Qeveria nuk ua ka vazhduar shtesat 12 prokurorëve specialë që kanë kompetenca ekskluzive për t’u marrë me krim të organizuar, terrorizëm, apo krime lufte. Pagat e tyre nga ky muaj do t’u dalin pa shtesat prej 800 eurosh që i kanë marrë nga viti 2011.
Vendimin për këto shtesa e kishte marrë Qeveria që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.
Kësisoj, të ardhurat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale do të jenë 1. 130 euro e jo 1. 816 euro si deri tash. Madje gati sa ata paguhen ekspertët që punojnë në këtë Prokurori. Ata marrin vetëm 110 euro më pak se prokurorët.
Kërkesa e Prokurorisë për buxhet shtesë për vitin 2015 është 210 mijë euro.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Sevdije Morina, ka thënë për “Kohën Ditore” se ndalimi i shtesave për prokurorët do të ndikojë direkt në punën e Prokurorisë. Ajo ka thënë se edhe me shtesat që kanë marrë ka pasur vështirësi në rekrutimin e prokurorëve që merren me rastet më të rënda.