Pakoja e re fiskale e pa shpresë

Në mungesë të mjeteve financiare, u detyrua të futej në kredi prej 60 mijë euro për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e ngjyrave, fasadave dhe ngjitësve “FER-FIX” në Ferizaj. Për këtë kredi, pronarit të kësaj fabrike Ferid Ukshini iu desh ta kthejë dyfishin e saj, hiç më pak se 120 mijë euro, për shkak se kishte kamatën e kredisë prej 18%.
Megjithëse, duke u sfiduar me barriera e konkurrencë joreale, ai vuri në lëvizje zhvillimin e biznesit. Ky prodhues shpreh zhgënjimin e tij në drejtim të Qeverisë së vendit për moszbatim të politikave stimuluese për sektorin privat. Edhe me paralajmërimin e nxjerrjes së pakos së re fiskale, Ukshini, nuk pret asgjë më shumë sesa premtime boshe, sikurse viteve të kaluara. “Çka të presësh nga kjo pako fiskale, fjalë ka sa të duash, por në realitet asgjë. Shqetësimet janë të shumta – TVSH-ja, dogana, kur ende pa u furnizuar me lëndë të parë fillojnë pagesat. Që në fillim, kur e fusim lëndën e parë në doganë, ne paguajmë për TVSH-në. Dogana po e rrit koston e prodhimit, ngase paguajmë 11% doganë dhe 16% TVSH, që i bie 27% kosto, që është shumë e lartë dhe e papërballueshme për bizneset prodhuese”, thotë Ukshini në një bisedë për revistën “Ekonomia”.
 
Mirëpo, me nxjerrjen e pakos së re fiskale shpreson se do të ketë përmirësime, por ai thotë se mbetet të shihet se çka do të bëhet, ngase pritjet nuk janë shpresëdhënëse. Me nxjerrjen e pakos së re fiskale ky prodhues vlerëson se janë vonuar shumë, ngase, sipas tij, po të kishte ndodhur kjo më herët, edhe bizneset do të ishin në një pozitë më të mirë. “Por, shpresojmë se, kurdo që të nxirret pakoja e re fiskale, nuk do të jetë e vonshme, siç thotë një fjalë popullore ‘më mirë vonë se kurrë’. Me pakon e re pretendojmë që do të ketë rritje të prodhimit, kur përfitimet do të jenë zinxhirore”, thotë Ukshini.
Pavarësisht nga renditja e Kosovës për 11 vende më lart në listën e Bankës Botërore në të bërit biznes, nga 86 në 75, realiteti është krejtësisht ndryshe në terren. Bizneset, posaçërisht ato prodhuese, në vend ballafaqohen me barriera nga më të ndryshme dhe të papërballueshme. Nga ana e institucioneve është përfolur shumë se do të ketë lehtësira për sektorin privat, por politikat qeveritare të aplikuara ndaj bizneseve në përgjithësi kanë qenë të pafavorshme. Në vitin 2012 shumë është përfolur për pakon e re fiskale.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit qysh atëherë kanë dhënë vërejtjet e tyre për politikat e reja fiskale të hartuara nga Qeveria, duke e cilësuar pakon si “të zbehtë” për sa i përket ndikimit në operimin e bizneseve dhe kritereve për rritjen ekonomike të paralajmëruar nga Qeveria. Është përfolur se gjatë viteve 2011-2014 rritja ekonomike do të arrijë 7-8%, por kjo as përafërt nuk u arrit. Kaluan katër vjet dhe asnjë ndryshim, vetëm se përkeqësim i situatës së biznesit dhe tkurrje e investimeve të huaja vit pas viti. Madje bizneset prodhuese po hulumtojnë kushtet dhe lehtësirat që ua ofrojnë vendet e rajonit për të bërë bartjen e makinerisë prodhuese. Me qeverisjen e re, këtë vit u riaktualizua çështja e nxjerrjes së pakos së re fiskale, por sërish bizneset mbeten skeptike për këtë, duke e cilësuar këtë si lloj folklori premtues për sektorin privat.
 
Ministri i Financave, Avdulla Hoti, deklaroi ditë më parë se së shpejti do ta kenë pakon e re fiskale, e cila do të ofrojë shumë lehtësira për sektorin privat, duke bërë ulje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) e pushim të taksave. Mirëpo, vetë ministri, në kohën kur ishte drejtues i Grupit të eksperteve të LDK-së pati dhënë vërejtje të shumta për sa i përket pakos së re fiskale për vitin 2012.
Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thonë se të gjitha Ligjet janë në grupe punuese duke u punuar dhe se gjatë muajit shkurt 2015 (TVSH; TAP; TAK etj.) do të dërgohen në Qeveri. Shumë nga çështjet të cila kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit të biznesit do të trajtohen në këto grupe. “Si Administratë Tatimore kemi përgjegjësinë dhe kompetencën për t’i përgatitur shpjegimet dhe lehtësimet në implementimin e tyre, dhe në këtë fazë pa u ditur detajet nuk kemi ne autorizime të komentojmë çështje që ende janë në nivelin e debateve në grupet e autorizuara nga Ministria e Financave”, ka thënë shkurt për revistën “Ekonomia”, Behxhet Haliti, drejtor i ATK-së.
Prodhuesit s’dinë se çka përmban pakoja e re fiskale.
 
