Obama në iftarin e shtruar në Shtëpinë e Bardhë, falënderon posaçërisht Samantha Elauf-in

Presidenti amerikan shtroi një iftar të hënën në Shtëpinë e Bardhë, me pjesëmarrjen e 150 të ftuarve, mes të cilëve kishte amerikanë muslimanë, anëtarë të Kongresit, dhe pjesëtarë të trupit diplomatik nga vendet muslimane.
 
“Ne pohojmë se çfarëdo që të jetë besimi ynë, ne jemi të tërë një familje,” tha mes të tjerash Obama në fjalën e tij të shkurtër teksa iu drejtua të pranishmëve.
 
Ai do të theksonte më tej se, “iftari është një kujtesë e lirive që na lidhin ne së bashku si amerikanë, duke përfshirë lirinë e fesë, atë të drejtë të pacenueshme për të praktikuar lirisht besimin tonë.”
 
Mes të pranishmëve, ai përmendi posaçërisht Samantha Elauf-in, e cila u bë e njohur me gjyqin e fituar më 1 qershor në Gjykatën e Lartë kundër kompanisë Abercrombie&Fitch, që nuk kishte pranuar ta punësonte për shkak të hixhabit që ajo mbante.
 
“Samantha, ne jemi krenarë për ty,” u shpreh presidenti i ngazëllyer. “Ajo qe e vendosur të mbronte të drejtën për të mbajtur hixhab, e për të patur mundësi të njëjta si çdokush tjetër. Dhe ajoi fitoi.”
 
Obama foli dhe për tre të rinjtë muslimanë që u vranë në shkurt të këtij viti në Karolinën e Veriut, si dhe për nëntë anëtarët me ngjyrë të kishës të vrarë javën e shkuar.
 
“Ne këmbëngulim se askush nuk duhet vënë në shenjë për atë se kush janë… si adhurojnë,” vijoi presidenti.
 
Shtrimi i iftarit në Shtëpinë e Bardhë me rastin e muajit të Ramazanit është një traditë e nisur nga ish-presidenti Bill Clinton dhe e vazhduar nga George W. Bush.  /tesheshi.com/
Artikulli paraprakSerbët pengojnë iftarin, duke thirrur “Kosova është Serbi”
Artikulli vijuesReuters: Efektivin e RENEA-s e vranë ish-kultivuesit e kanabisit