A po bëhet Vetëvendosje aleat i madh i ndërkombëtarëve?

0
373

Meritat se pse nuk u bë e mundur zhbërja e Speciales në Kosovë, i ka Vetëndosje, parti që në fakt ka qenë kundër miratimit të saj dy vjet me parë.

Madje qëndrimin kundër saj vetëvendosësit e mbajnë edhe sot, por të premten ata nuk ju bashkuan valles së partive në pushtet, PDK, AAK, NISMA që ta rrëzojnë Specialen pasi iniciativën e 43 deputetëve e vlerësojnë të pasinqertë dhe të dirigjuar nga presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj.

Me veprimin e tyre Vetëvendosje si kurrë më parë u bë aleate me ndërkombëtarët, për çka vet presidenti Thaçi por jo vetëm, i kanë akuzuar disa herë për marrëdhënie jo të mira me ta.

Përfaqësuesit e VV-së, Glauk Konjufca e Aida Dërguti, të premten mbrëma qëndruan në zyrën e grupit parlamentar të LDK-së,duke pamundësuar kuorumin, e rrjedhimisht mbledhjen e jashtëzakonshme ku do të votohej për shfuqizimin e Speciales.

Gjatë kësaj kohe, së bashku me ta qëndruan edhe ambasadori amerikan Greg Delaëie e ai britanik Ruairi O’Connell ku koordinuan qëndrimin e tyre.

Dhe pasi séance dështoi, kryeu i grupit parlamentar të Vetëvendosje-s e arsyetoi mospjesëmarrjen, siç tha, me ngutitë e pashpjegueshme. Mirëpo Konjufca mohoi të kenë pasur presion nga ambasadorët.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër Gjykatës Speciale, por për atë se si duhet të rrëzohet ajo mund të diskutohet. Vetëvendosje nuk është pjesë e asnjë grupi, nuk i shkon askujt pas. Nuk shfuqizohet Specialja pa ndryshuar amandamenti kushtetues”, tha Konjufca.

Pavarësisht nëse ndikuan apo jo ndërkombëtarët që vetëvendosësit të bojkotojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, tashmë një gjë dihet, që ky vendim do t’i përafrojë edhe më tej raportet mes dy palëve.

Siç duket, ndërkombëtarët po bëjnë një aleat të ri në Kosovë, pra Vetëvendosje-n me të cilën kanë përmirësuar dukshëm raportet, ndërsa veprimi rrufe i PDK-së për ta anuluar Specialen mund t’i ketë acaruar raportet e kësaj të fundit me diplomatët e huaj.

Ky zhvillim vjen disa muaj pasi Albin Kurti paralajmëroi një stinë të re në raportet mes VV dhe ndërkombëtarëve.

“Në vitin 2014-të kas pasur edhe kritere shtesë për qeverisjen e Vetëvendosje-s përveç votave, tashmë mund të thuhet se nuk ekzistojnë kriteret e tilla, ne trajtohemi të gjithë në mënyrë të barabartë dhe kushdo që e formon shumicën parlamentare prej 61 deputetëve do të krijon qeverinë e cila do të pranohet e do të mbështetet nga faktori ndërkombëtarë”, deklaroi Kurti.

Dhe tashmë është momenti që kjo të testohet në terrenin e gjërave, falë Speciales.