Vrasje, trafiqe droge, armësh, pastrim parash, me këto veprimtari mund të përkufizohet secila prej organizatave më të mëdha dhe më të frikshme që funksionojnë sot në të gjithë rruzullin. Ndonëse secila prej 24 grupeve më të fuqishme mafioze ka mënyrën e veçantë të veprimit, ka edhe nga ato që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Padyshim organizata më e madhe është “Cosa Nostra” italiane dhe ajo amerikane. Për të mos lënë më pas “Camorra”-n, mafien ruse dhe atë aziatike.
Secila ka të veçantat e veta, por të gjitha kanë të përbashkëtën e madhe, veprimtarinë e kundraligjshme.
Ç’do të thotë “Mafia”
Mafia është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale. Analizat moderne të këtij fenomeni e cilësojnë mafien si “organizatë pushteti”, duke vënë në dukje se ekzistenca e saj nuk varet nga të ardhurat e shumta nga veprimtaritë e saj ilegale, por nga bashkëpunëtorët që kanë pozita në institucione të ndryshme shtetërore, sidomos politikanë.
Prejardhja e fjalës “Mafia”
Termi “Mafia” u përdor fillimisht Sicili për të përkufizuar organizatën “Cosa Nostra”. Mendohet se fjala “Mafia” mund të ketë disa origjina etimologjike. Ndoshta vjen nga fjala arabe “Ma-Hias”, që do të thotë “fortësi”, duke e lidhur me fuqinë e anëtarëve të kësaj organizate. Një hipotezë tjetër është prejardhja nga fjala arabe “Mu’afak”, (mbrojtje ndaj të dobëtit). Ndërsa prejardhja më e mundshme e kësaj fjale mendohet të jetë nga dialekti toskan, ku fjala “Maffia” do të thotë “mjerim”. Sipas Xhuzepe Pitre, një prej historianëve më të shquar italianë të traditës popullore, termi “Mafia” ka qenë shumë i përhapur në zhargonin e një pjese të Palermos dhe ishte sinonim i bukurisë dhe trimërisë. Për herë të parë fjala “Mafia” ka hyrë zyrtarisht në fjalorin italian në vitin 1863, kur regjisorët Di Giuseppe Rizzotto e Gaetano Mosca vunë në skenë “Mafiusi di la Vikaria”, një dramë që u përkthye në italisht, në gjuhën napolitane, duke mundësuar kështu përhapjen e këtij termi në të gjithë territorin italian.
“COSA NOSTRA” italiane
Është themeluar në fillim të shekullit XVI në Sicili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në ShBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA dhe u lanë të lirë në mënyrë që t’i siguronin mbështetje në Itali aleatëve. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano.
“CAMORRA”
Kjo organizatë është themeluar nga mesi shekullit XVI në Napoli. Fjala “Camorra” dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve për të siguruar mbrojte. Këto të dhëna i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë më 1735. “La Camorra” aktualisht vepron në 111 vende (përfshirë këtu qytete dhe provinca). Struktura e saj është e ngjashme me atë të “Cosa Nostra”-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. Fusha kryesore e veprimtarisë së saj është trafiku i drogës, falsifikimet, vënia e gjobave, trafiku i armëve, prostitucioni, rrëmbimet, etj. Shefat historikë të “Camorra”-s kanë qenë Karmine Alfieri dhe Rafaele Kutolo.
“NDRANGETA”
Kjo organizatë e ka selinë në Kalabri. Përbëhet nga 144 organizime me 5600 anëtarë. Ajo e realizon kontrollin e saj në territorin kalabrez falë lidhjeve mafioze të quajtura “Ndrine”. Ka një strukturë të dukshme horizontale, ekzistojnë lidhje të ngushta midis grupeve të ndryshme, por nuk ka një qendër drejtuese rajonale apo provinciale. “Ndrangeta” ka kryer dy vrasje të ashtuquajtura të mëdha, në gusht të vitit 1991 vrau prokurorin Skopeliti dhe më pas ish-presidentin e hekurudhave të Italisë, Ludoviko Ligato, si dhe cilësohet me karakter të dukshëm antishtet. Shefi historik i “Ndrageta”-s është konsideruar De Stefano.
“SACRA CORONA UNITA”
Nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet ‘80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies, për sa i përket territorit dhe aferave, por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh.
