Pajtohen për zbatimin e marrëveshjeve

Në takimin e mbrëmshëm në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçcic, janë bërë hapat e parë konkretë në normalizimin e marrëdhënieve. Zyra e shefes së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se dy palët janë pajtuar që të zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë raundit paraprak të negociatave.
”Sot jam takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ivica Dacic në kuadër të kornizës së dialogut”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë e bashkimit Evropian, Catherine Ashton pak pas darkës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe me atë serb Ivica Dacic në Bruksel.

Ashton ka thënë se ky takim ishte vazhdim i diskutimeve që i kishte ajo në Bruksel më 19 tetor. Sipas saj bisedimet miqësore janë sjellur rreth aspekteve të ndryshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

”Të dy kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet. Jemi pajtuar që të punojmë në implementimin e plotë të marrëveshjeve dhe kemi mirëpritur rezultatet e grupit të përbashkët punues për Menaxhimin e Integruar të kufijve të datës 5 e 6 nëntor”, ka theksuar Ashton.

”Kemi diskutuar për transparencën e fondeve që Serbia ia dedikon komunitetit serb në Kosovë, ndërkohë që jemi ndalur edhe në çështjen se si të përmirësojmë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e religjioze serbe në Kosovë, ka theksuar ajo.

Sipas saj, të dy palët janë marr vesh për një grup të përbashkët punues të përgatis një Studim të fizibilitetit për autostradën Nish -Prishtinë.

”Jemi marr vesh të takohemi sërish së shpejti”, ka përfunduar Ashton.

”Në takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se theks i veçantë i është kushtuar Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM)”, ka thënë kryeministri Thaçi për RTK.

Për këtë, Thaçi ka thënë se është arritur pajtim që të flitet sërish në muajin dhjetor, kur edhe ka shfaqur shpresën se do të nisë të zbatohet.

Kryeministri ka thënë se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës.

Thaçi ka theksuar se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar që të bëhen transparente të gjitha mjetet materiale që Serbia jep për strukturat në veri, ashtu si edhe shuarjen e tyre.

“Ka struktura kriminale që mbajnë peng dhe të frikësuar qytetarët. I gjithë angazhimi ynë për veriun do të jetë në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri e ka vlerësuar takimin si tejet konstruktiv dhe ka thënë se ka qenë më substancial se takimi i parë.

Edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka pranuar se në dhjetor do të flitet për IBM-në, por ka shtuar se për këtë çështje Serbia do të parashtrojë disa pyetje.

Takimi i parë në mes të Thaçit dhe Dacicit është zhvilluar më 19 tetor, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton. /Telegrafi/

Artikulli paraprakSulm me bombë në Pakistan, të paktën 21 të lënduar
Artikulli vijuesAri i vjedhur në polici do të shitej dy milionë euro