Në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë opozita siriane po e shqyrton propozimin e ndërmjetësuesit Staffan De Mistura për t’i dhënë fund konfliktit në këtë vend, transmeton Klan Kosova.
Megjithatë, kundërshtarët e presidentit Bashar Al Asad, të cilët përkrahen nga Arabia Saudite, nuk e përjashtojnë mundësinë e largimit nga negociatat.
Shkak për këtë veprim, sipas tyre, janë vuajtjet e popullit të Sirisë nga ofenzivat e forcave të presidentit Asad.
Përfaqësuesit e këtij të fundit, në Gjenevë të Zvicrës, akuzuan opozitën për lidhjet e tyre me Shtetin Islamik, të cilët janë përjashtuar nga procesi negociator.
Sipas autoriteteve siriane, pjesëtarët e opozitës dhe terroristët e shtetit islamik janë fajtor për shpërthimin e të dielës në Damask.
Zëdhënësi i delegacionit opozitar sirian, Salim al-Muslat, i përshkruajti diskutimet me ndërmjetësin De Mistura, si pozitive dhe inkurajuese sa i përket çështjeve humanitare.
Ai ka shtuar se takimi me ndërmjetësuesin ka zgjatur për disa orë në mbrëmjen e së dielës.
Ndërkaq, të hënën emisari i Kombeve të Bashkaura pritet të takojë delegacionin qeveritar e më pas përsëri opozitarët.
Në këto bisedime, mungojnë përfaqësuesit e kurdëve të Sirisë, që e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të territorit në pjesën veriore të Sirisë.
Kombet e Bashkuara po synojnë për gjashtë muaj këto bisedime që do të fokusohen në arritjen e një armëpushimi të gjerë, duke punuar drejt një zgjidhjeje politike për luftën civile që ka vrarë më shumë se 250.000 njerëz.