“I bëjmë thirrje mbarë botës, të gjitha vendeve të botës, të gjithë miqve tanë, hapur të qëndrojnë me Turqinë kur është çështja e luftës kundër terrorizmit”, tha Zëvendëskryeministri i Turqisë
ORDU (AA) – Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş pas sulmit terrorist, i cili ndodhi sot në mëngjes në Stamboll, i bëri thirrje mbarë botës dhe miqve të vendit të tij, që hapur të qëndrojnë me Turqinë në luftën kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kurtulmuş gjatë qëndrimit në qytetin verior turk Ordu shprehu ngushëllime për familjet e të viktimave në sulmin terrorist dhe tha se ata (terroristët) “po tentojnë ta zbatojnë planin e tyre tradhtar”. Ai tha se populli turk, çka do të bëjnë ata, asnjëherë nuk do të dorëzohet në kurthet e tyre.
“Ky popull nuk do t’ia lejojë kalimin askujt që dëshiron të merret me terrorizëm, porse do të bëjë që vëllazëria të jetë e përhershme dhe deri në Ditën e Gjykimit në këto hapësira do të jetojnë në paqe. I bëjmë thirrje mbarë botës, të gjitha vendeve të botës, të gjithë miqve tanë, të gjithëve që i konsiderojmë për miq, hapur të qëndrojnë me Turqinë kur është çështja e luftës kundër terrorizmit”, tha Zëvendëskryeministri i Turqisë.
Ai shtoi më tej se: “Lufta kundër terrorizmit është përgjegjësi kombëtare dhe ajo kërkon solidaritet kombëtar, unitet dhe bashkim. Dhe duke luftuar kundër terrorizmit i bëjmë thirrje të gjithëve që të jenë si një, jo vetëm kundër atyre që janë autor të sulmeve terroriste, por edhe kundër “forcave të errëta” që i shpiejnë në të”.
Sulmi terrorist në Stamboll ka ndodhur gjatë ditës së sotme. Ministri i Shëndetësisë të Turqisë, Mehmet Müezzinoğlu, në lidhje me sulmin terrorist në Beyoğlu të Stambollit, u shpreh se kanë humbur jetën 4 qytetarë dhe janë plagosur 36 të tjerë.