Fatmir Limaj: Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri kanë nisur të zbatohen edhe në praktikë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh koordinator Kombëtar për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, Fatmir Limaj, ka pritur në takim një delegacion të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të kryesuar nga ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e Shqipërisë.

Në këtë takim të dy kabinetet janë njoftuar me të arriturat për vendosjen e Pikës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, pastaj për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming si dhe për kryerjen e veprimtarive të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vermicë, bën të ditur një njoftim nga zyra e Limajt.

Zëvendëskryeministri Limaj u shpreh i kënaqur që vendimet të cilat janë marrë në mbledhjen e dy qeverive, të mbajtur në muajin nëntor në Pejë, kanë nisur të jetësohen në praktikë.

Në të njëjtën kohën ai tha se të dy qeveritë po angazhohen në funksion për jetësimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

“Kjo tregon se takimet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri nuk janë thjesht politike e publike, siç janë komentuar, por kemi kaluar në veprime konkrete të cilat kanë për objektiv mirëqenien, lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, integrimin”, ka thënë Limaj.

Limaj ka paralajmëruar se takimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në jetësimin e plotë të marrëveshjeve.

Në këtë takim nga Qeveria e Kosovës, pjesëmarrës ishin ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi, drejtori i Doganës, Bahri Berisha si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

 

Artikulli paraprakAvni Arifi: Pse të hiqet taksa të hënën a ka me na njoftë Serbia
Artikulli vijuesGazetarisë në UP vitin e ardhshëm mundë ti vihet drryni