Palodhësia e Shejh ALBANIT

Një natë vonë, duke hulumtuar në internet e gjeta këtë shkrim, i cili më pëlqeu pa masë dhe më shtyri ta përkthej e të bëhem shkak, për të sjellë gëzim në zemrat e muslimanëve, duke parë si shembull të gjallë një dijetar kaq të madh, i cili nuk ishte lodhur në këtë rrugë edhe pse i kishte mbushur tetëdhjetë e katër vjet. Nëse ky dijetar kaq i madh dhe me këtë moshë nuk është lodhur nga puna për fenë e Allahut, në thirrjen e njerëzve për udhëzim në Sunnet, çka do të kishim thënë ne hoxhallarët e rinj, të cilët për pak punë që bëjmë, nuk mbetet vend pa i përmendur ato, apo nuk na mbetet vullnet dhe elan për të shtuar edhe diçka më shumë në këto vepra të mira.
Këtë rast që ua paraqesim vëllezërve tanë është një shembull konkret nga koha jonë, të gjithë asaj që do të provojmë t’ua tregojmë me fakte dhe argumente nga Kur’ani, Sunneti dhe jeta e sahabeve, që mos të thonë se ajo që kanë bërë ata, është utopi dhe idealizim i paarritshëm, por që mund të arrihet poqe se kemi vullnet të çeliktë dhe aspirata të mëdha.

 

Në librin “Sahihu MevaridudhDhem’an” nën hadithin me numër rendor 2087, të cilin e transmeton Ebu Hurejre, radijAllahu anhu, nga Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, i cili na rrëfen: “Ymri i umetit tim është mes të gjashtëdhjetave dhe të shtatëdhjetave, kurse një pakicë do ta kalojë këtë kufi”. Ibën Arefe tha: unë jam nga ajo pakicë. Shejh Albani, rahimehullah, e bën këtë koment duke thënë: “Edhe unë jam nga ajo pakicë, pasi që tani kam kaluar të tetëdhjetë e katrën dhe e lus Allahun, subhanehu ve teala, që të jem nga ata që jetojnë gjatë dhe bëjnë vepra të mira.

 

Edhe përskaj të kësaj gjendje, disa herë më shkon ndër mend ta dëshiroj vdekjen, për shkak të devijimeve që i kanë kapluar muslimanët në fe dhe për shkak të nënçmimit që i ka kapluar, madje edhe nga njerëzit më të poshtër. Mirëpo këtë gabim nuk e kisha bërë duke e pas para syve të mi që nga fëmijëria hadithin e Enesit, radijAllahu anhu, andaj nuk më takon mua të them asgjë tjetër përpos asaj që më ka urdhëruar Pejgamberi im, salAllahu alejhi ve selem: “Allahu im, më jep jetë përderisa jeta është më mirë për mua dhe ma merr shpirtin përderisa vdekja është më mirë për mua”. Dhe duke u lutur me atë që na ka mësuar Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem: “Allahu im më bë të kënaqem me dëgjimin, shikimin dhe fuqinë time përderisa jam gjallë dhe lëri ato pas meje”.

 

Allahu ma dha këtë begati dhe më bëri të kënaqem me këto gjëra, andaj ja unë akoma hulumtoj, përpunoj dhe shkruaj me një elan të paparë, fali namazin nafile në këmbë dhe vet vozis veturën në destinacione të largëta, madje me një shpejtësi, për të cilën disa të dashur më këshillojnë ta ngadalësoj, por unë për këtë gjë kam sqarim detal, të cilin e dinë disa!

Këtë e them nën moton “begatitë e Zotit tënd tregoi”, duke e lutur Allahun, subhanehu ve teala, që të mi shtojë të mirat e Tija dhe të gjitha këto t’i lë pas meje, të ma marrë shpirtin si musliman dhe i kapur për sunnet, për të cilin kam zotuar tërë jetën time, duke bërë thirrje në te, duke shkruar për te dhe shpresoj të më shoqërojë me shehidët, me burrat e devotshëm, pasi që ata janë shoqëria më e mirë, kurse Allahu është Ai që Dëgjon dhe i Përgjigjet lutjeve”.
Allahun e lusim që t’ia pranojë veprat e mira hoxhës tonë, t’i falë gabimet dhe t’i dhurojë Firdeusin e lartë, sepse kjo është grada më e lartë e xhennetit, për shkak të mundit dhe kontributit të madh që ka dhënë për afrimin e njerëzve me Sunnetin e Pejgamberit, salAllahu alejhi ve selem.

Amin.
Shkruan Bekir Halimi

 

Artikulli paraprakPër ballin e kombit
Artikulli vijuesVIDEO – Provokimi i radhës te Burmali Xhamia