Pakistani është në zi për viktimat e sulmit vetëvrasës në një park publik në Lahore. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, përfshirë 29 fëmijë.
Një degë e talibanëve që e quan veten Jamaat-ul-Ahrar ka thënë se ka kryer sulmin kundër të krishterëve që kanë qenë duke festuar Pashkët në parkun Gulshan-e-Iqbal.
Së paku 300 njerëz janë plagosur në sulmin e së dielës dhe autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet.
Në sulm kanë vdekur edhe myslimanë.
Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, ka vizituar disa të plagosur në spital dhe ka takuar zyrtarët për të planifikuar përgjigjen.
Ushtria ka thënë se ka kryer disa bastisje në Lahrore due në zonat pranë, duke arrestuar disa të dyshuar.
“Disa terroristë të dyshuar janë arrestuar dhe sasi të mëdha të armëve dhe municioneve janë konfiskuar”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Asim Bajwa.
Burime të ushtrisë dhe qeverisë kanë thënë se do të nisin operacion të posaçëm ushtarak në provincën Punxhab, kryeqytet i së cilës është Lahore.
Sulmi në Lahore është më i përgjakshmi kundër të krishterëve në Pakistan qysh në vitin 2013, kur një sulm me bombë në një kishë të Peshauarit ka vrarë mbi 80 veta.
Pamjet televizive kanë treguar skena të rënda të prindërve duke kërkuar fëmijët e tyre nëpër rrënoja.
“Kam qenë pranë këndit të fëmijëve kur ka ndodhur sulmi. Shpërthimi ka qenë shumë i zëshëm. Kam parë pishina gjaku, njerëzit kanë qenë të shtrirë gjithandej. Nuk ka pasur siguri të duhur”, ka thënë një dëshmitar me emrinMohammad Arshad.
Qeveria e Punxhabit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Shkollat dhe tregjet kanë qenë të mbyllura të hënën.
Lahore është njëri nga qytetet më liberale dhe më të pasura të Pakistanit. Ai është baza politike e kryeministrit Sharif dhe ka parë relativisht pak sulme terroriste në vitet e fundit.
Ehsanullah Ehsan, zëdhënës i grupit Jamaat-ul-Ahrar, ka thënë se militantët kanë dashur t’i dërgojnë mesazh Sharifit se “ata kanë hyrë në Lahore” dhe ka kërcënuar me sulme të tjera.
Ky grup ka kryer disa sulme kundër civilëve pakistanezë dhe forcave të sigurisë në muajt e fundit.
Shpërthimi ka ndodhur në portën kryesore të parkut Gulshan-e-Iqbal, në një distancë të shkurtër nga këndi i fëmijëve.
Shefi i policisë, Haider Shraf, ka thënë se parku ka qenë “shënjestër e butë”. Sipas tij, Pakistani është në “gjendje lufte”, por nuk ka pasur alarm specifik për sulmin.