OKB kritikon Çekinë për trajtimin e migrantëve

Shefi për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Ra’ad al-Hussein, ka kritikuar Republikën Çeke për politikën e ndalimit të migrantëve në “kushte poshtëruese”.

Zeid ka thënë se raporte të besueshme tregojnë se shkeljet e të drejtave të migrantëve më Çeki “janë sistematike”.

Ai ka përmendur në veçanti objektin e paraburgimit Bila-Jezova në veri të Pragës, duke thënë se edhe vetë ministri çek i Drejtësisë, Robert Pelikan, ka vlerësuar se ai është “më i keq se burgu”.

Zeid ka thënë se është po ashtu i alarmuar nga një diskurs publik i ksenofobisë, përfshirë edhe deklaratat islamofobike të presidentit çek, Millosh Zeman.

Zyra e Zemanit, megjithatë, ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se “presidenti, për kohë të gjatë, ka paralajmëruar për kërcënimin e fundamentalizmit islamik” dhe se “ai qëndron pas mendimit të tij dhe nuk do ta ndryshojë atë nën presionin nga jashtë”.

Artikulli paraprakClinton do të dëshmojë për sulmin në Libi
Artikulli vijuesTronditëse, mësuesja përdhunon një nxënës 10-vjeçar dhe mbetet shtatzënë