Nuk votohet peticioni kundër shtrenjtimit të rrymës

Miratimi i pjesshëm i rekomandimeve të Komisionit për Peticionin me 33 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ka bërë që subjektet opozitare ta lëshojnë sallën e Kuvendit. 
 
Pak kohë pas bojkotit të seancës, përfaqësuesit e opozitës paralajmëruan se do ta riprocedojnë në Kuvend sërish kërkesën origjinale të 33 mijë qytetarëve të Kosovës, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre për shtrenjtimin e energjisë elektrike. 
 
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, tha se koalicioni PDK- LDK e shkeli peticionin e 33 mijë qytetarëve, ndërsa ka kritikuar edhe Komisioni për të Drejta të Njeriut dhe Peticione se ka shtrembëruar kërkesat e qytetarëve.

Në diskutimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e projektligjit për faljen e borxheve që qytetarët e Kosovës dhe bizneset u kanë institucioneve, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se plani i qeverisë është konfuz.
 
“Qeveria duhet të jetë më e qartë, dhe qytetarët duhet ta kuptojnë se çfarë përfitojnë nga ky ligj”. “Në bisedat që kam pasur me qytetarët ata nuk e dinë dhe nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë me borxhet e tyre”, ka thënë ai.
 
Konjufca ka thënë se qeveria duhet t’i kategorizojë borxhlinjtë.
 
Sipas tij, ata që i kanë borxh shtetit të Kosovës, ndahen në dy kategori: mospagues të borxheve prej halleve dhe mospagues manipulativë të borxheve.
 
Deputeti i LVV-së, ka thënë se këto dy kategori që i detyrohen shtetit të Kosovës, nuk do mund të barazohen.
Artikulli paraprakVdes princi saudit Saud al-Faisal
Artikulli vijuesErdogan: Nga ISIS do të shpëtojmë me luftë