Ministria e Financave është duke e përgatitur paketën fiskale dhe se menjëherë do të fillojë me masa për ofrimin e kushteve me të mira për të bërë biznes, me ç’rast investitorët kosovarë nuk do të lejohen të largohen nga vendi dhe se do të gjendet zgjidhje e përbashkët. Por prodhuesit nuk e kanë as idenë se cila do të jetë pakoja e re fiskale dhe çka përmban ajo.
Bashkim Osmani, pronar i fabrikës së pijeve “Laberion”, thotë se nuk ka asgjë konkrete se çka do të ulet dhe çka do të përmirësohet si politikë fiskale. Ai thekson se sektori biznesor i prodhuesve të pijeve joalkoolike është i ndëshkuar që nga viti 2006 dhe veçanërisht nga viti 2012 me akcizë prej 4.5 centë për litër. “Për çdo litër të shitjes së pijeve paguajmë 4.5 centë akcizë, apo më mirë të themi haraç prej shtetit, derisa prodhuesit e tjerë të rajonit e të Evropës, nuk paguajnë akcizë. Nuk kemi asnjë informatë të saktë se cila është reforma fiskale dhe në cilin drejtim do të jetë ajo”, ka shprehur shqetësimin e tij Osmani.
Pakoja e re fiskale nuk jep shpresë për ndonjë ndryshim të madh në aspektin e të bërit biznes, apo ndonjë favori tjetër. Flitet shumë se do të ketë lehtësira, stimulime e benificione, por asnjëherë këto nuk kanë ndodhur. “Më shumë e shohim si premtim sesa që do të krijohen mundësi e kushte. Por, si duket më në fund e kanë kuptuar se sektori privat, posaçërisht prodhuesi, është faktori kryesor i hapjes së vendeve të reja të punës dhe është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Në qoftë se e kanë kuptuar këtë, është emergjente të intervenohet dhe të krijohen kushte më të mira”, ka potencuar Osmani.
 
Prodhuesit, sipas tij, nuk po kërkojnë kushte ekstra, por kushte të barabarta me prodhuesit e rajonit, sepse prodhimet e tyre vijnë në Kosovës dhe e marrin tregun për shkak se kanë kushte dhe lehtësira më të favorshme. Maqedonia po krijon kushte shumë të favorshme dhe nëse vazhdohet kështu, bizneset do ta bartin makinerinë prodhuese atje. “Shpresojmë që të hiqet TVSH-ja në kufij e të na ngarkohet pasi ta plasojmë produktin final në treg, e jo ende pa e futur lëndën e parë brenda. Kanë folur shumë për pakon e re fiskale, por jemi mësuar me këtë folklor të tyre, se nuk ka pasur asgjë pozitive, por shpresojmë se do të nxirrrt pakoja e re që sadopak të ngrihen bizneset prodhuese”, ka nënvizuar Osmani.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), si përfaqësuese e biznesit, ka një mori kërkesash të cilat kanë nevojë për t’u shqyrtuar dhe për t’u futur në pakon fiskale, mirëpo karshi realitetit të krijuar është një vonesë e madhe, e sidomos nëse analizohen hapat që janë duke i ndërmarrë shtetet e rajonit. Nëse nuk do të azhurnohet ky proces, edhe zgjidhja e kësaj liste dhe kompletimi i saj nuk do ta ketë efektivitetin e vet të pritur. Drejtuesit e OEK-ut, kërkojnë që të bëhen lehtësira për biznese të cilat janë në sektorin prodhues. Mirëpo, krahas lehtësirave të sektorit prodhues, pakoja e re fiskale duhet të jetë në funksion të tërheqjes së investitorëve të huaj ose të rrisë atraktivitetin e Kosovës karshi investitorëve të huaj. “Nj
ë gjë e tillë është prolonguar shumë dhe vetvetiu pakoja ka përjetuar amortizim moral. Kjo kohë që ka mbetur duhet të shfrytëzohet në maksimum dhe kjo pako të jetë në funksion të zhvillimit. Për fat të keq, trendët aktualë janë mjaftë shqetësues dhe në qoftë se nuk ndërmerren hapa radikalë për të ndryshuar gjendjen e krijuar, ardhmëria ekonomike e Kosovës do të jetë mjaft shqetësuese”, ka thënë kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.
 
Ai e ka cilësuar si paradoks kur lënda e parë e cila duhet të importohet për t’u finalizuar produkti në Kosovë, është e ngarkuar me doganë dhe me TVSH. Vetëm këtu, sipas tij, duhet të jetë fokusi kryesor, ngase, nëse zgjidhet kjo çështje e eliminimit të barrierave, atëherë perspektiva ekonomike do të jetë në rritje dhe do të jetë më optimiste. “Është një lodhje e tepërt nga pritja e pakos së re fiskale. Kjo pritje e ka koston e vet, mirëpo çdoherë kur të miratohet apo të kompletohet një pako e tillë e të kalojë në Parlament do të jetë e mirëseardhur. Por vërtet është humbur shumë kohë dhe në njëfarë forme biznesi e ka një dozë të skepticizmit se do të miratohet ose do të arrihet një gjë e tillë, gjë që është e dëshiruar por shumë e vonuar”, ka thënë Gërxhaliu.
Bizneset në Kosovë janë në gjendje të vështirë, duke filluar nga ndërprerja e energjisë elektrike, e cila dëmton prodhimin, taksa doganore për lëndën e parë, kontrolle të shpeshta nga inspektorët e ATK-së, të cilët vetëm sa e demoralizojnë biznesin. Pavarësisht nga këto bizneset shpresojnë se, sadopak, pakoja e re fiskale do ta ketë efektin e saj në përmirësim të kushteve të biznesit. /Revista Ekonomia/
Artikulli paraprakZbritja e Melekëve nën udhëheqjen e Xhibrilit (as) në ditën e Bedrit për t’i ndihmuar Muslimanët.
Artikulli vijuesVV: Zhvillimet rreth kryeprokurorit, përplasje bandash institucionale