinë. Kjo është elementare dhe mund të bëhet.

 

Marrë nga: Tesheshi.com

Artikulli paraprak“Presidencialet amerikane 2016”, sondazhet: Hillary 3% mbi Trump
Artikulli vijuesPër shkak të kushteve të vështira për jetesë refugjatët zhvendosen nga Idomeni