Nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës me mbi 184 mijë mungesa

0
159
????????????????????????????????????

Vetëm gjatë gjysmë-vjetorit të parë të vitit shkollor 2018/19 në shkollat e mesme të komunës së Prishtinës janë bërë mbi 184 mijë mungesa.

Nga gjithsej 13 shkolla të mesme që janë në Prishtinë, këto mungesa janë bërë më shumë të arsyeshme sesa të pa arsyeshme. Sa i përket atyre të arsyeshmëve janë 110 mijë e 256, ndërsa të pa arsyeshme janë 74 mijë e 325.

Sipas të dhënave të komunës që i ka siguruar KALLXO.com njëra ndër shkollat që ka pasur më së shumti mungesa të nxënësve gjatë gjysmë vjetorit të parë, është Shkolla e Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” me gjithsej 33,446 mungesa. Prej tyre janë 19,263 të arsyeshme dhe 14,183 të pa arsyeshme.

Drejtori i kësaj shkolle, Jahë Sahiti tha për KALLXO.com se numri i madh i nxënësve është shkaktari kryesor i këtyre mungesave.“Ne kemi shumë nxënës dhe kanë munguar edhe për shkak të gripeve, po ashtu janë edhe disa nxënës të komunave të tjera që vonohen në orët e para të mësimit. Arsye tjetër është edhe sepse nxënësit tanë kanë më shumë punë në teren, por disa prej tyre janë edhe të arsyeshme, por ne kemi numër të madh të nxënësve rreth 1 mijë e 372 nxënës edhe kjo mundet me qenë arsyeja kryesore”, tha Sahiti.

 

Kurse sa i përket shkollës së mesme që ka pasur më së pakti mungesa gjatë kësaj periudhe, është Gjimnazi i Specializuar Matematikor. Nxënësit e këtij instituticioni arsimor kanë bërë vetëm 776 mungesa.Ku prej tyre janë 634 të arsyeshme dhe 142 të pa arsyeshme

Drejtori i kësaj shkolle, Shemsi Berisha tha se rregullat që ai i përdorë në shkollë kanë sjellur rezultate të tilla.“Ne mësimin e kemi zhvilluar normalisht dhe ka qenë një lloj kujdesi më i shtuar edhe nga unë edhe nga kujdestarët e të gjitha klasave por edhe nga prindërit. Unë e kam praktikë që mbledhjet i mbajë vetë me nxënës dhe prindërit dhe u tregoj atyre për mungesat që ata i bëjnë. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse ka ardhur ky rezultat”, tha ai.