Pajaziti: Politika shqiptare si dëshpërim kolektiv

Në Kondovë dhe Haraçinë të Shkupit gjatë 16 viteve të fundit u vranë shqiptarë në ditën e votimeve me qëllim që dikush të bëhet pjesë e qeverisë dhe të bëhet milioner. Kështu ka vlersuar për Zhurnal, Profesori universitar dhe sociologu i famshëm në Maqedoni, Ali Pajaziti, duke dhënë detaje për mënyrën sesi kanë funksionuar partitë shqiptare të cilët kanë qenë pjesë e qeverisë së Maqedonisë.

Ai thotë se partitë shqiptare u gjunëzuan para kryeministrave maqedonas, por rasti me Gruevskin është rasti më tronditës kur të gjithë shqiptarët u përkulën para VMRO-DPMNE-së, për shkak të interesave të ngushta të partive shqiptare. Pajaziti më tej thekson se është për habi sesi militant partiak të pashkolluar kanë kapur funksione të larta shtetërore, madje edhe janë bërë ministra. Sipas tij shqiptarët asnjëherë nuk do ti harrojnë projektet antishqiptare si Shkupi 2014, Enciklopedia maqedonase, dhe politizimi i skajshëm u Universiteteve.

Nga ana tjetër shqiptarët e Maqedonisë u ofenduan rëndë edhe në baza fetare, ku në karnevalin e Vevçanit u përbuzën elementet fetare islame, por ndaj gjithë këtyre fenomeneve asnjëher nuk reaguan partitë shqiptare. Pajaziti gjithashtu jep komente edhe për shtatoren e Isa Boletinit në Saraj të Shkupit. Mes tjerash thotë se kjo komunë është e mbytur nga bërllogu, ndërsa tani ka munguar vetëm shtatorja e Isa Boletinit.

Profesori universitar mendon se është një gabim fatal kur partitë politike angazhohen vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, deri në shpalljen e rezultatit nga KSHZ-ja. Pas këtij momenti partitë zhduken që janë në opozitë, ndërsa ata në pushtet mbyllin gojën përgjithmonë.

Më poshtë në mënyrë integrale pa ndërhyrje mund të lexoni deklaratën e plotë dhënë për Agjencinë e lajmeve Zhurnal, Ali Pajaziti

Shqiptarët e Maqedonisë luftën e 2001-it e perceptuan si një purgator për të dalur te parajsa sociale, për t’i realizuar ëndrrat e tyre për të qenë i barabartë në një shtet multietnik, për t’i realizuar të drejtat dhe për të gjetur mirëqenien e vërtetë, por 15 vjet pas , sot në vitin 2016, shqiptarët e këtushëm janë të dëshpëruar nga të arriturat kolektive dhe individuale, të udhëhequr nga dy subjektet kryesore politike të cilat në kokën e shqiptarit ordiner kanë humbur çdo vlerë, kanë shpërdoruar çdo shans të dhënë nga masa, kanë deformuar dhe banalizuar tejmase vijën e zhvillimit-evoluimit të këtij komuniteti që besonte se Maqedonia post-ohërase do të jetë më e mirë se ajo parakonfliktuale. Degradimi i trurit shqiptar duke avancuar militantët e pashkollë nëpër poste të ndryshme, deri te më të lartat, paraqet zhgënjimin më të madh për popullatën shqiptare. Loja me luftën ndërpartiake i armiqësoi tejmase raportet vëllazërore, prodhoi një “tjetër” brenda vetë shqiptarëve, tjetri politik, kundër të cilit duhej folur, sharë, milituar, madje edhe vrarë (Kondova, Haraçina). Inferioriteti karshi bllokut maqedonas, në veçanti ndaj atij konservator (VMRO-DPMNE) është një mëkat tjetër i pafalshëm i lidershipit shqiptar këtu ndër ne. Diskriminimi mbeti një praktikë dhe narrativ që vazhdon të jetojë në Maqedoni, nga librat shkollorë, ASHAM, ekonomi, zonat ekonomike, botime, urbanistikë (Shkupi 2014), art e kulturë, figura historike. Rrahjet, nënçmimi i nderit familjar, gjykime të padrejta, loja me vlerat tona nëpër karnevale e stadiume-salla. Vetëdestruktiviteti është një tipar tjetër i lidershipit shqiptar: Imagjinoni çfarë lojërash janë bërë dhe janë duke u bërë me USHT-në (skenë debatesh propartiake – 2006-2008, punësimi 2008-2016 dhe disiplinim studentësh nëpër bodrume, rektorë të dëbuar e të ardhur  me forcë, lojëra me emrin), deri në Gjyqin Kushtetues, universitet i ri, pa kurrfarë baze infrastrukturore, me kuadro inekzistente në shumë fusha. Ndaluni pak te Isa Boletini, në një fshat sillet, përreth tmerr ekologjik dhe infrastrukturor, rrënoja, mbetje, tulla betoni të rëna. Kujtoni shpërnguljen e popullatës, në veçanti të asaj rinore që ka humbur shpresat e fundit se diçka mund të bëhet këtu diçka me këta njerëz që na udhëheqin. Me një fjalë, bateria e luftës është harxhuar më, nacionalizma xhaferiane që s’gjeti bartës të mirëfilltë, gjithashtu. Shpresa e vetme është një deus ex machina, një ndërhyrje nga ndonjë fuqi tjetër, mbinjerëzore, ose te subjekte të reja që do merrnin mësim nga e kaluara e zymtë e tranzicionit tonë, kur gjithë kauza nis një muaj para zgjedhjeve dhe poërfundon me shpalljen e rezultateve nga KSHZ. Benefitet për klikën dhe rrjetin e simpatizantëve, grushti për popullin dhe meritorët nga mesi jonë.

 

Artikulli paraprakHalili: “Dora e Ngrohtë”, vazhdon tju kthej buzëqeshjen familjeve të varfëra, komuna e Bursës ndihmoi mbi 400 synetime
Artikulli vijuesDita e dytë nga bllokimi i taksive nga Gjevgjelia të transportit hekurudhor ndërkombëtar