Anëtarët e Parlamentit nga Partia Konservative e Kryeministrit David Cameron u bashkuan sot njëzëri me zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në thirrjen që Britania e Madhe të pranojë më shumë refugjatë nga Siria dhe vendet e tjera të prekura nga lufta.
Cameron me këmbëngulje është shprehur se nuk i bind “pranimi i më shumë refugjatëve”, pavarësisht paralajmërimit nga Gjermania se qëndrimi i tij dëmton marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian.
Tom Tugendhat, ligjvënës konservator nga qyteti juglindor i Kentit, deklaroi se ka biseduar me shumë anëtarë të tjerë, që duan që Mbretëria e Bashkuar të bëjë më shumë për këtë situatë.
“Komuniteti ynë i përbashkët kërkon masa vepruese brenda dhe jashtë vendit”, theksoi ai.
Shumë gazeta britanike pasqyruan në faqen e parë foto të djalit trevjeçar sirian, i cili u mbyt pasi ra nga një gomone në bregdetin turk.
Burime nga gazeta “The Independent” thanë se kanë përdorur foton e djalit “për të theksuar realitetin e situatës së dëshpëruar, me të cilën po përballen emigrantët”.
“Është koha që David Cameron të tregojë humanizmin e tij”, shtuan burimet e gazetës.
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për emigracionin ndërkombëtar, Peter Sutherland, deklaroi se Britania është ndër ato vende të BE-së, që mund të bëjë më shumë në ndihmën për emigrantët, ndërsa “të tjerët po mbajnë barrën më të madhe”.
Yvette Cooper, kandidatja kryesuese për forcën politike opozitare, Partia Labouriste, ka kërkuar që Britania e Madhe të pranojë të paktën 10.000 refugjatë të tjerë nga Siria dhe vende të tjera të prekura nga lufta.
– Këshilli i Evropës kritikon fjalimet e Cameron mbi refugjatët –
Komisionieri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks, ka kritikuar fuqishëm Kryeministrin britanik, David Cameron, që të presë më shumë refugjatë, duke theksuar se vendi i tij përpiqet shumë më pak se sa vende të tjera si Gjermania dhe Suedia.
Muiznieks u shpreh shumë i shqetësuar për deklaratat e David Cameron, i cili kishte gjykuar të mërkurën se “më e rëndësishmja është të vendoset paqja dhe stabiliteti në rajonet në krizë, sesa të merren në mbrojtje gjithnjë e më shumë refugjatë”.
“Nëse është e vërtetë se duhet të dërgojmë një paqe të gjatë në Siri dhe në vendet e tjera të shkatërruara nga lufta, është gjithashtu e vërtetë se Britania e Madhe ka detyrimin ligjor dhe moral që të presë ata, që i largohen luftës dhe persekutimit”, kundërshtoi Komisioneri për të Drejtat e Njeriut.
“Tragjeditë e reja dhe pamjet tronditëse mund të evitoheshin nëse krerët politikë do të kishin pasur guximin dhe vendosmërinë që të mbronin të drejtat e njeriut dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, shtoi ai.
Sipas shifrave zyrtare, vetëm 216 persona të prekur janë pritur si refugjatë në Angli që prej marsit të vitit 2014 dhe në total 5.000 sirianë kanë marrë azil gjatë katër viteve të fundit.
Që prej fillimit të luftës civile në vitin 2011, më shumë se 4.000.000 sirianë kanë braktisur vendin e tyre.