“STIDDA”
Organizata “Stidda” është themeluar në Sicili, por nuk ka asgjë të përbashkët me “Cosa Nostra”-n siciliane. Ngjason më shumë me “Sacra Corona Unita” me qendër në Pulia. Anëtarët e saj nuk janë vetëm italianë, por edhe shqiptarë, afrikanë dhe aziatikë. Madje janë të anëtarësuar edhe rusë. Merret kryesisht me trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, trafik armësh dhe deri diku me pastrim parash. Anëtarët e kësaj organizate kanë kryer disa vrasje, të cilat nuk kanë pasur bujën e vrasjeve të organizuara nga “Cosa Nostra”, “Camorra” apo “Sacra Corona Unita”. Është një organizim mjaft i ri dhe i veçantë i mafies italiane, për të mos thënë organizimi më i ri.
“ORGANIZATSYA”
Kjo organizatë, e cila vepron edhe sot, i ka fillimet që në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: Grupe të vogla të përbëra nga 10 deri në 15 persona, të pavarur në mënyrë direkte nga krerët e mafies, brigadat e mëdha që përbëhen nga 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit “vjedhësit e ligjit”, që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Duke qenë se shumica janë avokatë, mjekë, inxhinierë dhe politikanë, ata janë të aftë të realizojnë projekte dhe operacione financiare me shifra stratosferike. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh.
“NEOMENKLATURNAJA”
Interpretimi i fenomeneve mafioze në Rusi do të duhej vendosur në një kontekst më të gjerë analizash mbi të ashtuquajturën “Nomenklaturnaja privatizacija” (kjo do të thotë privatizim në shërbim të nomenklaturës), falë së cilës, eksponentë të nomenklaturës së lartë dhe të mesme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kanë arritur, në pjesën më të madhe, që gjatë viteve të tatëpjetës dhe rrëzimit të regjimit komunist (1986-1992) të shndërrohen në kapitalistë dhe pronarë të rinj, nëpërmjet një veprimtarie bashkëpunimi për përvetësimin e burimeve financiare, shpesh në bashkëpunim me mafien e organizuar edhe jashtë Rusisë.
“YAKUTSA”
Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve ’90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave. Riti tjetër i organizatës mafioze japonezë “Yakutsa” është Yubitsume, e cila ka të bëjë me prerjen e gjymtyrëve të ndryshme të trupit. Në të tre këto ceremoni protagonistët janë oyabun, (kapo), kobun, (vartësit).
“COSA NOSTRA” amerikane
U themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre e pati Mori, prefekti i Palermos gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve.
“SOLMCEVO”
Është një organizatë mafioze ruso-aziatike, e cila funksionon kryesisht në Hungari, Republikën Çeke, Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, SHBA, Kosta Rika, Izrael, por edhe në shumë vende të tjera të Azisë së Jugut. Është një organizatë që për nga ashpërsia konkurron me “Cosa Nostra”-n dhe “Camorra”-n. Merret kryesisht me trafik armësh, qeniesh njerëzore dhe droge. Kriminaliteti ruso-aziatik është tashmë i specializuar në trafikun e heroinës që vjen nga “Trekëndëshi i Artë” (Birmani-Laos-Kamboxhia) dhe nga “Gjysmëhëna e Artë” (Pakistan-Afganistan-Iran) dhe për shpërndarjen vijuese në vendet e ish-BS-së, Evropës dhe SHBA-së.
“MOGILEVIC”
Organizata “Mogilevic” është grupimi më i fortë i mafies në Hungari, Budapesti është baza operative e kësaj organizate. Rrjeti i saj është i shtrirë në Ukrainë, Republikën Çeke, Izrael, SHBA, Karaibe, etj. Kjo organizatë mafioze, e cila ka ndikim ruso-aziatik ka perfeksionuar metodat për riciklimin e kapitaleve të paligjshme dhe është në avangardë në përdorimin e transportit të naftës, metaleve joferrikë dhe materialeve strategjike, në operacionet për pastrimin e parave “të pista”, jo vetëm të tyre, por edhe të organizatave të mëdha kriminale ndërkombëtare.
“IVAN KOV”
Është një organizatë tipike mafioze ruse, por që funksionon më tepër jashtë kufijve të Rusisë, madje shumë larg. Organizata “Ivan Kov” e ka shtrirë rrjetin e saj kryesisht në SHBA dhe Karaibe. Kjo organizatë ka instaluar baza operative për trafikimin e heroinës nga Hong Kongu, Singapori dhe Bangkoku, ku bashkëpunon me “Triadë”-n kineze. Heroina transportohet nëpërmjet ajrit nëpër Lindjen e Largët, në Azinë Qendrore dhe kështu, me tokë, përmes Pakistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe, vijon në Moskë, San Peterburg, nga ku malli niset me maune për në Evropën Perëndimore dhe me avion në SHBA.
