OKB, dështojnë rezolutat për Sirinë. Njëra ndalet nga vetoja ruse

0
195

Asnjë nga dy projektrezolutat për situatën në Siri, të cilat u paraqitën në Këshillin e Sigurimit, nuk u miratuan. Teksti i propozuar nga Franca dhe Spanja u rrëzua për shkak të vetos së Rusisë, ndërsa proprozimi i vetë rusëve nuk arriti të marrë 9 votat minimale.

Versioni franko-spanjoll bënte thirrje për zbatimin e armëpushimit, zgjidhje politike, përmirësim i situatës humanitare dhe shtimin e përpjekjeve për të luftuar terrorizmin.

Ambasadori britanik Matthew Rycroft i tha përfaqësuesit rus Vitaly Churkin, njëkohësisht kryetar i seancës, se kjo veto e Rusisë dëshmoi edhe njëherë atë që dihej prej kohësh, sesa i pasinqertë është angazhimi rus për procesin e paqes.

Ndërsa Churkin iu përgjigj se Britania duhet të heqë dorë nga zakonet kolonialiste të ndërhyrjes në çështjet e brendshme të shteteve sovrane. Kina abstenoi dhe ambasadori i saj në Këshillin e Sigurimit tha se nuk kishte zgjedhje tjetër.

“Disa nga elementët e përmbajtjes nuk reflektojnë në mënyrë të plotë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, si dhe nuk janë pëfshirë pikëpamjet e disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit”, tha Liu Jieyi.

Rezultati ishte 11 në favor dhe dy abstenime. Ndërsa drafti i paraqitur nga Rusia u bënte thirrje të gjitha palëve t’u japin fund armiqësive, në mënyrë që të shtohen përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe të përkrahet i dërguari special i Këshillit të Sigurimit në Siri.

Versioni rus mori vetëm 4 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime. Të dy votimet  u organizuan në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, në përpjekjen e radhës për t’u dhënë fund bombardimeve në Aleppo, ku që prej muajit korrik nuk mbërrijnë ndihmat humanitare.