Pajisjet mobile do ta kalojnë numrin e popullsisë së botës në fund të këtij viti

Në fund të vitit 2013, në botë do të ketë më tepër pajisje mobile sesa njerëz.

Sipas raportit të fundit nga Cisco (Visual Networking Index Global Mobile Data Traffic Forecast Update), ‘oreksi’ i konsumatorëve për pajisje mobile është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, dhe po vazhdon të rritet me ritme të pandalshme.

Faktikisht, Cisco parashikon se trafiku global i të dhënave mobile do të rritet 13-fish deri në vitin 2017, ndërkohë që do të jenë të lidhura në rrjet mbi 10 miliardë pajisje mobile. Për më tepër, parashikohet se shpejtësia e rrjetit mobile do të rritet me 7 herë krahasuar me shifrat e sotme.

Nëse i referohemi vitit 2012, shohim se numri i tabletëve të lidhur në rrjet u rrit me 2.5 herë duke arritur në 36 milionë dhe çdo tablet gjeneronte 2.4 herë më tepër trafik se një smartfon i zakonshëm. Android nga ana tjetër, tejkaloi nivelet e iPhone përsa i përket përdorimit të të dhënave në SHBA dhe Evropë.

Me përhapjen e jashtëzakonshme të këtyre pajisjeve, edhe përdorimi i të dhënave mobile po kap majat më të larta – trafiku botëror mobile u rrit me 70% në vitin 2012, duke shënuar një shifër pothuajse dy herë më të lartë se ajo e një viti më parë. Këto shifra janë 12 herë më të larta krahasuar me internetin e vitit 2000 në të gjithë botën.

Konsumatorët po kërkojnë gjithmonë e më tepër edhe video mobile. Ato përbënin 51% të trafikut mobile në vitin që lamë pas, ndërkohë që Cisco parashikon se në vitin 2017, kjo formë shpërndarje e përmbajtjes në internet do të përbëjë dy të tretat e trafikut global./PCWorld

Artikulli paraprakPerëndimi po perqafon Islamin me të madhe…
Artikulli vijuesHakmarrje “evropiane” ndaj Limajt