“XXI SECOLO”
Është një organizatë mafioze ruso-aziatiko-italiane dhe ka lidhje të forta me mafien gjermane, amerikane, izraelite dhe qipriote. Kjo organizatë vazhdon të shtrijë praninë e saj ende jashtë kufijve të Federatës Ruse, madje edhe jashtë kufijve të vetë CSI-së, në tregun e ligjshëm dhe të zi të rajoneve të ndryshme të botës, Evropë Qendrore dhe Lindore (ku dominon bota e krimit), Evropë Perëndimore, SHBA, Afrikë, Amerikë Qendrore dhe Jugore, Lindje e Afërt dhe e Largët. Kriminaliteti i kësaj organizate është tashmë në gjendje të konkurrojë ose të bashkëpunojë në barazi të plotë me organizatat kriminale ndërkombëtare më të fuqishme.
“CERNOJ”
Është organizata mafioze ruse më e frikshme e gjithë Evropës. Ajo funksionon në Britaninë e Madhe, Zvicër, Izrael, Montekarlo e deri në SHBA. Trafiku i fëmijëve është specialiteti i kësaj organizate, por jo më pak janë edhe vrasjet dhe ekzekutimet makabre. Kjo mafie ruse merret me shitjen dhe blerjen e foshnjave dhe shërbimi i fshehtë gjerman thotë se ka të dhëna se organet e fëmijëve lypsarë të vrarë nga mafia ruse janë dërguar me
dokumente të falsifikuara në klinikat e vendeve perëndimore për t’u përdorur për transplant organesh. Ky është specialiteti, por jo më pak i rëndësishëm është trafiku i armëve dhe drogës.
“TRIAD”
Në shqip do të thotë treshe, është organizata më e fuqishme mafioze për trafikun e drogës. “Triad”-a kineze është marrë si shembull konkurrimi për mafien ruso-aziatike. Anëtarët e kësaj organizate kanë instaluar baza operative për trafikimin e heroinës në Hong Kong, Singapor dhe Bangkok. Fillesat e kësaj organizate mund të themi që janë më të lashtat në krahasim me të gjitha mafiet e tjera, ato datojnë që në vitin 1760. Por megjithëse kjo organizatë ka shekuj që është krijuar, veprimtaria e saj kriminale ka nisur në vitin 1911, kur është kryer edhe vrasja e parë nga anëtarët e saj. Është po aq e frikshme sa mafia perëndimore.
“CARTEL”
Është cilësuar si organizata më e fuqishme në trafikun e kokainës. Kjo organizatë mafioze është formuar në vitet 1970-1980 nga Madellin Cartell në Koumbi. “Kartelet” kolumbiane janë rrjeti më i fuqishëm i transportit të kokainës jugamerikane, të destinuar për tregun evropian dhe atë të ish-Bashkimit Sovjetik, për të cilin SHBA shërben si pikë tranziti. Kohët e fundit është vënë re se me këtë organizatë të fuqishme mafioze ka lidhje edhe e ashtuquajtura mafie shqiptare. Por jo aq sa mafia ruso-aziatike. Ndërsa deri dje Kolumbia ishte prodhuesja numër një e substancave narkotike, tashmë po konkurrohet nga Rusia.
“IZMAJLOVO”
Në mafien ruse nuk mungojnë shembujt të lidhjes së ngushtë ndërmjet pushtetit politik dhe strukturave mafioze, të zbuluara nga hetimet ligjore. I tillë është rastin Aleksej Iljusenko, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, i akuzuar se ka favorizuar shoqërinë e naftës “Balkan Trading”. Do të mund të përmendej edhe lidhjet ndërmjet ish-zv.kryeministri Oleg Soskovec dhe ish-ministri i Sportit Samil Tarpisev me grupin kriminal “Izmajlovo” dhe me vëllezërit Cernoj (me të cilët Aleksandr Lebev kishte lidhje), lidhjet e Aleksandr Korzakov, ish-shef i Shërbimit të Sigurimit Presidencial, tashmë të cituarin Fondacioni Kombëtar i Sportit.
“MAZUTKINO”
Është një organizatë ruso-aziatike që merret kryesisht me trafikun e armëve, drogës, gurëve të çmuar dhe qenieve njerëzore. Rrjeti i saj është i shtrirë në Poloni, Austri, Gjermani, Lihtenshtein, Zvicër, Montekarlo, Itali, SHBA, etj. Nga faktorët konkurrues dhe frenues të mafies ruso-aziatike, si një nga protagonistët kryesor në tregun e heroinës është ekspansioni galopant i kultivimit të bimës së hashashit në vendet ish-sovjetike të Azisë Qendrore (vlerësohet se në këtë zonë, kryesisht në Uzbekistan, Taxhikistan dhe Kirgistan ka tre milionë hektarë të mbjella me hashash, që kontrollohet nga organizatat mafioze lokale).
“RUDAJ”
Aleks Rudaj është kreu i një bande shqiptare që jeto në Bronx të New Yorkut. Banda e tij njihej sidomos në fushën e manipulimit të basteve. Banda u krijua rreth vitit 1993 dhe fuqia e saj arrin kulmin në fillimin e viteve 2000. Sipas hetuesve amerikanë, veprimtaria e tyre ka filluar në distriktin e Bronxit dhe më pas është zgjeruar edhe në të tjerët. Një nga karakteristikat e kësaj organizate, ishte fakti që ajo ishte e dhunshme. Sipas hetuesve, ajo arriti të pushtonte disa zona dhe t´i vinte ato nën kontroll, vetëm në saj të dhunës që ushtronte ndaj personave që ngrinin kokë kundër saj.
FAMILJA E “MAFIES SË ZEZË”, SHBA
U krijua nga Demetrius Flenory dhe vëllai i tij, Terry. Kjo bandë e filloi aktivitetin e saj kriminal duke shitur doza të vogla kokaine në rrugët e Detroitit gjatë viteve ’80 dhe përfundimisht u zhvillua brenda gjithë vendit dhe jashtë SHBA-së. Investigimi dyvjeçar i federalëve konkluduan se anëtarësimi i saj është gjithëpërfshirës. Banda ka marr goditjen e saj më të madhe në vitin 2005, ku gjatë një aksioni të DEA (strukturë policore amerikane) u arrestuan 30 persona që dyshohej të ishin pjesë e “Familjes së Mafias së Zezë”, si dhe një sasi prej 9.5 kilogramë heroinë, dhe 10 milionë dollarë.
“MAFIA E ZEZË”, FILADELFIA
Në vitet 1980 disa të rinj të afërm me njëri-tjetrin krijojnë grupin “Mafia e të rinjve zezakë”. Ajo kontrollonte gangsterët xhamajkanë, të cilët kishin kontrollin e trafikut të kokainës në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njësoj si më të vjetrit, ata ishin tmerrësisht të dhunshëm dhe të mësuar me frikësimin e dëshmitarëve dhe vrasjeve. Lideri i saj, Aaron Jones ka vdekur në Pensilvani. Pjesa tjetër që ngeli e “Mafias së zezë” shpesh bashkëpunonte me mafian italiane të Filadelfias. Kryesisht mafiat amerikane kanë qenë të dhunshme dhe fusha kryesore ku vepronin ishte pikërisht trafiku i drogës.
MAFIA TURKE
Është quajtur si një organizatë kriminale shumë e fuqishme. Mafia turke ka pasur në kontroll një pjesë të madhe të trafikut të heroinës në të gjithë botën. Mafia turke disa herë ka qenë bashkëpunëtore me mafian ruse, dhe pak me mafian italian. Ashtu si organizatat simotra edhe mafia turke operonte më tepër në trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe të “mishit të bardhë”, siç njihet në gjuhën e mafias. Madje sipas disa raporteve, vetëm tetë vjet më parë në Stamboll operonin nga organizata e mafies turke 200 gangsterë. Kontrolli i mafias turke arrinte deri në lindjen e mesme, dhe disa herë edhe deri në vendet aziatike.
“HARLEM”
Shumë pak dihet për bandën e famshme të Harlemit, që operonte në New York. Pothuajse e gjithë organizata kriminale e Harlemti gjatë kohës së depresionit të madh, kontrollohej nga italianët, çifutët dhe gangsterët irlandezë. Ata patën lirinë për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në ato vite. Aktiviteti i saj ishte në kumar, prostitucion dhe drogë. Harlemi ishte një lagje e New Yourkut, dhe në atë periudhë ka qenë ndoshta më aktivja, kudo në rrugë gjeje gangstera, të cilët kishin vendosur ngado rregullat e tyre. Harlemi pati rëndësinë e vetë në kohën kur u krijua, dhe kumari ka qenë aktiviteti i saj më i shpeshtë.
“MAFIA IRLANDEZE”
Banda irlandeze është një nga organizatat më të vjetra kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka ekzistuar që nga fillimi i shekullit të 19 deri në ditët e sotme. Origjina e saj ishte në lagjen amerikanë të irlandezëve, dhe më pas banda irlandeze u përhap në të gjitha qytetet kryesore të Amerikës, duke përfshirë Boston, New Yorl, Çikago, New Orleans, Filadelfia dhe Atlantik Siti. Gjithashtu aktiviteti i saj ishte shtrirë edhe në Kanada e quajtur si banda e vdekjes së Montrealtit. Ajo ishte bota e krimit. Historia e mafies irlandeze përfshin edhe qytetet e Irlandës, Anglisë dhe Skocisë.